Sa do të punojmë dhe me çfarë cilësie do të përfshijmë të drejtën administrative evropiane në legjislacionin tonë, varet vetëm nga ne

vull

Raporti i BE-së për Maqedoninë e Veriut duhet të shihet si përpjekje për ndërgjegjësim të qeverisë qendrore dhe asaj lokale, për të ndërmarrë hapa për të përmirësuar përgjegjësinë personale të menaxhimit dhe për të deleguar përgjegjësinë në nivele të ndryshme të qeverisjes, ndonëse sipas raportit delegimi i kompetencave për vendimmarrje dhe menaxhim në nivel të mesëm mbetet i kufizuar. Se sa do të bëjmë dhe me çfarë cilësie do të përfshijmë të drejtën administrative evropiane në legjislacionin tonë kombëtar, nëse do të jemi të aftë ligjërisht dhe mjaft të shkolluar për ta zbatuar atë në praktikën e përditshme, varet vetëm nga ne. Fillimi i negociatave nuk përfundon gjithmonë me anëtarësim – puna fillon tani, ndërsa reforma e administratës publike është thelbësore për përparimin e vendit.

Tinka Kiteska
Tinka Kiteska

Kështu thotë, Tinka Kiteska, themeluese dhe kryetare e shoqatës “Të drejtë dhe profesionistë” në bisedë me gazetarin e Portalb.mk rreth raportit të fundit të Komisionit Evropian.

Misioni i “Të drejtë dhe Profesionistë” është mbrojtje e të drejtave dhe lirive të punonjësve të administratës publike, krijimi i institucioneve që synojnë përsosmërinë, përballje me të gjitha ndryshimet socio-politike që ndodhin në Maqedoni, duke i mundësuar administratës krijimin e vlerave dhe qëndrimeve të saj, lirshëm të shprehë mendimin dhe të shtrohet rruga e progresit të qëndrueshëm dhe një shoqërie të përparuar.

“Nuk ka përparim pa profesionalizëm të lartë në administratën publike”, thotë Kiteska.

Portalb.mk: A duhet të jemi të kënaqur me raportin e fundit të KE-së?

Tinka Kiteska: Derisa Maqedonia po e jetonte periudhën e kaluar të pengesave dhe krizave të llojeve të ndryshme, Komisioni Evropian me vigjilencë ka regjistruar dhe ka nxjerrë konkluzione për gjithçka që po ndodh në vendin tonë. Derisa të gjithë aktorët socialë janë të përqendruar për të filluar negociatat për hyrje në familjen evropiane dhe për të kryer detyrat e shtëpisë që na janë caktuar, Komisioni Evropian, duke përdorur metodat e tij për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave përkatëse, ka formuar një pasqyrë objektive të secilës pjesë të sistemit tonë shoqëror-politik, i cili i tillë si është ka funksionuar dhe mbijetuar me dekada.

Përballë rregullave të reja për anëtarët e ardhshëm, Komisioni vë në dukje se reformat e thella janë të nevojshme pasi vendet kandidate aktuale do të përballen me kritere më të rrepta për vlerësimin e asaj që është bërë.

Për të treguar se gjithçka varet nga vetja jonë, raporti përdori shprehje të tilla si progresi i mirë, ose një nivel i caktuar i gatishmërisë / janë të përgatitur mesatarisht. Ndërsa ky nuk është ndonjë ngushëllim i madh ai prapë jep shpresë se gjërat mund të ecin përpara për të mirë, se nuk ka kthim prapa ose çmontim të demokracisë dhe se kemi bërë një përparim të caktuar.

Portalb.mk: Çfarë vlerësimesh na kanë dhënë për reformat në administratën publike?

Tinka Kiteska: Nëse përqendrohemi në segmentin e Reformës në administratën publike, mendoj se kemi kaluar madje mirë, falë Strategjisë së miratuar për transparencë 2019-2021, operacionalizimit të portalit Qeveri e Hapur dhe publikimit të të dhënave për shpenzimet e qeverisë. Komisioni deklaron në mënyrë diplomatike dhe të kulturuar këto gjëra elementare, të cilat nuk janë asgjë spektakolare për vendet e zhvilluara Evropiane, kurse ne konsiderojmë se i kemi arritur majat duke njoftuar këto gjëra kaq të zakonshme.
Komisioni sigurisht i njeh thellë anomalitë tona në punë, të sëmundjeve të fëmijërisë nga të cilat vuajmë, ndërsa vendet e tjera me hapa të shpejtë po nxitojnë përpara dhe po largohen prej nesh. Ata nuk dëshironin të ndikojnë të zhgënjehemi, dhe të na nxjerrin në tavolinë të gjitha detyrat e papërfunduara të shtëpisë, e të tilla ka shumë në çdo hap të administratës publike.

