Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Kasami: Komisioni i vlerësimit të dëmeve të informojë qytetarët për numrin e telefonit ku duhet të paraqesin dëmet

3 min read
Shtabi i krizës i komunës së Tetovës, i kryesuar nga kryetari i komunës, Bilal Kasami, në mbledhjen e sotme ku ishin të pranishëm përfaqësues të QMK-së, të Policisë, të Zjarrfikësve, të Kryqit të Kuq, të Drejtorisë së Menaxhimit të Ujërave, të Drejtorisë së Mbrojtjes dhe të Shpëtimit, si dhe përfaqësues të tjerë, diskutoi për situatën në rajonin e Tetovës dhe hapat që duhet të ndërmerren për të meremetuar dëmet e shkaktuara nga shiu rrëmishtë.
Kryetari i Shtabit të krizës, përkatësisht edhe i komunës së Tetovës, Bilall Kasami u kërkoi sqarime përfaqësuesve të institucioneve për gjendjen e krijuar dhe ku nevojiten ndërhyrje të menjëhershme.
Kasami theksoi se që NPK “Tetova” Tetovë dhe NJTKZ Tetovë në bashkëpunim me kontraktorët e shërbimeve të ndërhyjnë menjëherë në pikat kritike.
Komisioni i vlerësimit të dëmeve të informojë qytetarët për numrin e telefonit ku duhet të paraqesin dëmet, si dhe për procedurën e dorëzimit të kërkesave.
Ai gjithashtu theksoi se bashkë me NPK “Tetova” Tetovë, të dilet në teren dhe të zgjidhet mënyrën e menjëhershme të zgjidhjes së problemeve të shfaqura. Në lidhje me vendimin e Shtabit të krizës, kryetari Bilall Kasami kërkoi që pas përfundimit të mbledhjes, i njëjti të përpilohet dhe të nënshkruhet nga të gjithë, që pastaj të dorëzohet në Qeverinë e RMV-së.
Kasami theksoi se do të jenë në koordinim dhe varësisht situatës së krijuar, mund që të caktohet edhe një mbledhje gjatë ditës së sotshme.
Shtabi i krizës miratoi këto përfundime:
1. Të ndërhyhet në Reçicë të Vogël në rr. “171”, “146” dhe te rruga e UÇK-së.
2. Ndërmarrja e Ekonomizimit të Ujërave të mbyllë portat e kanaleve të ujitjeve.
3. Pastrimi i rrugëve ku ka prurje të dheut, të gurëve dhe të gjithë rrugët e tjera.
4. Pastrimi i lumenjve në Poroj, Reçicë të Vogël, Shipkovicë si dhe pastrimi i kanaleve në fshatrat e komunës së Tetovës
5. Të gjithë hyrje-daljet në qytet, përkatësisht nënkalimet te “Monopoli”, në lagjen “Dardania” dhe në rrugën për në f. Falisht, të pastrohen dhe të ndërmerren veprime të nevojshme që të mos shfaqen probleme të tjera sepse përsëri mund të kemi të reshura.
6. DMSH-ja të vazhdojë pastrimin në fshatin Xhermë.
7. Po ashtu nga ekipet kompetente do të bëhet larja dhe dezinfektimi i rrugëve dhe i objekteve ku ka depërtuar uji.
8. Sipas ISHP-së uji për pije në Tetovë është në rregull. Fatmirësisht indeksi i ndotjes së burimeve të ujit për pije në Leshnicë është në suaza të normales dhe nuk ka asnjë problem në këtë drejtim.
9. Komisioni i vlerësimit të dëmeve të koordinohet dhe të dalë në teren për të vlerësuar dëmet.
10. Të gjithë qytetarët të cilët kanë pësuar dëme nga përmbytjet dhe kanë nevojë për ndihmë mund të drejtohen në Komunën e Tetovës, përkatësisht në Arkivin e Komunës, nga sot 23.8.2022 (e martë) deri më 26.8.2022 (e premte). Përveç plotësimit të formulimit, pala me vete duhet të ketë:
1. Kopje të letërnjoftimit ose të pasaportës
2. Kopje të llogarisë bankare
3. Dëshmi, fotografi nga vendi ku janë shkaktuar dëmet si pasojë e fatkeqësisë natyrore.