Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Elmi Aziri, deputet dhe Sekretar Organizativ i ASH-së: Çmimi i energjisë elektrike në RMV shumë më i lartë se në Shqipëri e Kosovë (mbi 50%)

5 min read
Këto ditët e fundit, eksponentë të qeverisë aktuale, kryetari i KRRE si dhe drejtori gjeneral i Elektranave të Maqedonisë së Veriut, janë shumë të zëshëm në mjetet e informimit të opinionin publik, duke na kujtuar që do të ballafaqohemi me një dimër të vështirë lidhur me furnizimin me energjinë elektrike dhe me gaz, por njëkohësisht nga ana tjetër na premtojnë se pavarësisht vështirësive nuk do të kemi kufizime. Ky qëndrim me kalimin e kohës mund të ndryshojë,  pra do të shohim se a do të realizohet apo jo, pasi po të njëjtët eksponentë trumbetonin e dërdëllisën me muaj të tërë se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike,  por realiteti është krejtësisht tjetër .
Siç jeni të njohur nga 01.07.2022 në RMV kanë hyrë në fuqi zbatimi i çmimeve të reja për furnizim me energji elektrike , e për të pasqyruar në realitet se sa është kjo rritje po ju sjellim fakte se sa janë faturat për të njëjtën kategori konsumuese e për të njëjtën sasi energji elektrike të konsumuar ne RMV, në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë . Të dhënat janë pa TVSH        ( tatimin mbi vlerën e shtuar), pasi në secilin shtet aplikohet norma të ndryshme dhe pa vlerën e ndriçimit publik.
Kategoria konsumuese familjarë
Për një konsum të energjisë elektrike në tarifën e lartë prej 1200 kWh dhe në tarifën e ulët prej  650 kWh për këtë kategori, konsumatorët e Kosovës do paguajnë 150,19 euro, konsumatorët e Shqipërisë 148,94 euro ndërsa konsumatorët në RMV do paguajnë 225,14 euro .
Siç shihet dallimi ( ndryshimi ) është shumë i lartë , pra konsumatorët familjarë në RMV do të paguajnë diku mbi 50% më shtrenjtë energjinë elektrike se konsumatorët familjar në Kosovë e Shqipëri .
Kategoria konsumuese biznesi i vogël
Për një konsum të energjisë elektrike në tarifën e lartë prej 5500kWh dhe në tarifën e ulët prej 2500 kWh për këtë kategori, konsumatorët e Kosovës do paguajnë 1030 euro, konsumatorët e Shqipërisë 1047 euro ndërsa konsumatorët në RMV do paguajnë 2083 euro .
Në këtë kategori dallimi ( ndryshimi ) do të jetë edhe më i lartë, pra bizneset e vegjël në RMV do të paguajnë afërsisht mbi 100 % më shtrenjtë energjinë elektrike se bizneset në Kosovë e Shqipëri .
E njëjta gjendje është edhe në kategoritë e tjera konsumuese të nivelit të mesëm e të lartë të tensionit.
Këto rritje të çmimit të energjisë elektrike në RMV do të vënë në vështirësi një pjesë të madhe të bizneseve të industrive prodhuese, pasi do të  paguajnë një kosto të lartë për të, çka do të reflektohet tek kostoja e prodhimit e në vazhdim me efekt zinxhir edhe te kostoja e produkteve të tregut të konsumatorëve.
Qytetarë të nderuar e të respektuar,  ky është realiteti i hidhur që na e ka pregatitur kjo qeveri e ky KRRE, pas disa ditëve në duart tuaj , nga papërgjegjshmëria, joprofesionalizmi e keq menaxhimi  që i karakterizon këta eksponentë qeveritar , do të keni fatura të energjisë elektrike në vlera shumë të larta . Dikush do mundohet të justifikohet se çmimet e larta janë si pasojë e krizës ekonomike e energjetike, por jo të nderuar konsumatorë pasi krizë ekonomike e energjetike ka edhe në Kosovë e Shqipëri,  por ndryshimi është pikërisht te fakti se me resurset energjetike në RMV udhëheqin figura politike, të pa aftë e të pa përvojë që të menaxhojnë me resurset energjetike të vendit .
Një faktor tjetër që ndikoi në rritjen në nivele të kaq të larta të energjisë elektrike,  është edhe dështimi total i disa qeverive me radhë në RMV që nuk ndërmorën asnjë hap për të investuar në fushën e energjetikës .
Aty kah viti 2010 u planifikua ndërtimi i disa hidrocentraleve të reja në përputhje me strategjinë për zhvillim në sferën e energjetikës . U planifikua ndërtimi i hidrocentraleve të :
Sveta Petka me fuqi instaluese 36,4 MW
Galishtë me fuqi instaluese 193,5 MW
Gradec me fuqi instaluese 54,6 MW
Çebren me fuqi instaluese 333 MW
Boshko Most me fuqi instaluese68,2 MW
por duke i parë këto strategji nga perspektiva e sotme, vetëm hidrocentrali Sveta Petka është përfunduar dhe është lëshuar në përdorim, ndërsa projektet e tjera as që kanë filluar të ndërtohen .
Në fushën e energjetikës planifikimi duhet të jetë afatgjatë e detyrimisht rezultatet nuk vijnë mbrenda natës, apo vetëm gjatë një periudhe të një cikli zgjedhor .Për fat të keq ,qeveritë në RMV planifikojnë me këtë mendësi të menaxhojnë me resurset energjetike në vend, por efektet e kësaj mendësie janë katastrofale.
ASH propozon që për të zbutur efektet negative të rritjes të çmimit të energjisë elektrike, qeveria e RMV duhet që të shtojë detyrimisht kapacitetet prodhuese në vend të energjisë elektrike, të shoqëruara këto me lehtësira ligjore për investitorët në aspektin fiskal si dhe lehtësira të procedurave burokratike.
ASH ndan mendimin se duhet ndërtuar strategji për të shfrytëzuar diellin dhe erën për prodhuar energji elektrike, si dhe të shihet mundësia e kombinimit të prodhimit të energjisë elektrike .
Kombinimi i prodhimit të energjisë elektrike nga dy burime të rinovueshme të saj, siç janë dielli dhe uji është një mundësi shumë e mirë për të garantuar rritjen e eficiencës në prodhim dhe për të rritur sigurinë e furnizimit të vendit me energji elektrike.
Kombinimi i prodhimit nga burimet hidrike me ato diellore është një mundësi shumë e mirë për vendin tonë. Gjatë muajve të verës, prodhimi i energjisë nga impiantet fotovoltaike do të jetë më i lartë për shkak të rrezatimit. Kjo do të sillte një kontribut më të lartë të këtyre impianteve në plotësimin e kërkesës për energji elektrike në vend, e cila do të sillte edhe përdorim më të ulët të rezervës hidrike në këtë periudhë.
Por për tu realizuar këto projekte, fillimisht duhet shkarkuar nga funksionet i gjithë bordi drejtues i komisionit rregullator të energjisë si dhe bordi drejtues i Elektranave të Maqedonisë së Veriut,  dhe në vend të tyre të vendosen të udhëheqin me këto dikasterë kuadër e ekspertë të mirëfilltë e të dëshmuar të energjetikës e ekonomisë.