ANTON NIKË BERISHA SJELL NË SHKUP PROFILIN NJERËZOR E INTELEKTUAL TË ANTON ÇETTËS

vull
Anton Çeta nuk ishte një pleqnar i zakonshëm. Ai, siç rezulton edhe nga libri që po e promovojmë sot – ‘Vepra e Anton Çettës përligj qenësinë e trashëgimisë sonë’, e autorit Prof. dr. Anton Nikë Berishe, ishte filozof i pajtimit kombëtar dhe vetëm duke qenë si i tillë ai u bë legjendë e gjallë në kujtimet e njerëzve, të cilët kur flasin për periudhën e pajtimit të gjaqeve, në fillim të viteve 90-ta të shekullit të kaluar, pashmangshëm e përmendin edhe emrin e prof Anton Çettës.
Ky emër shënon epokën më të ndritshme të mirëkuptimit brendakombëtar dhe si i tillë është sinonim i njeriut fjalë urtë e mendje ndritur, dy komponenta këto që Anton Çeta i përdori në terrenin e vështirë të hasmërive në mes të shqiptarëve.
Mirëpo, siç e thotë edhe prof. Anton Nikë Berisha, në librin që sot kemi në duar, vetëm kjo nuk mjaftonte. Për ta bindur personin që ta falë gjakun duhej ditur se cilat fjalë dhe në cilin çast duhej të përdoreshin dhe në ç’mënyrë duhej të thuheshin. Nga ky libër mësojmë gjithashtu se kur Anton Çeta i hynte brenda një familje për t’ia falur gjakun, ajo e kishte vështirë ta kthente mos t’ia falte dhe ka pasur raste që njerëzit kanë shtruar edhe këtë kusht: “Nëse e fal gjakun, ia fal vetëm Anton Çettës”.
Jemi me fat si komb që e patëm një figurë kaq rrezatuese në planin njerëzor e intelektual, siç ishte Anton Çeta, i cili, siç na del edhe nga ky libër i thuktë dhe mjaft përmbajtësor i prof Anton Nikë Berishës, shqiptarëve iu erdhi kjo figurë gati si një hyjni, atëherë kur autonomia e Kosovës po rrënohej dhe po zhbëhej nga regjimi i Beogradit dhe kur popullit të traumatizuar i duhej një terapi shpirtërore, që do ta bënte të ndjente afërsinë e njëri tjetrit. Zatën historikisht, shqiptarëve para çdo furtune të madhe iu ka parapri pajtimi kombëtar dhe kjo s’kishte të ndodhte ndryshe edhe me Kosovën e viteve nëntëdhjetë, atëherë kur ndodhën shumë ndryshime politike, por edhe përgatitje të asaj që do të ndodhte në fund të dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, kur rezistenca e armatosur detyroi ndryshimin e rrethanave në favor të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Këto dhe mendime të tjera të imponohen posa ta kemi lexuar librin që kemi në duar të cilin ITSHKSH ka nderin ta promovoj sot dhe në këtë mënyrë, ndoshta krejt rastësisht, pikërisht ky botim i prof. Antonit vjen edhe si perde që mbyll skenën e këtij viti kalendarik. Jemi shumë të gëzuar që kjo kështu ndodhi, mbase edhe për faktin se, miku ynë, prof. Antoni ishte me ne gati gjatë gjithë vitit që po lëmë pas, kurse vepra që ndodhet këtu para nesh, mund të jetë dhurata më e mirë që mund të të bëjë një mik.
Uroj që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke sjellë për publikun edhe vepra të tjera, ku firma e autorësisë së prof. Anton Nikë Berishës do të jetë garanca më e mirë e rrugëtimit tonë në drejtim të duhur.
Shkup, 22 dhjetor , 2020
Dr. Skender Asani – drejtor i ITSHKSH
Next Post

Taravari: Komuna e Gostivarit e mbyll vitin 2020 me mbi 100 projekte të realizuara

Në fund të vitit fiskal 2020, Komuna e Gostivarit ka arritur sukses në shpenzimin dhe menaxhimin e financave publike pa shqetësime, edhe përskaj pandemisë. Kjo ka ndodhur falë punës efikase të të gjithë administratës komunale dhe stafit tjetër mbështetës, të cilët kanë arritur të kryej me efikasitet punët rreth aspektit […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: