Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

ASH: Reagim – lojrat e fatit

2 min read

Aleanca për Shqiptarët njofton opinionin se për ne prioritet është jeta, shëndeti dhe situata ekonomike e qytetarëve, veçanërisht kur bëhet fjalë në raport me bizneset që nuk kanë produktivitet dhe nuk sjellin dobi për shoqëri.


Asociacioni i organizatorëve të lojrave të fatit në reagimin e tyre paskan shprehur shqetësimin se vendi nuk ka hotele me pesë yje. Në radhë të parë kjo informatë nuk është e saktë dhe rezulton se ata nuk e dinë çfarë është hotel me pesë yje. Edhe po të jetë kështu, ne vlerësojmë se nëse ata duan të ushtrojnë veprimtarinë e tyre, përveç që këtë duhet ta bëjnë larg vendbanimeve dhe institucioneve, ata duhet edhe të rikthejnë në investime, qindra milionat që marrin nga qytetarët.

Këtë mund ta bëjnë më së miri duke investuar në hotele me pesë yje. Kështu do të zgjedhin edhe “problemin” me 10 mijë të punësuar që pretendojnë se do të ngelen pa punë, duke i punësuar të njëjtit në hotele me pesë yje.

Argumenti tjetër ishte se shteti përfiton nga 280 milionë euro në vit. Nëse këtë e llogarisim se buron nga 18% TVSH atëherë rezulton se pronarët e lojrave të fatit paskan të ardhura mbi 1 miliardë euro në vit. Kjo nga ana tjetër tregon se nga sa para të pastra marrin ata nga qytetarët pa asnjë kthim në formë investimesh apo forma të tjera. Një miliardë euro janë më se të mjaftueshme për të investuar në hotele me pesë yje dhe një mundësi e mirë që përmes hotelierisë dhe turizmit, në një mënyrë më të dobishme të fitojmë edhe ata edhe shteti e qytetarët. Dhe për fund, nëse nuk duan të investojnë dhe nëse nuk do ketë hotele me pesë yje, le të mbyllen edhe bastoret dhe kazinot dhe 1 miliardë euro le të mbeten tek qytetarët dhe të konsumohen për qëllime më të dobishme.