Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Marrëveshja me BERZH-in për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë, faza e dytë

2 min read
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, së bashku me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Dejvid Gir dhe përfaqësuesin e BERZH-it në vend, Andi Aranitasi, nënshkuan Marrëveshjen për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë, e cila është një nga prioritetet më të rëndësishme të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me nënshkrimin e Marrëveshjes hapet mundësia për realizimin konkret të projektit.
Autostrada Shkup – Bllacë për shkak të rëndësisë së saj të jashtëzakonshme është gjithmonë në sferën e interesit të publikut të gjerë dhe pikërisht për këtë është i një rëndësie të jashtëzakonshme nënshkrimi i Marrëveshjes me BERZH-in, i cili i referohet nënsegmentit të Autostradës A4 të rrjetit të transportit trans-europian TEN-T, me gjatësi prej rreth 10 kilometra që përfshihet në nyjen rrugore Bllacë në afërsi të pikës kufitare me Republikën e Kosovës deri në Shkup, gjegjësisht deri në nyjen rrugore Stenkovec.
“Pas procedurës së sukseshme të negocimit me Bankën Evropiane, arritëm të sigurojmë një kredi me vlerë prej 167 milionë euro, dhe grante prej 27 milionë euro, që do të thotë se gjithsej për këtë segment rrugor siguruam mjete në vlerë prej 194 milionë euro. Me këtë kredi do të mbyllet plotësisht konstruksioni financiar për ndërtimin e 10 kilometrave të dyta. Zgjidhja e parashikuar e autostradës do të ketë dy korsi rrugore, secila me nga dy korsi trafiku me gjerësi prej 3.5m dhe me nga një korsi për ndalim prej 2.5m. Gjerësia totale e projektuar e autostradës do të jetë rreth 27.5 m”, deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore Ejup Rustemi, pas nënshkrimit të Marrëveshjes.
Me sigurimin e kësaj kredie dhe ndërtimin e autostradës, dukshëm koha e udhëtimit do të shkurtohet, do të përmirësohet siguria në trafik, do të ulen kostot e mirëmbajtjes së automjeteve. Do të rehabilitohet edhe rruga ekzistuese, e cila do të shërbejë si rrugë alternative, për të cilën tashmë është nënshkruar një marrëveshje me Kontraktorin për rehabilitim të saj.