Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Trakisë e organizuan Simpoziumin shkencor me temë “Qasjet aktuale ndaj kancerit të mushkërive”

vull

Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Trakisë nga Republika e Turqisë, sot organizuan Simpozium shkencor, me temë: “Qasjet aktuale ndaj kancerit të mushkërive”.
Në emër të Universitetit të Tetovës, të pranishmëve me fjalë rasti iu drejtua prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Hazir Pollozhani. Prorektori i përgëzoi njësitë tona akademike për organizimin e kësaj veprimtarie shkencore, për përkushtimin ndaj mjekësisë, me theks të veçantë për trajtimin e qasjeve aktuale ndaj kancerit të mushkërive, që është edhe tema kryesore e këtij tubimi shkencor. Sipas tij, Universiteti i Tetovës, si njëri nga universitetet më të mëdha në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, bashkë me universitetet tjera nga vendi dhe rajoni, angazhohet për shtyrjen përpara të proceseve arsimore – shkencore, por edhe në lëmi të tjerë me rëndësi për shoqërinë në përgjithësi.
“Ne i çmojmë lartë përpjekjet e organizatorëve të këtij simpoziumi për kontributin jetik për njerëzimin dhe angazhimin e tyre për një edukim më të mirë në lidhje me sëmundjet e kancerit dhe jo vetëm. Mjekësia dhe fushat tjera me rëndësi parësore, kanë rolin kryesor në ruajtjen dhe zhvillimin e popujve, prandaj le të angazhohemi të gjithë në forcimin e institucioneve arsimore dhe subjekteve të ndryshme shoqërore, që kanë për synim arsimimin, emancipimin dhe zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi. Edhe përkundër sfidave dhe vështirësive me të cilat jo rrallëherë përballemi, vlerësoj se universitetet tona dhe subjektet tjera juridike qëndrojnë në lartësinë e detyrës që përfaqësojnë dhe vetëm duke e kryer me sukses veprimtarinë arsimore –shkencore ne mund t’i lejojmë vetes të themi se kontribuojmë në zhvillimin dhe përparimin e përgjithshëm shoqëror. Pjesë e rëndësishme e kësaj ngjarjeje është edhe promovimi i vëllimit të gjashtë të numrave 11 dhe 12 të revistës shkencore të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë “Acta Medica Balkanica”, me ç’rast i përgëzoj anëtarët e redaksisë dhe bordin e kësaj reviste për punën e shkëlqyer në botimin e hulumtimeve të reja tejet të nevojshme, sidomos në këtë kohë kur bota përballet me përhapje të sëmundjeve të ndryshme që e rrezikojnë seriozisht shëndetin publik. Uroj që ky simpozium shkencor ta thellojë edhe më shumë bashkëpunimin ndërinstitucional, të shërbejë në shpalosjen e ideve, pikëpamjeve dhe mendimit alternativ. Universiteti i Tetovës ndihet i nderuar që është bashkorganizator i tubimeve të këtij niveli akademik dhe ju siguroj se do të punojmë me dinjitet, përkushtim dhe profesionalizëm të duhur në të gjitha proceset akademike”, u shpreh prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Hazir Pollozhani.
Në këtë ngjarje i pranishëm ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, i cili u shpreh se ndjehet i nderuar dhe i kënaqur që është pjesë e simpoziumit të sotëm, kushtuar trajtimit bashkëkohor të kancerit të mushkërive. Po ashtu, ai i përgëzoi organizatorët, Universitetin e Tetovës dhe Universitetin e Trakisë nga Republika e Turqisë, për organizimin e simpoziumit të sotëm, i cili është një hap shtesë përpara në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet mjekëve në fushën e kirurgjisë torakale dhe avancimin e mëtejshëm.
“Fillimisht, dua të theksoj se Klinika Universitare për sëmundjet torakale, si institucion publik shëndetësor i nivelit terciar, ndjek trendet dhe arritjet më të fundit në këtë fushë dhe për këtë qëllim në periudhën e kaluar janë realizuar aktivitete për modernizimin e procedurave diagnostike, si dhe individualizimi dhe optimizimi i trajtimit të kësaj sëmundje malinje. Pikërisht ky bashkëpunim dhe mbështetje është reciprok, përmes konferencave dhe seminareve ndërmjet institucioneve universitare dhe spitalore, që zhvillon dhe inkurajon stafin shkencor dhe profesional në trajtimin e sëmundjeve në fushën e kirurgjisë torakale dhe ofron një gamë të plotë shërbimesh për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve komplekse të gjoksit, me fokus të veçantë në metodat kirurgjikale minimale invazive, duke përfshirë metodat e avancuara kirurgjikale të aplikuara në vendin tonë dhe në disa qendra të avancuara mjekësore në botë për trajtimin e kancerit të mushkërive, kancerit të ezofagut, kisteve dhe tumoreve mediastinale, etj. Aktivitetet janë duke u zhvilluar për të lehtësuar qasjen në shërbimet diagnostikuese dhe shëndetësore, të nevojshme për përcjelljen e sëmundjeve malinje, si dhe adresimin sistematik të qasjes në terapi të reja inovative që mund të shpëtojnë jetën e shumë pacientëve. Gjithashtu është planifikuar zgjerimi i listës pozitive dhe pjesë e saj duhet të bëhen barnat që në të kaluarën janë blerë me buxhet të veçantë, për të përmirësuar trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje. Qëllimi i përbashkët është ulja e shkallës së vdekshmërisë dhe mundësia për të gjithë, që të marrin kujdes shëndetësor të lartë brenda sistemit shëndetësor, i cili është një nga themelet për zbatimin e planit të parë kombëtar të kontrollit të kancerit në vend. Ministria e Shëndetësisë vazhdon bashkëpunimin me të gjithë faktorët relevantë në këtë proces”, tha ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.
Rektori i Universitetit të Trakisë, Prof. Dr. Erhan Tabakoglu, i përshëndeti të pranishmit përmes një video-mesazhi, ku tha se bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Trakisë dhe Universitetit të Tetovës do të vijojë edhe në të ardhmen me intensitet akoma më të lartë. “Më parë, në vitin 2018 kemi qenë në Tetovë me rektorin tonë të dashur, Prof. Dr. Vullnet Ameti, me të cilin kishim një mbledhje në lidhje me Universitetet në Ballkan dhe ndërlidhjen mes tyre. Do të doja sërish këtë herë të isha mes jush, të shihja universitetet tuaja, xhamitë, pemët, malet tuaja, por në një rast tjetër ndoshta. Ashtu siç kemi pritur nga Universiteti i Tetovës shumë studentë të mjekësisë, infermierisë, i presim sërish mes nesh në një të ardhme të afërt pa koronë. Këtë herë, mes jush duam të vijmë dhe me gjëra të ndryshme si Teknoparkun, për të cilin janë bërë konsultime të vazhdueshme dhe duam që të kemi Teknoparkun e parë në Maqedoninë e Veriut në kooperim me universitetin tonë”, theksoi rektori i Universitetit të Trakisë, Prof. Dr. Erhan Tabakoglu.
Koordinatori i përgjithshëm i këtij simpoziumi, Dr. Levent Ismaili, tha se kjo ngjarje shkencore është arsyeja më e rëndësishme në vetvete që e ndjell vëmendjen tonë dhe kureshtjen e secilit studiues e kërkues në fushën e shkencave të mjekësisë. “Trajtimi i kancerit të mushkërive është një temë sa e rëndësishme është edhe strumbullari i kësaj ngjarjeje shkencore dhe unë jam i bindur se kumtesat që do prezantohen do të jenë një prurje e re jo vetëm për neve këtu, por edhe për shkencën në përgjithësi. Duke i pasur parasysh statistikat e paraqitjes së kësaj sëmundje, e veçmas fatalitetet e saj, jemi të bindur se trajtimi i kësaj sëmundje në Tetovë dhe në Qendrën Klinike të Tetovës është një mundësi më shumë dhe një përvojë e shtuar edhe për mjekët dhe specialistët që merren drejtpërdrejtë me trajtimin e pacientëve, të cilët shfaqin probleme të këtilla”, tha koordinatori i përgjithshëm, Dr. Intern. Levent Ismaili.
Në këtë simpozium, temat e tyre lidhur me qasjet aktuale ndaj kancerit të mushkërive i prezantuan: Prof. Dr. Murat Türkyılmaz, Prof. Dr. Omer Xhemali, Prof. Dr. Gundeniz Altiay, Dr. Ilir Ismaili, Prof. Dr. Zafer Koçak, Dr. Ilir Vela dhe Dr. Levent Ismaili.
Po ashtu, në këtë aktivitet u bë edhe promovimi i Vol. 6, Nr. 11-12 i revistës shkencore të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë “Acta Medica Balkanica”.

Next Post

U arrit marrëveshje - rritja më e madhe e pensioneve në histori dhe ndihma prej 1000 denarë për çdo pensionist.

Qeveria dhe përfaqësuesit e shoqatave të pensionistëve dhe Partisë së Pensionistëve janë pajtuar për ndryshimin e metodologjisë për harmonizim dhe rritje të pensioneve dhe për ndihmë financiare shtesë për pensionistët nga 1000 denarë për muajin prill, maj dhe qershor. “Sot ramë dakord që të pranojmë propozimin e pensionistëve për të […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: