Vendoset në funksion ndërmarrja për menaxhim me mbeturinat në Pollog

vull

Ndërmarrja e përbashkët për menaxhim me mbeturinat në Pollog edhe pse me shumë vonesa, më në fund fillon me punë. Mungesa e fondeve të nevojshme, detyrimet e pashlyera në kohën e duhur nga ana e nëntë komunave të Pollogut si dhe organizimi i zgjedhjeve lokale pamundësuan fillimin e punimeve në kohën e duhur. Drejtori i kësaj ndërmarrje Besim Dogani bën me dije se pavarsisht vonesave që kanë ndodhur për arsye nga më të ndryshmet aktivitetet në terren janë realizuar në përpikmëri.

“Është asfaltuar komplet trasa e rrugës deri në deponinë ‘Rusino’, është bërë rrethimi i anëve të rrugës me tel mbrojtës për ta mbrojtur deponinë nga hedhja ilegale, është ndërtuar një shtëpizë në fillim të rrugës ku do të qendrojnë rojet të cilët do të kontrollojnë hedhësit e mbeturinave, në pjesën e epërme të deponisë është vendosur peshorja për matjen e makinave, është vendosur sistemi kompjuterik i cili do të bëjë regjistrimin e kamionëve dhe filtri për kullimin e ujrave të zeza i cili pas pranim-dorëzimit nga zbatuesi i punimeve do të vihet në funksion”, tha drejtori Dogani.

Ndërmarrja ka kryer edhe procedurat e furnizimeve publike të cilat kanë qenë parakusht për nisjen me punë me çka është zgjedhur operatori ekonomik për mirëmbajtjen e deponisë “Rusino”, ai për sigurimin fizik si dhe angazhimi i ekipit punues në deponi.

“Tashmë të gjitha këto vendime janë sjellë, është zgjedhur Agjencia për punësime të përkohshme dhe pritet më së voni deri me 1 Dhjetor ekipi të jetë i kompletuar, d.m.th. të jepen 9 vendimet e para të përkohshme për punëtorët te peshorja, punëtorët fizik si dhe rojet që do të merren me ruajtjen fizik të objektit”, tha Dogani.

Dogani premton se me vendosjen në funksion të ndërmarrjes së re, në rajonin e Pollogut do të përmirësohet menaxhimi me mbeturnat. Por, thekson se për të arritur rezultat të kënaqshëm, do të duhet edhe mbështetja e qytetarëve.

“Pjesa e grumbullimit primar të mbeturinave u mbetet ndërmarrjeve komunale, ndërsa ne si obligim kemi vetëm deponimin dhe trajtimin e këtyre mbeturinave. Natyrisht do të duhet të punohet shumë për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, të punohet shumë në vendosjen e kushteve themelore për reciklim primar të mbeturinave dhe këtë pjesë natyrisht do të duhet ta bëjnë qytetarët, duhet të ngritet vetëdija e qytetarëve për shlyerjen e obligimeve ndaj ndërmarrjeve komunale për shërbimet që i marrin nga to. Nga ana tjetër mund të them se rezultatet janë të dukshme. Prej javës tjetër shpresojmë që uji i zi nuk do të dredhet në fushat e Banjicës pasi pas një jave vendoset filtri në funksion dhe uji do të del i filtruar, kulluar, i pastër. Rezultati i dytë do të jetë që tashmë do të ketë kontroll për mënyrjen e flakjes së mbeturinave në deponinë ‘Rusino’”, deklaron Dogani.

Nga viti tjetër ndërmarrja do të pajisete dhe me makineri për ndarjen e mebturinave të cilat nuk janë të reciklueshme, do të bëhet pyllzimi dhe ndriçimi rreth e përqark deponisë dhe do të vendosen mure mbrojtëse për kufizim e që do të mbrojnë edhe nga erozioni i tokës.

Themeluesit, respektivisht nëntë komunat e Pollogut, e kanë kryer fazën e parë të obligimeve ndaj ndërmarrjes, respektivisht ata kanë paguar mjetet prej rreth 20 mijë eurove, por jo edhe mjetet e tjera në vlerë prej 200 mijë euro për vënien në funksion të ndërmarrjes. Dogani beson se javën e ardhshme do të sillet vendim nga komunat që të shlyhet edhe ky obligim i mbetur financiar.

Next Post

Shqipëria ratifikon marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për kontrolle të përbashkëta në vendkalimet kufitare

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në seancën e sotme ratifikoi marrëveshjen për kontrolle të përbashkëta në vendkalimet kufitare me Maqedoninë e Veriut. “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë kontrolle të përbashkëta kufitare sipas të njëjtit model siç e kemi me Kosovën dhe Malin e Zi”, tha ministri i Punëve të […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: