Kohanews.com

Ke Çfarë Lexon!

Ministri i Kulturës realizoi takim me udhëheqësit e „Eurimazh“ dhe „Tregut Evropian të Filmit“

3 min read

Ministri i Kulturës, Asaf Ademi, gjatë kohës së qëndrimit të tij në Berlin, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin realizoi disa takime pune me përfaqësuesit e rëndësishëm të institucioneve me renome nga sfera e industrisë së filmit.
Pra, gjatë ditës (10 shkurt) ministri Ademi u takua me Ketrin Trautman, kryetare e „Eurimazh“, dhe me Roberto Ola, drejtor ekzekutiv i „Eurimazh“. Në takim, në të cilën ishte i pranishëm edhe Gorjan Tozija, drejtor i Agjencisë së Filmit të RM-së, ministri i Kulturës e potencoi rëndësinë e madhe për Republikën e Maqedonisë dhe për kinematografinë maqedonase që filmi maqedonas „Perëndia ekziston, emrin e ka Petrunija“ gjendet në konkurrencë zyrtare të festivalit të kategorisë A, veçanërisht që ky film ishte mbështetur pikërisht në Asamblenë e Përgjithshme të Bordit të Drejtorëve të „Eurimazh“, që u mbajt në Shkup në vitin 2017.
Ministri Ademi në takim u shpreh i kënaqur nga bashkëpunimi i deritanishëm i lartë profesional me Republikën e Maqedonisë si vend anëtar i Eurimazh-it dhe u shpreh i bindur se edhe në të ardhmen kinematografia maqedonase do të vazhdojë t’i ndjek strategjitë evropiane në veprimtarinë filmike dhe të krijojë bashkëproduksione evropiane cilësore.
Republika e Maqedonisë prej vitit 2003 është anëtare e „Eurimazh“ – fondit pranë Këshillit të Evropës, qëllimi i të cilit është promovimi i industrisë filmike evropiane përmes nxitjes së prodhimit dhe shpërndarjes së filmave dhe nxitjes së bashkëproduksioneve ndërmjet profesionistëve të filmit.
Gjatë kohës së vizitës në Festivalin e Filmit në Berlin, ministri i Kulturës, Ademi, sot u takua edhe me Matis Vouter Nol, drejtor i Tregut Evropian të Filmit, i cili është njëri nga tre tregjet më të mëdha të filmit në botë. Në takim u bë fjalë për bashkëpunimin e deritanishëm të Agjencisë së Filmit të Republikës së Maqedonisë dhe Tregut Evropian të Filmit. Ishte theksuar se Agjencia e Filmit çdo vjet është prezent në Treg me aktivitete të ndryshme për promovimin e kinematografisë maqedonase, si dhe me projeksione të filmave maqedonase. Ministri i Kulturës, Ademi, e njoftoi bashkëbiseduesin e vet se Republika e Maqedonisë edhe këtë vit ka projeksione në Treg dhe u shpreh i bindur se filmat më të rinj maqedonas do të kenë përkushtim të madh. Në takim ishte theksuar interesimi për thellimin e bashkëpunimit përmes angazhimeve dhe Republika e Maqedonisë të ketë stendën e vet në Treg ku Agjencia e Filmit do të ketë mundësi ta prezantojë produksionin rrjedhës të filmit maqedonas, si dhe mundësitë për incizimin e filmave në Republikën e Maqedonisë. Ministri Ademi theksoi se prezenca e kinematografisë sonë në Tregun Evropian të Filmit është me rëndësi të madhe, sepse vërteton se investohet tek autorët dhe në industrinë e filmit.