Ademi: E gjithë BDI-ja dhe qytetarët e mbështesin Qeverinë

vull

Koordinatori i grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi në fjalimin e tij në seancën e sotme parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut deklaroi se e gjithë BDI-ja dhe të gjithë qytetarët e mbështesin strukturën e re të propozuar të Qeverisë dhe programin e saj.

Ademi potencoi edhe masat e ndërmarra dhe projektet e realizuara deri më tani që kanë arsyetur besimin e dhënë në Gusht të vitit 2020 dhe se deputetët e BDI-së i besojnë plotësisht kompetencën profesionale të kuadrove të caktuar dhe cilësinë përmbajtësore të programit të plotësuar me projekte dhe strategji shtesë.

Në vazhdim, fjalimi i plotë i koordinatorit të grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi:

Ja ku jemi edhe sot, para një vendimi shumë të rëndësishëm për qytetarët tanë, për vendin tonë dhe për të ardhmën e të gjithë neve.

Sot po vendosim nëse do ti japim dritë të gjelbër vazhdimësisë së projekteve zhvillimore dhe të jetës cilësore, mekanizmave dhe strategjive qartësisht të definuara për të vazhduar përballjen e suksesshme me krizën shëndetësore energjetike dhe atë të migrantëve si sfida globale të kohës së sotme.

Të ndodhur në një situatë të këtillë sfidash dhe kur në horizont kemi rrugën drejt Bashkimit Europian si perspektivë progresive pa alternativë tjetër, sot të nderuar kolegë, është koha të dëshmojmë pjekuri politike, të japim kontributin tonë për të mundësuar stabilitet dhe konzistencë vendimmarrëse në shërbim të qytetarëve dhe perspektivës më të madhe të zhvillimit.

Para nesh kemi një program të plotësuar, një vizion të qartë zhvillimi të një shumice parlamentare që e ka legjitimitetin e plotë të popullit nga zgjedhjet e Korrikut të vitit 2020 dhe duke parë punën e saj të deritanishme, ne si deputetë të shumicës parlamentare reflektojmë sot mbi bilancin e saj të deritanishëm, konkludojmë se të arriturat dhe projektet e realizuara deri më tani janë qartësisht të dukshme dhe me të drejtë kanë pasur përkrahjen tonë të deritanishme.

Të njejtën përkrahje, grupi parlamentar i Bashkimit Demokratik për Integrim i jep edhe kësaj përbërje qeverisëse dhe këtij programi të konsoliduar të punës duke besuar plotësisht në kompetencën profesionale të kuadrove të caktuar si nga rradhët e saj edhe nga rradhët e partnerëve të koalicionit, poashtu edhe në cilësinë përmbajtësore të programit që është refleksion i kërkesave dhe nevojave të qytetarëve.

Qeveria të cilës ne i dhamë besimin tonë në Gusht të vitit 2020 nga kjo sallë e Kuvendit ka hapur rrugën e realizimit të projektit më të madh infrastrukturor të Korridorit 8 për të cilën u nënshkrua marrëveshje me kompaninë e mirënjohur Bechtel – Enka dhe korrektësia e ligjit të cilin e votuam bashkë këtu, u konfirmua edhe nga Gjykata Kushtetuese duke mundësuar tashmë definimin e kohës së fillimit të punimeve në verë të këtij viti.

Ishte kjo Qeveri, për të përkrahur vazhdimin e punës së të cilës jemi këtu, që përfundoi procedurën e shpronësimit të pronave në rrugën Shkup – Bllacë dhe sot po vazhdon të ndërton rrugen e Arbërit. Përkrahim plotësisht edhe lidhjen hekurudhore përgjatë Korridorit 8 dhe rikujtojmë që në rrjedhë e sipër është edhe lidhja energjetike mes Manastirit dhe Elbasanit.

Mali Sharr u shpall Park kombëtar, u përkrahën në maksimum komunat duke siguruar fonde për realizimin e projekteve lokale, u përuruan palestra sportive në shkolla fillore Recice dhe filluan punimet në Vizbeg dhe Bllacë, bashkë me çerdhet në Çair dhe në Saraj e Likovë.

Kjo Qeveri realizoi edhe sistemimin e administratorëve bashkë me avancimin e tyre duke njohur nivelin e kualifikimit arsimor.

Ajo që është karakteristikë e kësaj Qeverie është padyshim aftësia e saj për zhbllokimin dhe realizimin e proceseve shumëvjeçare të harruara në labirintet e kohës por shumë të rëndësishme për ardhmërinë e vendit.

Kështu patëm një proces të mirëfilltë të regjistrimit të popullsisë sipas të gjitha dispozitave ligjore të miratuara.

Ndërsa nga programi jonë u miratua edhe vendimi për respektim të përfaqësimit të drejtë të të gjitha kategorive shoqërore në Sektorin privat.

Për të avancuar proceset e barazisë u bë hapja e objektit të ri të Ministrisë për Sistem Politik që sot është edhe shtëpia e institucioneve të rëndësishme si Agjencia për Zbatimin e Gjuhës, Inspektorati për Zbatimin e Gjuhës, Ansambli Shtetëror Shqiptar i Këngëve dhe Valleve për të reflektuar fuqishëm të gjitha së bashku përfshirë edhe ministrinë frymën e Marrëveshjes së Ohrit, 20 vjetorin e së cilës e shënuam sivjet.

Këtë periudhë të qeverisjes së mirë do ta mbajmë mend edhe për realizimin e mbledhjes së përbashkët qeveritare me Republikën e Kosovës.

Por, ajo që është më e rëndësishme dhe ka lënë gjurmë në këtë periudhë qeverisëse është se Bashkimi Demokratik për Integrim me kuadrot e saj theu tabutë dhe i dha fund paragjykimeve të pakuptimta.

Së fundit, me të gjitha këto pozita të udhëhequra nga kuadro tona u dëshmua se vendi nuk humbi asgjë, përkundrazi përforcoi pozitat e saj në rrugën e zhvillimit, po kultivon vlerat e barazisë dhe po ndjek qartë e me vendosmëri kahjen e integrimit dhe ruan partneritetin me vendet e Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pikësynim edhe i kësaj përbërje parlamentare që do të ketë përkrahjen tonë maksimale është edhe premtimi për Kryeministrin e parë shqiptar në 100 ditëshin e fundit të propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim që tashmë ka përkrahjen e LSDM-së, por jo vetëm, ka edhe përkrahjen VMRO-së dhe të subjekteve politike shqiptare në opozitë.

Kjo arritje që do bëhet realitet padyshim se do të jetë tregues i pjekurisë demokratike të vendit dhe promotori më i mirë i vlerave proeuropiane të bashkëjetesës dhe përparimit.

Të gjitha projektet e përmendura duhet të jenë shtysë dhe motiv për të vazhduar me punë të mira.

Ne jemi pjesë e NATO-së dhe atë ëndërr e realizuam padyshim me shumë punë, me vendosmëri dhe me vizion të qartë, tani drejt sfidës së re të integrimit le ti përvishemi punës sëbashku për të integruar vendin aty ku edhe e ka vendin, në familjen e madhe të Bashkimit Europian. Përkrahja për vazhdimin e punës së kësaj Qeverie nënkupton pikërisht realizimin e këtij synimi.

Sot dhe nesër po debatojmë nëse do të votojmë për Bashkimin Europian, për Marrëveshjen e Ohrit, për fqinjësinë e mirë, për Koridorin 8, për gazifikimin, për Agjendën e gjelbërt, për digjitalizimin, për hekurudhën, për autostradën Shkup-Bllacë, për menaxhimin me mbeturina, për administratë të avancuar dhe të përkahur, për parashikueshmëri dhe marrëdhenie të mira ndëretnike, stabilitet dhe siguri.

Ne, 15 deputetët e BDI-së dhe votuesit tanë, por edhe shumica e qytetarëve tanë, nuk kanë dilemë, janë të përcaktuar, të gjithë bashkë do të përkahim këtë Qeveri.

Next Post

Petkov: Nuk ka presion amerikan për njohjen e pakicës maqedonase në Bullgari

Periudha 6 mujore që vendosa ishte që puna të bëhej mes Bullgarisë dhe RMV-së. ” Unë kurrë nuk kam vendosur një afat të saktë për një vendim apo një tjetër, ” tha kryeministri bullgar Kiril Petkov për BTV. -Ky duhet të jetë një funksion vetëm me rezultat të bazuar në këto […]

Subscribe US Now