Mario Mitaj ngre trofeun në Arabinë Saudite – Kampion me Al-Ittihad dhe flamurin kuqezi mbi supe

Mario Mitaj shkruan histori në futbollin shqiptar duke u bërë lojtari i parë kuqezi që fiton titullin kampion në Ligën Profesioniste të Arabisë Saudite. Mbrojtësi i Kombëtares, pjesë e Al-Ittihad që nga janari, festoi me krenari trofeun, i mbështjellë me flamurin shqiptar në stadiumin “King Abdullah” të mbushur plot.
Al-Ittihad, ku luajnë edhe yje si Karim Benzema dhe N’Golo Kante, siguroi matematikisht titullin dy javë para përfundimit të sezonit, por festa kulmoi pas ndeshjes së fundit. Mitaj u bë menjëherë titullar pas transferimit, duke zhvilluar 21 ndeshje dhe shënuar një gol, kontribut i çmuar në suksesin e ekipit.
“Titulli i parë. Një falenderim i madh për shokët e skuadrës, stafin teknik, mjekësor dhe tifozët tanë që na mbështetën gjatë gjithë sezonit”, shkroi Mitaj në rrjetet sociale, duke reflektuar emocionin dhe mirënjohjen për këtë arritje.
Al-Ittihad synon tashmë të realizojë dopietën e sezonit, teksa të premten përballet në finalen e Kupës së Mbretit ndaj Al-Kadisiah.