Ekskluzive/ Zadorizhniuk: Rusia do të përgjigjet një ditë për krimet e luftës ndaj popullit të Ukrainës

vull

Intervistë ekskluzive me ambasadoren e Ukrainës në Maqedoni, Natalija Zadorizhniuk

RUSIA DO TË PËRGJIGJET NJË DITË PËR KRIMET E LUFTËS NDAJ POPULLIT TË UKRAINËS

Të kënaqur me mbështetjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut. – Bota i qëndroi pas Ukrainës permes ndihmës humanitare dhe përkrahjes ushtarake. – Ne tashmë një muaj po luftojmë kundër të ashtuquajturës ushtri të dytë më të forte në botë…dhe do të fitojmë. – Bashkësia e vogël etnike shqiptare, që numëron nga 5.000-10.000 banorë, në Ukainë jeton qe dy shekuj dhe i ruan traditat e veta. Edhe ata, në një pjesë të vendit, janë të rrezikuar si të gjithë popujt të tjerë që jetojnë në Ukrainë.

Shkup, 24 mars – Para një muaji, më 24 shkurt, presidenti rus dha urdhër për të ashtuquajturin “operaciona special” për “demilitarizim dhe denacifikim” të Ukrainës, dhe përtej të gjitha pritjeve, forcat ruse hasën në përgjigje të fuqishme të forcave dhe popullit të Ukrainës. Me këtë rast, indeks.mk zhvilloi një intervistë me ambasadoren e Ukrainës, Natalija Zadorzhniuk, e cila, për shkak të situatës, pyetjeve tona iu përgjigj me shkrim, për çka ne e mirëkuptojmë dhe falënderojmë shumë.

Indeks:Shkëlqesia juaj, si e vlerësoni situatën aktuale në Ukrainë, a ka ndonjë shpresë për ndalimin e pushtimit?

Zadorzhniuk: Regjimi fashist rus deklaroi se do të pushtojë Ukrainën për disa ditë, ndërsa Kievin për disa orë. Ne po luftojmë një muaj dhe do të luftojmë me të ashtuquajturën ushtri të dytë më të fortë në botë. Ne jemi në vendin tonë dhe po e mbrojmë shtetin tonë nga okupatorët.

Ukraina gjithmonë ka qenë për negociata, sepse vendi ynë po shkatërrohet, sepse njerëzit tanë po vdesin, sepse fëmijët tanë po i vrasin. Por këto duhet të jenë negociata, jo lëshime nga njëra anë. Kërkesat tona në negociata janë fundi i luftës, tërheqja e plotë e forcave okupatore nga territori ynë dhe garancia për sigurinë e Ukrainës.

Indeks: Si e vlerësoni mbështetjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut në nivel politik por edhe praktik?

Zadorzhniuk: Ne i jemi mirënjohës Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e qartë të Ukrainës, si në nivel të Qeverisë po ashtu edhe në nivel të Parlamentit, partive politike, organizatave joqeveritare, mediumeve udhëheqëse dhe shoqërisë civile. Do të doja të falënderoja veçanërisht biznesin tuaj dhe sektorin tuaj financiar për organizimin e ndihmës humanitare për Ukrainën. E gjithë shoqëria juaj joindiferente i është përgjigjur hallit tonë. Lajmërohen njerëz të zakonshëm, vijnë në ambasadë dhe ofrojnë t’i strehojnë njerëzit tanë që ikin nga lufta. Ne jemi shumë mirënjohës. Ukrainasit nuk e harrojnë kurrë të mirën.

Indeks: Bota po solidarizohet me Ukrainën, më së shumti përmes pranimit të refugjatëve… A jeni të kënaqur me solidaritetin e shprehur të vendeve që kanë pranuar mijëra refugjatë?

Zadorzhniuk: Po. Bota ka treguar solidaritet me Ukrainën. Shohim, në veçanti, si reagon Bashkimi Evropian. BE-ja u jep të drejtën qytetarëve ukrainas të jetojnë, të punojnë, të fitojnë përkujdesje shëndetësore, vendbanim dhe arsimim menjëherë në afat kohor prej 1 viti, pa pasur nevojë të kalojnë nëpër procedura të gjata azili. Nëse lufta zgjatë më shumë ose refugjatët nuk mund të kthehen të sigurt, ky status mund të zgjatet edhe për dy vite të tjera.

