Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

UNT SHËNON 7 MARSIN ME CEREMONI SOLEMNE TË NDARJES SË DIPLOMAVE

2 min read
Me një ceremoni solemne sot Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup, ndau diplomat për gjeneratën e parë të të diplomuarve nga cikli i parë dhe për gjeneratën e parë të ciklit të dytë, respektivisht magjistrave të parë të UNT-së.
Gjatë fjalimit përshëndetës rektori i UNT-së, Prof. Dr. Aziz Pollozhani pasi uroi gjithë të diplomuarit dhe magjistrat, tha se jo rastësisht ceremonia është caktuar për 7 Mars, për të përkujtuar gjithë ata që ndër gjenerata kanë kontribuar për arsimin shqip, për 135 vjet që nga hapja e shkollës së parë shqipe në Korçë.
‘Ndarja e diplomave sot, me vulë të Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup ka më shumë simbolika, e para është emri i nobelistes sonë, që e vulosim dhe e përjtësojmë edhe në diplomat tona, simbolika e dytë është mirënjohja për gjithë atë investim dhe sakrificë që bënë patriotët tanë para 135 viteve, të cilit kishin vizion për zhvillimin e kombit tonë, dhe e treta është kurrorëzim i një suksesi, që nuk është arritur lehtë, dhe ajo është themelimi i universitetit publik në gjuhën shqipe në qendër të Shkupit’, tha ndër të tjera rektori Pollozhani.
Diplomat e ndara sot janë të parat që jep Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup, dhe janë kurrorëzimn i punës pesëvjeçare që nga themelimi i tij. Me diploma nga cikli i parë i studimeve, u pajisën 58 studentë të diplomuar në dy programet studimore, atë trevjeçar dhe katërvjeçar, ndërsa numri i të diplomuarve në cilkin e dytë është 18 magjistra.
Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup funksionon me pesë fakultete, në të cilat studiohet në 29 programe studimore në ciklin e parë dhe 7 në cilkin e dytë. Për momentin UNT ka afro 3000 studentë.