Në UT u promovua vepra “Shqiptarët e Maqedonisë dhe ardhmëria e shtetit” e autorit Mahi Nesimi

vull

Në Universitetin e Tetovës, më 24 tetor 2019, u përurua vepra “Shqiptarët e Maqedonisë dhe ardhmëria e shtetit” e autorit Mahi Nesimi. Kjo vepër përbëhet nga 14 kapituj dhe ofron një qasje të re dhe të ndryshme për turbulencat në skenën politike të Maqedonisë së Veriut.

Sipas Prof. Dr. Jusuf Zejneli, libri “Shqiptarët e Maqedonisë dhe ardhmëria e shtetit” në mënyrë taksative trajton tema të veçanta, të cilat ndërlidhen me zhvillimet konkrete të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut. “Në këtë vepër autori prezanton zhvillimet pas konfliktit të vitit 2001, raportet mes komuniteteve dhe rolin e Bashkimit Evropian, po ashtu janë përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, respektivisht përparësitë dhe mangësitë, sfidat e zbatimit praktik dhe në veçanti analizon votimin e dyfishtë ose parimin e Badinterit në kuvend”, u shpreh Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Recensenti i librit, Prof. Dr. Hasan Jashari tha se në këtë vepër çdonjëra nga kaptinat i ka karakteristikat e veta. “Libri meriton kujdes të posaçëm, meqë edhe pse i ndarë në disa kaptina, megjithatë ato në esencë paraqesin një tërësi dhe e prezantojnë gjendjen e përgjithshme që i ka dominuar dhe i dominon zhvillimet në vend. Ato na japin një pasqyrë reale të gjendjes së sotme jo të mirë, posaçërisht të shqiptarëve, ashtu siç e dimë dhe e përjetojmë. Materia që përpunohet është një literaturë plotësuese, e cila do të jetë ndihmesë në shërbim të pushtetarëve, politikanëve aktivë dhe partive politike”, theksoi Prof. Dr. Hasan Jashari.

Autori i librit, Mahi Nesimi në fjalën e tij drejtuar pjesëmarrësve në këtë promovim theksoi se kanë qenë disa faktorë kyç që e kanë nxitur atë deri në botimin e kësaj vepre. “E gjithë kjo ka nisur nga klima e përgjithshme shoqërore që zotëron ambientin aktual politik, qasja sipërfaqësore ndaj dukurive dhe lëvizjeve politike, mungesa e formësimit patriotik e politik, të gjitha këto pashmangshëm do ta bëjnë të veten dhe do të ndikojnë që intelektuali i mirëfilltë të mos kuptohet mirë e drejtë kur paraqitet nga pozitat reale objektive dhe shkencore”, potencoi autori i librit, Mahi Nesimi.

Vepra në fjalë, veç tjerash paraqet një gjurmë të fuqishme për ndodhitë e kohës dhe do të shërbejë si një bazë solide dhe serioze për studimet e kësaj fushe në të ardhmen.

Next Post

Prof. Dr. Berton Sulejmani mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës

Prof. Dr. Berton Sulejmani mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Studimet albanistike në Itali”, të cilën e organizoi Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Punimet e konferencës u zhvilluan më 22 dhe 23 tetor 2019 dhe morën pjesë me kontributet e tyre shkencore rreth 50 referues nga Kosova, […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: