Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Qeveria: Posedojmë rezerva të derivateve të naftës dhe drithërave kështu që qytetarët të jenë të qetë

2 min read

Republika e Maqedonisë së Veriut ka një sasi të mjaftueshme të produkteve ushqimore dhe derivateve të naftës në rezervat e mallrave. Qytetarët nuk duhet të shqetësohen, derivate të  naftës ka në vend, tregtarët blejnë rregullisht karburante  sipas kërkesës.

Qeveria u bën apel një pjese të shitësve me pakicë të derivateve të naftës që të mos kufizojnë sasinë, gjegjësisht shumën e shitjes së karburantit që derdhet në automjetet, ndërsa konsumatorët mos të presin në radhë në pikat e pompave të benzinës  dhe  mos të grumbullojnë karburant për arsye sigurie.

Në mënyrë plotësuese, Qeveria edhe një herë i njofton qytetarët që të jenë të qetë, shteti ka sasi të mjaftueshme të drithërave në rezervat e mallrave. Siç njofton  Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, në mullinjtë e vendit ka rezerva prej 45.000 tonë grurë, sasi të cilat janë të mjaftueshme për nevojat e tregut të vendit deri në korrjen e ardhshme.

Është e rëndësishme që qytetarët të dinë se në përputhje me të dhënat zyrtare statistikore kemi rritje të prodhimit të grurit që nga 195 mijë tonë në vitin 2017, vitin e kaluar është rritur në 253 mijë tonë. Qeveria edhe në periudhën e ardhshme  vazhdon me këtë ritëm të investimeve në prodhimtarinë bujqësore, me të vetmin qëllim që të ofrojmë siguri në prodhimtarinë e degëve bujqësore strategjike.

Është e njohur se nëse prodhimtaria vendore e grurit është 253 mijë tonë, ndërsa nevojat vjetore për grurë janë rreth 300 mijë tonë, çdo vit pjesa tjetër e grurit sigurohet nga importi nga Serbia. Importi i përgjithshëm i grurit në vitin 2017 ka qenë 87 mijë tonë, ndërsa në vitin 2021 është ulur dhe ka arritur në 74 mijë tonë.

Importi i miellit në vitin 2017 është 53 mijë tonë, ndërsa në vitin 2021 është 41 mijë tonë. Importi i elbit në vitin 2017 ishte 15 mijë tonë, ndërsa në vitin 2021 vetëm 950 tonë. Kjo tanimë do të thotë plotësim i tërësishëm  i nevojave vendore të prodhimit të elbit.

Duke pasur parasysh se prodhimi i vendit është strategjik për çdo shtet serioz, Qeveria dhe ministria  dikasteriale në mënyrë të vazhdueshme marrin  masa që nënkuptojnë rritje të prodhimit  vendas të drithërave. Për herë të parë, kjo Qeveri futi  masën për bashkëfinancim të shpenzimeve të furnizimit të naftës, e cila me ndryshimet e reja ligjore do të jetë 100%. Kemi rritur subvencionimin e grurit për bujqit të cilët kanë sipërfaqe prej 5 deri në 50 hektarë dhe për herë të parë filluam shpërndarjen jo selektive të tokës bujqësore shtetërore. Këtë vit në mënyrë shtesë, përmes fondit intervenues është planifikuar subvencionim për zbutjen e shpenzimeve për furnizimin  e plehrave për kulturat e drithërave.