Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Letër nga Shkupi: PAÇAVURET INTELEKTUALE QË SHITEN SI “MANIFEST KOMBËTAR”

4 min read

Në Maqedoninë e Veriut ka kohë që funksionon një Shoqatë me emrin “Manifesti maqedonas”, në të cilën aderojnë shkrimtarë, poetë, piktorë, teologë, gjuhëtarë, gazetarë, madje edhe akademikë të profileve të ndryshëm! Nëse politikat nacionaliste të ish-kryeministrit Nikola Gruevski mëtonin antikizimin e popullit sllav maqedonas, kjo Shoqatë “intelektualësh” maqedonas i ka vënë qëllim vetes për ta “hyjnëzuar” popullin e vet. Pa dyshim, ishte politikë idioteske kjo e Gruevskit: ose ma pranoni mua tezën ose do të përballeni me tezën edhe më radikale të “Manifestit maqedonas”, i cili është “çerdhe e ajkës” së intelektualëve maqedonas!

 

Kjo Shoqatë “intelektualësh” që program të veten e ka idealizimin e “popullit të shenjtë” dhe ofendimin, përçmimin dhe mohimin e autoktonisë së shqiptarëve të këtushëm, deri më sot ka botuar lloj-lloj librash kundër BE-së, kundër NATO-s, kundër euro-integrimeve të Maqedonisë së Veriut, sepse Evropa dhe NATO qenkan aleatë të “shqiptarëve të mallkuar”! Deri më sot kanë publikuar dhjetëra “manifeste”-apele për ngritje në këmbë të popullit maqedonas për t’i luftuar të gjithë “projektet shqiptare” që kanë për qëllim rrënimin e unitaritetit të “shtetit maqedonas” dhe që nuk e pranojnë statusin e pakicës!

Kjo Shoqatë “intelektualësh” ka pasur dhjetëra apele për ta ngritur popullin maqedonas në shkatërrim të tërë shtetit nëse arrihet zyrtarizimi i gjuhës shqipe, kjo gjuhë e “terroristëve” që në aleancë me shtetet evropiane dhe të NATO-s më 2001 për një qime të kokës i shpëtuan shfarosjes totale nga ushtria maqedonase!

Shih për këtë, këto ditë “Manifesti maqedonas” doli me një ultimatum të fundit që ua drejtoi instancave shtetërore, por edhe mbarë popullit maqedonas. Kërkuan prerazi: ushtria maqedonase jo të vihet në shërbim të NATO-s për të luftuar kundër popullit vëlla rus nëse vjen deri te ndonjë luftë në mes të Rusisë dhe Ukrainës! Për dy arsye: “populli rus dhe ai maqedonas janë i njëjti pip nga dega e trungut të popujve të botës dhe, e dyta, NATO i paska borxh shumë popullit maqedonas, meqë i paska ndihmuar “terroristët shqiptar” për ta nëpërkëmbur krenarinë dhe dinjitetin e këtij populli!

A nuk është kjo Shoqatë një “organizatë terroriste” e cila, veç tjerash, shqiptarët i ka porositur ose të harrojnë gjuhën shqipe dhe ta idealizojë maqedonishten si gjuhë të shenjtë, ose t’i lëshojnë “tokat maqedonase” dhe le të jetojnë atje ku do t’i lejojnë ta krijojnë shtetin e tyre! Kjo Shoqatë natë e ditë punon për t’i minuar të gjithë angazhimet dhe sukseset e arritura ndërkombëtare për një stabilizim dhe paqe në vend e në rajon. Garancën e sigurisë e mori me inkuadrimin e shtetit në NATO, angazhim dhe kërkesë kjo permanente e gjithë spektrit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Në ushtrinë e Maqedonisë ka edhe oficerë e ushtarë shqiptarë të cilët jo vetëm që kanë nderin, por edhe ëndërrojnë që të jenë krah për krah me ushtrinë e NATO-s në luftë për të siguruar paqe dhe mirëqenie kudo në botë!

Nëse shqiptarët me insistimin e tyre për zyrtarizimin e gjuhës shqipe paskan mëtuar “federalizimin e Maqedonisë”, këta akademikë maqedonas, kjo “ajka intelektuale” e popullit maqedonas, me kërkesën për fragmentarizim pikërisht të faktorit më të rëndësishëm të një shteti, ushtrisë, a nuk është në fakt angazhim akademiko-politik  për ta “federalizuar Maqedoninë”? Sepse, nuk ka fije dyshimi: shqiptarët gjithandej në botë e ndjejnë për detyrim të shenjtë për të qenë krah për krah me NATO-n sa herë që do ta dojë nevoja! Ata që do të dëshirojnë që ta ndihmojnë “vëllain e madh” të tyre (Rusinë) – ja ku e kanë, le të shkojnë!

Natyrisht, Rusia nuk ka nevojë për Shoqata të këtilla pseudointelektualësh, nuk kanë nevojë as për ndihmën e tyre “ushtarake” dhe as akademike, thjesht, ata duhet ta ushqejnë urrejtjen antishqiptare dhe ta kryejnë detyrën që e kanë nga “vëllai i madh” – të provokojnë konflikt ndëretnik e ndërfetar, sepse vetëm në situata të tilla do të mund të ndjehet prezenca dhe influenca politike ruse në vend dhe në rajon! A nuk është ky manifest idiotik i shoqatës së akademikëve dhe intelektualëve maqedonas të diskutueshëm?! Dhe, të të pëlcasë barku nga e keqja – asnjë intelektual, asnjë profesor, asnjë akademik shqiptar nuk e tha një fjalë kundër këtij “Manifesti” që vetëm maqedonas nuk mund të jetë, ndonëse flet në emër të maqedonizmës (në Shoqatën e shkrimtarëve maqedonas dhe në Akademinë maqedonase, ka edhe shkrimtarë shqiptarë)! Një “digë gjigante” para shtetit, i cili, përveçse që duhet t’i kryej obligimet dhe detyrat për t’u futur në familjen e madhe evropiane, gjithsesi që do të duhet ta demolojë shpejt e qetë edhe këtë “digë” të stërmbushur me llum e mbeturinash! Shqiptarët me gjithë kulturën e tyre janë realitet i pazhbërë në këtë nënqiell…/HEJZA/