Ne, si dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut, kemi 90 ditë qëndrim pa viza në BE, por ky ndryshim i paprecedentë në legjislacionin e BE-së i garanton statusin e qytetarëve ukrainas pas kësaj periudhe.

“Evropa qëndron pranë atyre që kanë nevojë për mbrojtje. Të gjithë që ikën nga bombat e Putinit janë të mirëseardhur në Evropë. Do t’u sigurojmë mbrojtje atyre që kërkojnë azil dhe do t’ju ndihmojmë atyre që kërkojnë udhëtime të sigurta në shtëpi”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian Ursula Fon Der Lajen.

Indeks: Është e qartë se mbështetja e vendeve perëndimore nuk është ajo çfarë prisnit?… Çfarë mund të ofronin më shumë BE-ja, SHBA-të dhe NATO, e që të mos shkaktonin kërcënime çfarë i dëgjuam nga Rusia për përdorimin e armëve bërthamore? A shpresoni ende që NATO dhe vendet e saj mund të përfshihen drejtpërdrejtë në këtë konflikt?

Zadorzhniuk: Jo. Nuk është ashtu. Ne shohim mbështetje të paparë nga bota. Futja e sanksioneve jashtëzakonisht të ashpra, të cilat vetëm sa do të intensifikohen. Sigurimi i Ukrainës me armë për të luftuar kriminelët, izolimi i plotë i vendit agresor, tërheqja e kompanive kryesore nga Rusia. Bashkëpunimi si ekonomik dhe humanitar me vendin agresor, po bëhet ngulfatëse. Nuk duan t’i shohin askund në botë – as në fusha kulturore dhe as sportive. Ata duhet të paguajnë për krimet kundër njerëzimit, vrasjen e civilëve, vdekjen e fëmijëve të pafajshëm. Dhe për të ndaluar këta kriminelë, presioni duhet të rritet dhe të intensifikohet. Gjë, të cilën dhe po bën bota në të vërtetë.

Indeks: Është gjithnjë e më e sigurt se kompromisi do të jetë një lloj neutraliteti i Ukrainës, por çfarë do të ndodh me territoret e pushtuara, Krimenë dhe republikat separatiste? Çfarë do të thotë në praktikë për ju kompromisi me të cilin do të ishin të kënaqura të dyja palët?

Zadorzhniuk: Le te jemi të sinqerte. Askush nuk do t’ju tregojë tani se çfarë do të ndodhë jo vetëm në planin afatgjatë, por edhe në atë afatmesëm. Bota po ndryshon kaq shpejt. E vetmja gjë që mund të thuhet është se kjo luftë brutale e Federatës Ruse, ky terror i regjimit rus dhe rezistenca heroike e popullit krenar ukrainas, tashmë kanë ndryshuar rrënjësisht arkitekturën ekzistuese të sigurisë së botës, e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Duhet të funksionojnë mekanizmat ligjorë, duhet të ketë forcë të së drejtës, jo të drejtën e forcës. Demokracitë në botë duhet të bashkohen, të zhvillojnë mekanizma të rinj sigurie për luftë efikase kundër regjimeve autokratike, tiranike. Regjime të tilla nuk kanë të drejtë të ekzistojnë në shekullin e 21-të.

Indeks: Ju si shtet keni thënë shumë herë se Rusia do të mbajë përgjegjësi për krimet e luftës. Por mendoni se kjo është e mundur? Si?

Zadorzhniuk: Kjo jo vetëm që është e mundur, por ne jemi të bindur se kjo dhe do të ndodhë. Patjetër duhet të ketë çmimin më të lartë për krimet kundër njerëzimit. Një krim lufte është shkelje e ligjeve ose zakoneve të luftës, vrasje dhe torturë, shkatërrim ose përvetësim i pronës pa nevojë ushtarake, rekrutim I territoreve të pushtuara, zhvendosje ilegale e civilëve, sulme ndaj objekteve civile. Në të drejtën ndërkombëtare, krimet e luftës qëndrojnë shumë pranë krimeve të tilla si gjenocidi, agresioni, krimet kundër njerëzimit.

Gjykata Ndërkombëtare Penale është një mekanizëm për Ukrainën për të sjellë para drejtësisë udhëheqjen më të lartë politik edhe ushtarakët e Rusisë në nivel ndërkombëtar.

Veprimet e Federatës Ruse në territorin e Ukrainës u përkasin krimeve të luftës, duke përfshirë vrasjen e civilëve, përdorimin e armëve të ndaluara, sulmet ndaj objekteve që përbëjnë një kërcënim të konsiderueshëm për mjedisin, granatimet e autokolonave humanitare, rekrutimin në territoret e pushtuara, etj.

Indeks: Për ne, Ukraina është interesante edhe për bashkësinë e vogël etnike shqiptare në Priazovje dhe afër pranë Izmailit… Si është situate në këto vise për momentin?

Zadorzhniuk: Bashkësia shqiptare ekziston në territorin e Ukrainës që nga fundi i shek. XVIII në rajonin e Odesës dhe Priazovjes.

Fshati më i njohur shqiptar në Ukrainë është Karakurti, i cili gjendet në afërsi të Bolgradit, rajoni i Odesës. Fshati shënoi 210 vjetorin e tij në vitin 2021. Këtu flitet shqip dhe respektohen traditat shqiptare. Çdo vit më datë 6 maj, shqiptarët nga Ukraina festojnë ditëlindjen e heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti – Skenderbeu.

Sipas regjistrimit të vitit 2001, në Karakurt jetonin deri në 3000 njerëz, nga të cilët 1725 ishin shqiptarë, gjegjësisht ata që e identifikonin veten si shqiptarë dhe flisnin gjuhën shqipe.

Ukrainasit dhe shqiptarët kanë respektuar gjithmonë njëri-tjetrin, kanë jetuar në paqe dhe kanë ndarë së bashku të gjitha hallet e sistemit stalinisto-sovjetik. Shumë shqiptarë të Ukrainës ranë viktimë e urisë që u organizua nga sovjetikët. Në vitet 1932-1933, në fshatin Divnenskoe(shqiptarët e quajnë edhe Taz-vër.jonë) të Priazovjes vdiqën rreth 500 shqiptarë, ndërsa në vitin 1946-1947 pati viktima të shumta në Besarabi, veçanërisht pati viktima të shumta në rrethin e Bollgradit. Si rrjedhojë, bashkësia tashmë e vogël shqiptare është zvogëluar ndjeshëm si pasojë e këtyre akteve të tmerrshme të gjenocidit.

Sipas vlerësimeve të ndryshme, bashkësia moderne e shqiptarëve të Ukrainës numëron nga 5.000 deri në 10.000 njerëz. Përveç fshatrave Besarabia dhe Priazovje, shqiptarët po ashtu jetojnë edhe në qytetet e Odesa, Izmail, Kijiv, Harkiv dhe të tjera.

Për sa i përket situatës aktuale të sigurisë, është relativisht e sigurt për shqiptarët që jetojnë në Karakurt. Por, gjendja është jashtëzakonisht e vështirë dhe e rrezikshme për ukrainasit, grekët, shqiptarët dhe kombësitë e tjera që jetojnë në Priazovje.

Fashistët rusë jo vetëmqëbombardojnëcivilë, fëmijë, pushtojnë qytetet dhe fshatrat tona, ata nuk po lejojnë që refugjatwve tu sigurohen korridore “të gjelbërta” humanitare,ata po evakuojnë me force njerëzit në territorin rus. Ajo që Rusia po bën tani në Ukrainë është edhe më e keqe se ajo që bënë fashistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Next Post

Unë “Shqiptari i mirë, i vdekur a gjallë”!!!

Shkruan: Naser Pajaziti Mirëmëngjesi nga “unë shqiptari i mirë, shqiptar i vdekur” , kështu e përshëndeta një shitës maqedonas, me të cilin njihem moti. “Ma pa me habi se çfarë është kjo, por ja ktheva se jam i nxitur nga thirrjet e mbrëmshme të disa grupeve të tifozëve të komunitetit […]

Subscribe US Now