Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Me mbështetjen e BE-së po ndërtojmë sistemin e ujitjes së Tearcës – Po sigurojmë ujitje për 300 hektarë tokë bujqësore

2 min read

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomizimit të Ujërave, Ljupço Nikolovski, së bashku me zëvendësambasadorin e Bashkimit Evropian, Julian Vassalo dhe kryetarin e Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri, sot kanë inspektuar ndërtimin e sistemit të ujitjes në Tearcë.

Sistemi i ujitjes në Tearcë është pjesë e projektit për ndërtimin e sistemeve të vogla të ujitjes me kosto të ulët, të mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. Me këtë projekt, pas sistemit të Tearcës, mbulohen edhe sistemet Pishica dhe Konopnica, ku tashmë ka filluar ndërtimi. Vlera e këtyre tre projekteve kapitale arrin në 2.3 milionë euro mjete të siguruara përmes fondeve IPA të BE-së.

 

Ndërtimi i këtij sistemi ndihmon më shumë se 120 fermerë, duke siguruar ujitje të rregullt të tokës bujqësore. Burimi kryesor i ujit nga i cili do të furnizohet ky sistem është lumi Bistrica. Sistemi i Tearcës gjithashtu siguron ujitje për 300 hektarë tokë bujqësore, duke mbuluar më shumë se 450 parcela në të cilat kultivohen kultura të ndryshme.

 

Ujitja me kohë dhe cilësore e sipërfaqeve bujqësore është prioritet për të cilin ne si ministri po punojmë, theksoi në fjalimin e tij ministri Nikolovski, duke falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen që e merr ministria në realizimin e këtij projekti.

“Përkrahja që marrim nga Bashkimi Evropian si shtet, por edhe si ministri, është domethënëse në zhvillimin e bujqësisë maqedonase. Së bashku me mbështetjen e Bashkimit Evropian, përmes fondeve IPA, po punojmë edhe në projekte të tjera kapitale përmes të cilave mundësojmë ujitjen e tokave bujqësore. Sistemi Slavishko Pole është në fazën përfundimtare dhe po punohet intensivisht edhe në sistemin e Çaushicës. Dy projekte të tjera kapitale për ujitjen e tokave bujqësore të mbështetura nga fondet IPA të Bashkimit Evropian, vlera e të cilave është 2.5 milionë euro. Me ndërtimin e këtyre sistemeve ne ofrojmë edhe ujitje për më shumë se 350 hektarë tokë bujqësore. Me mbështetjen e fondeve IPA janë siguruar mjete në vlerë prej 3,5 milionë euro për ndërtimin e sistemeve hidro për ujitje në Sopot dhe Novaci”, theksoi ministri Nikolovski në fjalimin e tij.

MBPEU dhe Qeveria po investojnë si asnjëherë më parë në realizimin e projekteve kapitale për ndërtimin e sistemeve të reja për ujitjen e tokave bujqësore.