Cili është efekti i strategjisë së lartpërmendur, nëse ata që duhet të reformohen – stafi administrativ i zhytur në ekzistencën e përditshme dhe frika për punën e tyre – nuk kanë dëgjuar për këtë, asnjë nga autoritetet nuk ua ka paraqitur atyre, nuk ka kërkuar mendimin ose ekspertizën e tyre. Komisioni do të kishte shënuar përparim shumë më të madh në raport për Reformën tonë të administratës publike nëse do të kishim dëshmuar se jemi rritur, se kemi marrë mësime dhe nuk do të përsërisim gabimet e së kaluarës.

Askush nuk i ka pyetur nëpunësit se çfarë lloj demokracie dëshirojnë të ndërtojë vendi i tyre, nëse kishin guxim për të shprehur mendimin e tyre, nëse ishin të barabartë në përgjegjësi dhe privilegje ose nëse ishin të nënshtruar vetëm për zyrtarë të zgjedhur, nëse rregulloret zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë e jo në mënyrë selektive nga prirja politike drejt një partie apo një partie tjetër. Për sa kohë që ka spastrime, revanshizëm politik, nepotizëm, kronizëm dhe shpërblim në bazë të çfarëdo lloj kriteri, por jo sipas ekspertizës, kompetencës dhe meritës, nuk mund të flasim për reformat e kuptuara në kuptimin e vërtetë të fjalës reforma.

Për sa kohë që menaxhmenti nuk zgjidhet nga radhët e punonjësve profesionistë me përvojë, por bartet si bagazh me çdo zyrtar të ri, nuk mund të presim progres. Menaxherët e sapo punësuar, sado të arsimuar apo të edukuar të jenë, kanë nevojë për kohë për të njohur thelbin e punës, për të ndjerë frymën e institucionit për të njohur stafin profesional që e kanë gjetur atje dhe me menaxhimin e mirë të të cilit mund të arrihen rezultatet e pritura. Derisa t’i mësojnë të gjitha këto, koha kalon, qeveria ndryshon, në vendin e tyre vijnë njerëz të rinj dhe kështu me radhë deri në pafundësi. Askund në raport nuk do të takoni se Maqedonisë i duhet sa më shpejtë themelimin e profesionit menaxhment publik në administratën shtetërore që do të jetë i paanshëm, i pavarur dhe përgjegjës në mënyrë transparente për rezultatet – pozitive ose negative. Kjo është arsyeja pse nuk mjafton që për një vend si i yni, Komisioni Evropian të thotë se ka bërë përparim të mirë dhe se është “i përgatitur mesatarisht”. Ne nëpunësit i shohim gjërat nga brenda dhe vetëm ne mund të themi se sa të përgatitur jemi. Raporti i paketuar mirë nuk duhet të na bëjë t’i lidhim lart dhe të shtiremi se kemi bërë kush e di çfarë progresi.

Prandaj Komisioni nuk e ka lënë pa na e tërhequr vëmendjen për faktin se zhvillimi profesional nuk është akoma sistematik. Nuk ka një bazë të dhënash të centralizuar të trajnimeve të ofruara nga institucione të ndryshme, nuk ka zbatim sistematik të dispozitave të Ligjit për nëpunësit administrativ dhe Ligjit për punonjësit në sektorin publik në lidhje me sigurimin e punës së merituar, ngritjen në detyrë dhe largimin nga puna. Procedurat për punësim të përkohshëm me kritere më të ulëta përdoren shpesh, duke anashkaluar kriteret e përcaktuara në Ligj – staf i dëgjueshëm politikisht futet nëpër një derë të vogël, i cili jo vetëm që nuk është në nivel të detyrës, por gjithashtu shtyn jashtë zyrtarin profesionist i cili deri dje me sukses të lartë e ka kryer të njëjtën punë. Profesionistët largohen brenda natës dhe zëvendësohen me staf të papërvojë të cilët, për të marrë pozicionin në fjalë, duhet të shtypin zanatin për të paktën edhe disa vjet dhe vetëm atëherë të interpretojnë në skenë.

