Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Në UT u promovua libri “E drejta ndërkombëtare private – pjesa e posaçme” e autorëve Prof. Dr. Asllan Bilalli, Prof. Dr. Hajredin Kuçi dhe Doc. Dr. Arbër Ademi

4 min read

Në Universitetin e Tetovës, sot u promovua libri “E drejta ndërkombëtare private – pjesa e posaçme” e autorëve: Prof. Dr. Asllan Bilalli, Prof. Dr. Hajredin Kuçi dhe Doc. Dr. Arbër Ademi.

Në promovimin e kësaj vepre të pranishëm ishin një numër i madh personalitetesh nga sfera të ndryshme, në mesin e të cilëve edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, rektori i UT-së Prof. Dr. Reshat Qahili, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së Maqedonisë së Veriut Artan Grubi, kryetari i Senatit të UT-së Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, prorektorët e UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Prof. Dr. Shefik Shehu, sekretari i përgjithshëm Adem Beadini, ministra, deputetë, kryetarë komunash, drejtorë të drejtorive të ndryshme, profesorë të fushës së drejtësisë, prokurorë, gjykatës, si dhe studentë të Universitetit tonë.

Libri që u promovua sot analizon marrëdhëniet juridiko-private, me element të huaj në aspektin teorik, legjislativ si dhe atë krahasimtar. Ky libër, para se gjithash u dedikohet studentëve të Fakultetit Juridik dhe të gjithë atyre që në forma dhe mënyra të ndryshme ndeshen me marrëdhëniet juridike-private me element të huaj. Gjithashtu, mund ta shfrytëzojnë edhe juristët, të cilët i aplikojnë në praktikë institutet dhe rregullat e kësaj dege të së drejtës.

Në emër të Universitetit të Tetovës të pranishmëve mirëseardhje në këtë promovim iu uroi dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Qebir Avziu. Ai tha se nuk ka punë më fisnike dhe më të ndershme se sa të shkruash libër. Sipas tij, të bartësh njohuritë dhe dituritë prej një brezi në brezin tjetër, kjo është një punë hyjnore. “Ne si popull kemi pasur shumë ngjarje të rëndësishme dhe shumë figura të rëndësishme, por kemi pasur një anomali në historikun tonë, pak kemi shkruar dhe si rezultat i kësaj këto ngjarje dhe këto persona, figura të rëndësishme, me kalimin e kohës janë zbehur, janë zhdukur ose janë përvetësuar nga popuj të tjerë, prandaj profesori i nderuar që njëherit është edhe recensent i këtij libri, profesor Faik Brestovci, i cili sot nuk është i pranishëm këtu, ka qenë edhe profesori im në Fakultetin Juridik në Prishtinë, thoshte që lapsi i zbehtë është më i fuqishëm se çdo memoria në këtë botë, dhe me të vërtetë ashtu është. Ajo që hidhet në letër mbetet, ndërsa ajo që mbahet mend, me kalimin e kohës harrohet. I falënderoj profesorët për punën që e kanë bërë, sepse ky libër është mjaft i rëndësishëm në Fakultetin Juridik, ku është një nga lëndët bazë e drejta ndërkombëtare private (pjesa e posaçme) dhe deri tani ka qenë një vakum, një zbrazëtirë e madhe dhe me këtë libër, tani do të plotësohet kjo, që është një miradije e madhe në duart e studentëve”, tha dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Qebir Avziu.

Recensentët e librit janë: Prof. Dr. Faik Brestovcin dhe Prof. Dr. Toni Deskoski. Sipas recensentit Prof. Dr. Toni Deskoski, libri është mjaftë i nevojshëm për kohën që jetojmë, duke e parë se dekadave të fundit dukshëm vërehet zhvillimi intensiv i marrëdhënieve juridike-private me element të huaj, e posaçërisht të së drejtës ndërkombëtare private në kuadër të Bashkimit Evropian. Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut, si shtete pretendente për t’u anëtarësuar nuk janë të detyruar që DNP-të e tyre t’i harmonizojnë me të drejtën e Bashkimit Evropian. Megjithatë, është e dobishme që me kohë të drejtat nacionale të përshtaten me të drejtën e Bashkimit Evropian, për arsye se nga momenti i anëtarësimit ajo e drejtë do të jetë pjesë integrale e sistemeve juridike edhe të këtyre shteteve.

Ndërsa autorët e këtij libri, Prof. Dr. Asllan Bilalli, Prof. Dr. Hajredin Kuçi dhe Doc. Dr. Arbër Ademi, në fjalimet e tyre theksuan se kanë bërë përpjekje maksimale që në këtë libër për herë të parë në histori ta përpunojnë të drejtën ndërkombëtare private të Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur, demokratik dhe ndërkombëtarisht i pranuar. Analizohen të gjitha burimet nacionale dhe ndërkombëtare që përmbajnë dispozita me të cilat rregullohen marrëdhëniet juridike-private me element të huaj, duke e aplikuar metodën krahasimtare juridike. Gjithashtu, në mënyrë krahasimtare janë analizuar burimet juridike (nacionale dhe ndërkombëtare), dhe koncepcionet e doktrinës juridike nga kjo lëmi.