Stacioni i Policisë për Siguri në Komunikacionin Rrugor-Tetovë, mbrëmë (02.02.2021) nga ora 22:00 deri më 24:00, me shfrytëzimin e të ashtuquajturit “radar nate” realizoi aktivitete të përforcuara për sanksionimin e drejtimit me shpejtësi mbi të lejuarën në rr.”Mareshali Tito” në Tetovë, nga Monopoli deri te kyçja në autostradë.
Gjatë këtij kontrollimi janë konstatuar dhe sanksionuar 31 tejkalime të shpejtësisë së lejuar. Prej tyre, 10 kanë qenë me mbi 50 km/h, kurse 21 prej 30 deri 50 km/h. Ndër të sanksionuarit është edhe një motoçiklist i cili ka qarkulluar me shpejtësi prej 160 km/h, si dhe automjete udhëtarësh shpejtësia e të cilave ka qenë mbi 130 km/h. Të gjithë kryerësve të këtyre kundërvajtjeve u janë përgatitur urdhërpagesa për kundërvajtje në trafik.
Janë sanksionuar edhe nëntë lloje të tjera të kundërvajtjeve, ndër të cilat katër persona kanë drejtuar automjetet e tyre pa patentë shoferë.
Kontrollimet e përforcuara në trafik do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Apelojmë deri te qytetarët t’i respektojnë rregullat dhe rregulloret në trafik në mënyrë që të kotribuojmë në rritjen e sigurisë në rrugë.