LETËRKËMBIMI

4 min read

Në fokus

 

LETËRKËMBIMI

 

Letërkëmbimi është formë e përcjelljes së informacionit si dhe të ruajtjes së kontaktit dhe të raporteve. Një letër e ruajtur, bie fjala, e para dyqind viteve, sot mund të ketë peshën e një dokumenti shumë të rëndësishëm arkivor, sepse mund të hedhë dritë mbi të kaluarën, mbi proceset shoqërore, mbi sëmundjet, mbi pushtimet, mbi luftërat e kohës etj.

Po a kemi sot letërkëmbim klasike, apo këtë komunikim e kemi dhe po e zhvillojmë përmes formës elektronike? Sa është i sigurt ky komunikim, sa ruhet privatësia dhe konfidencialiteti i letërkëmbimit online! Hakerimi i tërë sistemit elektronik dhe rrjedhja e miliona dokumenteve zyrtare e private që po e tronditin kohëve të fundit Shtetin Shqiptar dhe jo vetëm, flet se jemi më pak të sigurt se sa ruajtja e komunikimit përmes letrave postare! Për më tepër, të shkruarit e letrave me laps, shkrimi autentik dhe kaligrafia e shtrirë në letër, ruajnë autenticitetin, flasin për karakterin dhe temperamentet e personit që e ka shkruar. Sot, këto vlera nuk mund të hasen në një letër online, të cilën mund ta shkruajë gjithkush dhe kurdoherë!

Jo të gjitha letërkëmbimet mund të jenë të interesit publik, jo të gjitha mund të jenë të rëndësisë së veçantë dhe me vlera të posaçme! Letërkëmbimet në mes të prijësve të dikurshëm shtetëror dhe mbretërve, në mes të gjeneralëve e strategëve luftarakë, letrat sekrete nga burgjet famëkeqe, nga robëria, nga sistemet diktatoriale, letërkëmbimet në mes të artistëve e krijuesve, mund të jenë të një rëndësie të veçantë, sepse mund të shpalosin situata nga më të rëndësishme historike; mund të shërbejnë si dokument burimor mbi një ngjarje, mbi një histori, mbi problemet e ndryshme të kontekstit kulturor etj. A mund të gjenden sot, për shembull, dy krijues shqiptarë të cilët mund të ofrojnë 4-5 letra të kohës moderne që do të faktonin shqetësimin e tyre patriotik, kombëtar, kulturor etj. mbi problemet me të cilat ndeshen shqiptarët gjithandej në botë! Vështirë, kjo jo se nuk e kanë këtë shqetësim, por sepse shqetësimet (madje edhe shqetësimet krijues) i përcjellin përmes telefonatave, përmes mesazheve, përmes FB-ut që, përveç “informacionit”, nuk ka kurrfarë vlere tjetër që mund ta ketë një letër-dokument!

Këto ditë, Shtëpia botuese “Princ” nga Tirana nxori nga shtypi librin “LËTËRKËMBIMI CAMAJ-PIPA: 1959-1992”, të përmbledhura 271 letra të këmbyera brenda 30 viteve! Një materie që flet për dy gjigantë të letrave shqipe, që flet për dy krijues të veçantë, për dy mjeshtër të papërsëritshëm në trajtimin e problemeve dhe të fenomeneve gjuhësore të Shqipes, që flet për dy personalitete që e kishin dhembje të madhe fatin e shqiptarëve në diasporë, fatin e shqiptarëve në Shqipërinë totalitariste, fatin e intelektualëve shqiptarë të Kosovës, mbi kokën e të cilëve po rrinte makina ndrydhëse serbe e mendimit të lirë, që e patën brengë arbëreshin por edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, madje, për të cilët, me sugjerim të Piccone-s, duhet t’u kushtohet një numër i tërë i revistës Albanica!

Plotë 271 letra nga letërkëmbimi 30 vjeçar i Martin Camajt dhe Arshi Pipës, të ruajtur nga familjarët e ngushtë të tyre, secila letër tregim më vete, me dhjetëra informacione, letra që të mahnitin, mbi të gjitha, nga niveli kulturor që kanë përdorur në komunikimin e tyre miqësor. Madje edhe kur e ndërpresin për gjashtë vite komunikimin, kur shpallen “armiq” në mes vete, këtë e bëjnë me një kulturë që u ka hije vetëm gjigantëve të letrave! Miq e vëllezër në bashkudhëtimin për përhapjen e kulturës shqiptare kudo në botë dhe, njëherit, edhe “armiq të përbetuar” në gabimet gjuhësore e teknike që u përvidhen nëpër letra, gjithnjë duke e qortuar njëri-tjetrin që të jenë sa më të kujdesshëm ndaj Gjuhës Shqipe si dhe sa më tolerantë në përdorimin e fjalëve si nga varianti tosk ashtu edhe nga ai geg. Sepse, sipas tyre, mbi gjuhën e unifikuar nuk duhet të ndërhyhet me operacione kirurgjikale, porse përplotësimi i gjuhës shqipe duhet të vije natyrshëm, përmes vjeljes së fjalëve nga të dyja dialektet.

Letërkëmbimi Camaj-Pipa është një libër që i ka munguar letrave tona, është një libër që duhet të jetë në tavolinën e çdo krijuesi, intelektuali! Përveç që ta mëson komunikimin, dinjitetin, atdhedashurinë, të mbushë me informacione aq të nevojshme për ta kuptuar kohën kur jetuan dhe krijuan këta dy shkrimtarë ndër më të mëdhenjtë që i pati kombi shqiptar. Le ta sjellim vetëm një fragment nga letra e shkruar më 27. 9. 1987!

Në letrën 189 të Camajt dërguar Pipës thuhet:

“I dashur Arshi,

E mora syzimin tand mbi “Qytetnimin shqiptar”. Jam nën përshtypjen e tij, ndonëse e kam lexue ma se nji herë. Të lumtë mendja e dora! A ka me u kuptue drejt prej masës, nuk do të jetë gja fort preokupuese: me këtë shkrim i del hakut botës shqiptare që mos të thonë sot apo nesër: nuk i kemi ditë disa sende, asht dasht me na i thanë ju që jeni të zejes…”  /HEJZA/