Raporti përmban vetëm dy fjali për fatin e informatorëve (angl. whistleblowers) të mbrojtur në Maqedoni, por me ato dy fjali thuhet gjithçka. Gjegjësisht, sipas Raportit, “Integriteti në shërbimin publik është i rregulluar mirë, përfshirë edhe legjislacionin për informatorët. “Megjithatë, nuk ka të dhëna në dispozicion se si mekanizmat e integritetit, përfshirë legjislacionin e informatorëve, zbatohen në praktikë, ose nëse dhe si mbrohen ata nga veprimet hakmarrëse”.

Ata e kanë vlerësuar shumë mirë, kanë kërkuar, por nuk gjetën të dhëna për rastet e shumta të hakmarrjes, riemërimit, pushimit nga detyra, degradimit dhe shkatërrimit të karrierave individuale të punonjësve profesionistë – vetëm për faktin se pasi kanë menduar një kohë të gjatë kanë marrë guxim dhe kanë vendosur të flasin, raportojnë për punë të paligjshme dhe krimit të llojit të vet. Të gjithë duhet të mendojmë përse Komisioni nuk ka gjetur të dhëna, nuk është se ato nuk ekzistojnë, por se dikush me mjeshtëri i fsheh ato, duke mbrojtur shkelësit e ligjeve në kurriz të përcaktimit të informatorëve të cilët, edhe me koston e dështimit, e kanë përmbushur detyrën e tyre qytetare.

Portalb.mk: Cili është vlerësimi juaj për raportimin e Komisionit Evropian për Komisionin antikorrupsion?

Tinka Kiteska: Sipas mendimit tim, raportimi i Komisionit Evropian në lidhje me punën e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në Maqedoni është relativisht objektiv dhe i kufizuar. Perceptimi qytetar është se Antikorrupsioni udhëheq një luftë spontane, selektive dhe të pakoordinuar kundër korrupsionit. Komisioni ka vlerësuar se KSHPK është veçanërisht proaktiv në parandalimin e korrupsionit dhe se ka hapur një numër çështjesh, përfshirë edhe për zyrtarë të rangut të lartë nga i gjithë spektri politik. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë pse mbetet përfundimi se korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe qasje më proaktive në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit duhet të sigurohet nga të gjithë aktorët e përfshirë.

Përgjigja është shumë e thjeshtë, Antikorrupsioni ende nuk e ka hequr qafe kërthizën me të cilën është e lidhur me ekzekutivin. Ende nuk mund të marrë frymë dhe të funksionojë pa Qeverinë. Pasi ky komision pret që Qeveria të blejë ambientet e saj për punë, të ketë mëshirë për vendosjen e saj në ambiente të reja, më përfaqësuese në qytet, nuk ka pavarësi dhe asnjë objektivitet. Si do të ngritë procedura anti-korrupsioni kundër ndonjë zyrtari kaq të lartë nga vullneti i të cilit varet momenti i akomodimit të denjë për të gjithë punonjësit dhe pajisjet e nevojshme të informacionit, të cilat janë të nevojshme për luftën e pamëshirshme kundër korrupsionit.

Ne mund të konfirmojmë që Antikorrupsioni e sheh punën e saj dhe nuk i nënshtrohet asnjë autoriteti, kur brenda afatit të përcaktuar ligjërisht ai do të veprojë në bazë të secilit kallëzim për punë të paligjshme nga ndonjë informator i jashtëm i mbrojtur, pa marrë parasysh se sa zyrtar i lartë është. Anti-korrupsioni në të ardhmen duhet të mbrojë interesin publik dhe të mos ketë frikë nga asnjë autoritet, por për këtë është e nevojshme të plotësohen shumë parakushte, deri atëherë do të shohim një imitim të luftës kundër korrupsionit.

Next Post

Ministri Shaqiri priti në takim përfaqësuesen e UNDP Sakahjan: Vazhdon bashkëpunimi i suksesshëm

Sot, Ministri i shoqërisë informatike dhe administratës Jeton Shaqiri priti në takim përfaqësuesen e përhershme të UNDP-së në vend Narine Sakahjan. Në takimin e punës u diskutua lidhur me aktivitetet aktuale dhe ato të cilat do të realizohen në të ardhmen, të cilat UNDP-ja i ka në bashkëpunim me Ministrinë […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: