U promovua “Platforma nacionale e sipërmarrësisë së grave” – Qeveria, ministritë dhe sektori privat punojnë së bashku për pjesëmarrje më të madhe të grave në biznes

vull

“Pres që kjo Platforma nacionale e sipërmarrësisë së grave të jetë një stimul, i cili me ndihmën e të gjithë politikës dhe mbështetjes që Qeveria krijon dhe ofron, të arrijmë ta shndërrojmë në një ekuilibër të vërtetë në shoqërinë tonë, në të cilën gratë e të gjitha nacionaliteteve, maqedonase, shqiptare, rome, turke, boshnjake, serbe, vllahe dhe të gjithë gratë tjera do të jenë të pranishme në të gjitha sferat e sipërmarrësisë, industrisë, inovacionit dhe biznesit”, tha zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi në ngjarjen e sotme ku u promovua Platforma nacionale e sipërmarrësisë së grave.

Zëvendëskryeministri theksoi se më shumë gra kanë ambicie për biznesin e tyre dhe kanë ide të mëdha dhe inovative, me të cilat ndryshojnë dhe promovojnë sipërmarrësinë në vendin tonë.

“Me masën në fjalë që u prezantua brenda pakos së tretë antikrizë të Qeverisë, e cila i referohet një granti prej 30% për të mbështetur gratë, të rinjtë dhe kompanitë që futin dixhitalizimin në biznes ose janë të orientuara nga eksporti, nga 2.703 subjekte të mbështetura nga masa, 1062 subjekte janë themeluar nga gra ose drejtohen nga gra. Fondi për inovacion dhe zhvillim teknologjik, në vitin 2020, publikoi një instrument të ri, “Grantet e bashkëfinancuara për zhvillimin teknologjik për tejkalimin e pasojave nga Covid-19”, dhe si nënkriter për vlerësimin në këtë instrument prezantoi zhvillimin rajonal të ekuilibruar dhe përfaqësimin e ekuilibruar gjinor”, tha Bytyqi duke theksuar se pret që numri i kompanive të udhëhequra dhe themeluara nga gratë të jetë edhe më i madh.

Në këtë ngjarje folën edhe ministrja e punës dhe politikës sociale, Jagoda Shahpaska, ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi, zëvendësministri i bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave, Trajan Dimkovski, kryetarja e Platformës nacionale të sipërmarrësisë së grave, Valentina Disoska, kryetarja e Lidhjes së odave ekonomike Danela Arsovska, përfaqësues të delegacionit të Bashkimit Evropian, si dhe gra të tjera sipërmarrëse të suksesshme.

Ministrja e punës dhe politikës sociale, Jagoda Shahpaska theksoi se po përgatitet një Strategji për barazinë gjinore, ku prioritet i jepet rritjes së pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.

“Strategjia e re për barazinë gjinore për periudhën 2021-2026 është në fazën përfundimtare, në të cilën një nga prioritetet strategjike është rritja e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës. Aty do të adresohen masat për të inkurajuar gratë si bartëse të investimeve dhe sipërmarrëse për të krijuar bizneset e tyre. Qëllimi është të zvogëlohet niveli i papunësisë dhe popullsia joaktive femërore, të tejkalohet hendeku gjinor i pagave, të kapërcehet ndarja sektoriale dhe hierarkike e vendeve të punës,” nënvizoi Shahpaska.

Ministri Kreshnik Bekteshi vuri në dukje se Ministria e ekonomisë, duke njohur rëndësinë e sipërmarrjes së grave, filluar nga viti 2012, ka zbatuar vazhdimisht masa për të mbështetur gratë sipërmarrëse.

“Në kuadër të masës për Mbështetje financiare për gratë sipërmarrëse nga Programi i konkurrentshmërisë, inovacionit dhe sipërmarrjes (KIP) për nëntë vjet, Ministria e ekonomisë ka mbështetur gjithsej 152 kompani në pronësi dhe të drejtuara nga gratë me një total prej 14,1 milionë denarë (230 mijë euro). Na gëzon fakti se në katër vitet e fundit, ashtu siç është zbatuar kjo masë, kanë dominuar kompanitë nga prodhimi, industria përpunuese dhe shërbime të ndryshme. Krahas kësaj mase, gratë sipërmarrëse kanë të drejtë të aplikojnë për të gjitha masat tjera të parashikuara nga Programi KIP i Ministrisë së ekonomisë, kurse të dhënat janë inkurajuese. Vetëm gjatë vitit të kaluar, me zbatimin e këtyre masave, gjithsej 52.8% e kompanive që morën mbështetje financiare janë në pronësi, gjegjësisht menaxhohen nga gratë”, tha ministri Bekteshi, duke shtuar se Strategjia për sipërmarrësinë e grave 2019-2023 u miratua, gjë që konfirmon qartë vendosmërinë për të vazhduar me masat dhe aktivitetet që synojnë mbështetjen dhe zhvillimin e sipërmarrësisë së grave.

Zëvendësministri Trajan Dimkoski theksoi se formimi i Platformës nacionale të sipërmarrësisë së grave do të kontribuojë në rritjen plotësuese të numrit të grave që regjistrojnë ekonomi bujqësore në emrin e tyre.

“Se politikat e Qeverisë dhe Ministrisë së bujqësisë po japin rezultate, flet edhe fakti se numri i grave të regjistruara në ERZS si bartëse të ekonomisë bujqësore është vazhdimisht në rritje, gjë që është veçanërisht e dukshme në tre vitet e fundit. Gjithsej 2193 gra kanë regjistruar ekonomi bujqësore në emrin e tyre, nga viti 2019 e deri më tani. Kjo është një tregues tjetër se ndërgjegjësimi i grave dhe familjeve në zonat rurale po ndryshon”, tha Dimkovski.

Kryetarja e Platformës nacionale të sipërmarrësisë së grave Valentina Disoska, shpjegoi se forcimi i sipërmarrësisë së grave është i rëndësishëm për forcimin ekonomik e të gjithë vendit, mbarë shoqërisë dhe të gjithë njerëzve. Ajo tha se Platforma nacionale nënkupton bashkimin e të gjitha organizatave qeveritare dhe joqeveritare, shoqatave formale dhe joformale, odave ekonomike dhe të gjithë faktorëve aktivë, për të dhënë një kontribut të përbashkët në zhvillimin e sipërmarrësisë së grave.

“Platforma nacionale e sipërmarrësisë së grave do të ndërtojë kapacitete në sektorin qeveritar, të grave sipërmarrëse dhe institucioneve nga niveli më i ulët e deri në nivelin më të lartë, për nevojat e forcimit sipërmarrësisë së grave”, tha Disoska.

Next Post

Sekretarët shtetërorë Valmir Aziri dhe Selatin Beluli e vizituan Universitetin e Tetovës

Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti (19. 5. 2021), i priti në një takim sekretarin shtetëror në Ministrinë e Kulturës, z. Valmir Aziri, dhe sekretarin shtetëror në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, z. Selatin Beluli. Rektori i Universitetit të Tetovës, fillimisht i njoftoi mysafirët me zhvillimet e fundit në […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: