Regjistrimi jo vetëm operacion statistikor pasi prodhon efekte juridike dhe kushtetuese – Debat në UEJL për Regjistrimin e Popullsisë në RMV

vull

Në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, sot (11.03.2021), u mbajt debat publik lidhur me procesin e regjistrimit të popullsisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në temë: “Nevoja e sensibilizimit të qytetarëve mbi regjistrimin e popullsisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”. Panelistë kryesor të debatit ishin Prof. Dr. Jeton Shasivari, Prof. Dr. Demush Bajrami dhe Prof. Dr. Ali Pajaziti.

Organizimi i këtij debati ishte në funksion të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për të marrë pjesë në regjistrim në mënyrë sa më të organizuar dhe sa më masive.

Debati u organizua me nismë të Rektorit, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i cili mbajti fjalim hyrës dhe ku foli për regjistrimin si proces jashtëzakonisht të rëndësishëm.

“Jam thellë i bindur se ky proces nuk mund të jetë vetëm operacion teknik, pasi prodhon efekte juridike dhe kushtetuese”, tha Rektori Bexheti.

Lidhur me aktivitetet që po ndërmerren aktualisht rreth realizimit të procesit të regjistrimit, Rektori Bexheti, foli edhe në cilësinë e nënkryetarit të Komisionit Shtetëror të Regjistrimit të vitit 2011. Ai bëri një krahasim të ligjit të atëhershëm dhe të ligjit aktual të regjistrimit të popullsisë, duke veçuar dy momente kyçe.

“Në ligjin e vitit 2011 kishte dy aspekte kryesore kontestuese edhe atë: dykuptimësi lidhur me regjistrimin e diasporës, si dhe besimi ndëretnik dhe ndaj institucioneve ishte në nivel shumë të ulët. Nuk them se tani ka më shumë besim ndëretnik, por me ligjin e ri janë krijuar mekanizma mbrojtës, siç është mekanizmi i nënshkrimit të lidhur mes drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Entit Shtetëror Statistikor, kurse në ligjin paraprak përfaqësuesit shqiptarë nuk kishin të drejtën e vetos. Për të dëmtuar procesin duhet shumë pak, por për ta realizuar procesin me kredibilitet, duhet shumë punë prej të gjitha palëve te interesuara, prandaj edhe e organizojmë këtë debat për rritje vetëdijesimi.”, tha rektori Bexheti.

Lidhur me sfidat e regjistrimit, Rektori Bexheti tërhoqi vëmendjen në evidentimin e migrimit të brendshëm dhe mundësinë e regjistrimit të dyfishtë.

Prof. Dr. Ali Pajaziti, foli për aspektin social të regjistrimit të popullsisë, i cili po zhvillohet në kontekstin e një shoqërie të ndarë, ose fragjile.

“Në Ballkan ekziston një luftë e ashpër për shifra, prandaj edhe është obligim i joni kombëtar të regjistrohemi dhe tu bëjmë thirrje edhe të afërmve dhe të njohurve tanë që masovikisht të regjistrohen dhe të verifikojmë prezencën tonë”, tha Prof. Pajaziti.

Prof. Dr. Jeton Shasivari, tha se me mbajtjen e këtij debati, ne si Universitet dëshmojmë se jemi aty ku ndodhin proceset shoqërore.

“Ligji i regjistrimit të popullsisë ka bazë juridike më të avancuar se ai i vitit 2011”, theksoi Prof. Shasivari.

Në cilësinë e komunikologut, Prof. Dr. Demush Bajrami, foli për aspektin e dërgimit të informacionit të besueshëm te qytetarët, në mënyrë që të mos ketë dezinformata dhe lajme të rrejshme që to ta dëmtonin këtë proces.

“Duhet t’i bëhet një publicitet i gjerë medial dhe në rrjetet sociale regjistrimit si moment shumë i rëndësishëm dhe i nevojshëm për rrjedhat e mëtutjeshme të vet shtetit”, tha Prof. Bajrami.

Në debat morën pjesë edhe përfaqësues të Parlamentit dhe Asociacionit Studentor, si dhe studentë të tjerë të cilët parashtruan pyetje dhe dhanë mendime lidhur me temën.

Next Post

Pse Regjistrimi është shumë i rëndësishëm? Ndiq arsyen e dytë (Video)

Një tjetër arsye se pse duhet të Regjistrohemi në procesin e Regjistrimit 2021 është e përshkruaj me fakte edhe në videon në vazhdim, sa më shumë të regjistrohemi do ketë më shumë zhvilim të barabartë, rriten mundësitë për një jetë më të mirë, sjellë prespektiva më të mëdha, rritja e […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: