Luksemburg, Gërvalla kërkon barazi për Kosovën në procesin integrues

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, zhvilloi një takim të rëndësishëm me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Kaja Kallas, në kuadër të takimeve në Luksemburg me ministrat e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë takimit, Gërvalla nënvizoi rolin kyç të Bashkimit Evropian në ruajtjen e stabilitetit në rajon dhe rëndësinë që ka ofrimi i drejtësisë për qytetarët evropianë. Ajo kërkoi që Kosova të trajtohet si një partnere e barabartë në proceset integruese dhe të përshpejtohet rruga e saj drejt anëtarësimit në BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Ministrja kosovare theksoi se mbështetja e BE-së për Kosovën duhet të përkthehet në veprime konkrete, duke përfshirë përmbylljen e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe heqjen e masave të konsideruara të padrejta ndaj Kosovës.
“E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë e plotë pa Kosovën,” tha Gërvalla, duke shtuar se angazhimi konstruktiv i Kosovës për stabilitet rajonal është një faktor kyç për të gjithë kontinentin.