Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Takimi Osmani – Loson me rastin e dorëzimit të kopjeve të letrave kredenciale

2 min read

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot i pranoi kopjet e letrave kredenciale të Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe të Plotfuqishëm të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut në shtetin tonë, Metju Loson.

Ministri Osmani, duke i uruar mision të suksesshëm Ambasadorit të ri, e theksoi kënaqësinë e tij për marrëdhëniet e shkëlqyera maqedono-britanike, të cilat karakterizohen me shkëmbim intensiv të vizitave dhe takime të nivelit të lartë, që paraqesin konfirmim të vendosmërisë dhe interesit të fortë të të dyja vendeve për forcimin e mëtejshëm të miqësisë tradicionale mes Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar. Bashkëbiseduesit përshëndetën dinamikën në kuadër të marrëdhënieve tregtare ndërmjet dy vendeve, duke shpresuar se ato do të vazhdojnë të avancohen në mënyrë intensive edhe në periudhën e ardhshme, veçanërisht duke marrë parasysh progresin në bashkëpunimin tregtar të arritur me nënshkrimin e Marrëveshjes për Partneritet, Tregti dhe Bashkëpunim në dhjetor 2020 dhe mbajtjen e Këshillit të parë inaugurues në Shkup në tetor 2021, si organi më i lartë për zbatimin e tij në të ardhmen.

Në kontekst të dinamikës së perspektivës evropiane të Rajonit, ai u falënderua për mbështetjen dhe ekspertizën që Maqedonia e Veriut vazhdimisht e merr nga Mbretëria e Bashkuar në kuadër të proceseve reformuese. MPJ Osmani e informoi Ambasadorin Loson për statusin e fundit të procesit të integrimit evropian të vendit tonë, mbajtjen e Konferencës së Parë Politike Ndërqeveritare dhe fillimin e procesit të skriningut, duke premtuar se do të punojnë me përkushtim në proceset vijuese që pasojnë me procesin e anëtarësimit të vendit tonë në BE.