Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Kryeministri Zaev me misionin e FMN-së: Lëvizje pozitive në ekonominë, viti 2021 është vit i rritjes stabile ekonomike

2 min read

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, mbajti takim online me Shefen e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar  (FMN) në vendin tonë, Bergljot Bjornson Barkbu, përfaqësuesen e përhershme të FMN-së për Ballkanin Perëndimor , Stefani Eble dhe ekonomistët e FMN-së në Uashington.

Në takim u diskutua për perspektivat e rritjes ekonomike në vend në përputhje me bisedimet e mbajtura nga misioni i FMN-së në dhjetë ditët e fundit. Në fokus ishte politika monetare dhe fiskale, si dhe plani investues  dhe strategjia  fiskale afatmesme.

Kryeministri Zaev theksoi se vlerëson shumë bashkëpunimin me FMN-në dhe të gjitha rekomandimet që kanë për qëllim  progresin e vazhdueshëm ekonomik dhe krijimin e një ambienti të favorshëm afarist. Ai iu referua përpjekjeve dhe masave të deritanishme të Qeverisë për ballafaqimin  me efektet e pandemisë, të cilat dhanë rezultate të mira, mbështetën ekonominë, vendet e punës, si dhe kategoritë e cenueshme të qytetarëve. Në takim, Kryeministri Zaev informoi  edhe për trendet pozitive në vend të cilat sinjalizojnë stabilizimin e ekonomisë, forcimin e besimit tek investitorët, si dhe rritjen e eksporteve, prodhimit industrial, tregtisë së brendshme, si dhe pagës mesatare mujore neto të paguar .

Lidhur me projeksionet për rritjen ekonomike, Kryeministri Zaev informoi se në pajtim me parashikimet e Qeverisë, rritja ekonomike do të mbetet në 4.1% për vitin 2021, e cila është në linjë me projeksionet e FMN-së prej 3.8%, Bankës Popullore prej 3.9% dhe Komisionit Evropian prej 3.7 %.

Kryeministri Zaev nënvizoi se përpjekjet e Qeverisë janë përqendruar maksimalisht drejt  zhvillimit ekonomik me fokus në tranzicionin e energjisë, investimet në burime të rinovueshme, gazifikimin. Takimi u diskutua gjithashtu edhe për përfitimet e anëtarësimit në NATO, që është sinjal pozitiv për investitorët, pasi që rrit parashikueshmërinë dhe sigurinë e mjedisit të biznesit për investime të reja që janë njoftuar tashmë në vend.

Në takim u konkludua gjithashtu se me lehtësimin  e pandemisë dhe vaksinimin  masiv i japin një stimul të fortë ekonomisë për t’u kthyer në shtigjet e rritjes ekonomike.