Nuredini nga Selaniku: Është e domosdoshme të investohet në energji të gjelbër dhe të qëndrueshme

Blerand Rexhepi

Për të shpjeguar rëndësinë e investimit në energji të qëndrueshme dhe të gjelbër, Ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor të Maqedonisë Veriore, Naser Nuredini gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin energjetik për Europën Juglindore në Selanik, bëri një krahasim midis Pandemisë dhe ndryshimit klimatik, duke thënë se sapo të gjendet vaksina, kriza me Covid-19 do të kapërcehet, por ndryshimi i klimës është diçka për të cilën nuk ka kthim prapa.

“Ideja që duhet të investojmë më shumë në energji të gjelbër dhe të qëndrueshme është e domosdoshme sepse sa më larg që të shkojmë, aq më të vogla janë shanset për të përmbysur ndryshimin e klimës, kështu që sektori i energjisë është shumë i rëndësishëm”, tha Nuredini.

Ministri Nuredini, së bashku me homologët e tij nga Greqia dhe Rumania, Costis Hadjidakis dhe Nicolae Havrilet, morën pjesë në një panel diskutimi: “Evropa Juglindore – bashkëpunimi energjetik përtej kufijve”, “Harta energjetike e Europës Juglindore dhe e ardhmja e Eastmed.”

Nuredini tha se për momentin vendi ynë ka vetëm një burim të furnizimit me gaz, por po punon për të zgjeruar rrjetin, duke shtuar se “gazi është një burim kryesor i energjisë për të ecur përpara drejt energjisë më të pastër”. Ai theksoi rëndësinë e ndërlidhësit me Greqinë, duke shpjeguar se 90 përqind e punimeve janë përfunduar në jug të vendit dhe 75 përqind në perëndim.

“Ne jemi një vend i vogël, ne e dimë atë, ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe ndërlidhja me Greqinë është shumë e rëndësishme për ne si vend. Në të njëjtën kohë, planifikojmë të lidhemi së shpejti me Shqipërinë dhe presim të bëjmë të njëjtën gjë me Kosovën dhe natyrisht me Serbinë, e cila do të krijojë një vëllim më të madh të furnizimit me gaz për vendin tonë. Kjo gjithashtu do të krijojë siguri dhe pavarësi për ne, duke pasur parasysh se tani kemi vetëm një burim furnizimi”, sqaroi mes tjerave ministri Nuredini.

Duke folur për marrëdhëniet energjetike me Greqinë, Nuredini tha se ato janë të shkëlqyera dhe shprehu shpresën për zhvillimin e tyre të mëtejshëm, si dhe shpresën për gjetjen e një zgjidhjeje të mosmarrëveshjes me Hellenic petroleum.

“Ne kemi një qeveri e re, ne kishim qeveri për tre vite e gjysmë, besojmë se kemi bërë hapa përpara për të pasur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë. Ky është një koalicion që vazhdimisht kërkon zgjidhje për çështjet që kemi, mendoj se kemi zgjidhur shumë nga çështjet dhe një gjë që është e hapur është me “Hellenic petroleum”, tha Nuredini dhe shprehu shpresën se do të gjendet një zgjidhje për këtë çështje.

Në fillim të fjalës së tij, ministri Nuredini tha se kjo është vizita e tij e dytë në Forumin energjetik dhe nga pjesëmarrja e vitit të kaluar, ai vuri në dukje se në 12 muaj shumë gjëra kanë ndryshuar, përveç Pandemisë, ai përmendi anëtarësimin në NATO, dritën jeshile për negociatat me BE dhe qeverinë e re në Maqedoninë e Veriut.

Ministri grek i mjedisit dhe energjisë, Costis Hadjidakis, në fjalën e tij përmendi ndërlidhësin midis dy vendeve, theksoi se ka një rëndësi të madhe dhe shprehu shpresën se do të finalizohet së shpejti.

Forumi energjetik për Evropën Juglindore po mbahet sot në Selanik dhe është hibrid me një numër të kufizuar të pjesëmarrësve me prani fizike dhe mes tyre pjesëmarës është dhe ministri Nuredini.

Forumi është organizuar nga Dhoma amerikano-greke e Tregtisë në bashkëpunim me Shoqatën Greke të Ekonomisë së Energjisë, Këshillin Atlantik dhe Dhomën e Tregtisë së SHBA.

Next Post

Federata e Futbollit të Maqedonisë investon më shumë se 300 000 euro për rikonstruimin e Stadiumit të Qytetit në Kavadar

KF Tikveshi dhe qyteti i Kavadarit do të do të kenë atë që me dekada kanë ëndëruar gjithë dashamirët e vërtetë të futbollit. Pas 30 viteve, Stadiumi i qytetit në Kavadar do të ketë plotësisht pamje të re. Federata e Futbollit të Maqedonisë në tërrësi rikontruoi dy tribuna (jugore dhe […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: