Lulzim Basha dhe Donald Trump

Media prestigjioze britanike ka publikuar një shkrim investigues për kompaninë offshore “Alpha”, ku në aktivitetin e saj antiligjor del i përfshirë edhe kreu i Partisë së “vulës”, Lulzim Basha.

“BBC” hedh dritë mbi foton e bërë nga Lulzim Basha me ish-presidentin Donald Trump në mars të 2017, që përkon me fushatën zgjedhore në Shqipëri.

Media britanike thekson se firma e përfshirë “Biniatta Trade LP”, pagoi një lobist amerikan në emër të Lulzim Bashës për të realizuar foton me Trump-in.
Lobisti organizoi qasje te politikanët republikanë dhe një mbledhje fondesh dhe në fund rezultoi se financimet ishin bërë nga Rusia me vlerë 500 mijë dollarë.

“Përveç shfrytëzimit të këtij boshllëku, Alpha mund të ketë shkelur ligjin në lidhje me partneritetet skoceze. Në mars 2017, firma e përfshirë, Biniatta Trade LP, pagoi një lobist amerikan në emër të Lulzim Bashës, kreut të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Lobisti organizoi qasje te politikanët republikanë dhe një mbledhje fondesh, ku zoti Basha ishte në gjendje të bënte një fotografi me presidentin e atëhershëm Donald Trump – foto e përdorur më vonë në fushatën zgjedhore shqiptare. Raportet e vitit të kaluar sugjeruan se inteligjenca amerikane besonte se fushata zgjedhore e zotit Basha, slogani i të cilit ishte “Bëje Shqipërinë të Madhe Përsëri”, ishte mbështetur fshehurazi nga Rusia me 500,000 dollarë”, thuhet në shkrimin e “BBC”.
Ajo që është më e rëndësishme, është që pronësia e “Biniatta Trade LP” kishte lidhje me kompaninë “offshore” Alpha. Rezultoi se shtetasi rus i quajtur Maxim Trofimets, kishte pronësinë e “Biniatta Trade LP”, dhe kishte nënshkruar marrëveshje fshehurazi me “Alpha”-n.

“Pronësia e Biniatta-s ishte fshehur përmes sekretit të kompanive ‘offshore dhe drejtorëve të rremë, por dokumentet e zbuluara të Alpha përfshijnë një marrëveshje nga viti 2015, kur u krijua partneriteti, i cili emëronte pronarin përfitues si një shtetas rus i quajtur Maxim Trofimets. Në verën e vitit 2017, kur ligji për partneritetet skoceze ndryshoi, z. Trofimets nuk u deklarua si “personi i kontrollit të rëndësishëm” të Biniatta-s dhe një kandidat i Alpha deklaroi në mënyrë të rreme se firma kishte dhënë të gjithë informacionin që duhej. Të nesërmen, i njëjti kandidat i Alpha nënshkroi fshehurazi një marrëveshje të re autorizimi, duke rinovuar kontrollin e z. Trofimets mbi Biniatta”, thuhet më tej në shkrim.
Një tjetër detaj i publikuar nga “BBC” është se Basha nuk ka dashur të japë prononcim për këtë media, pasi kishte deklaruar në Këshillin e Evropës se nuk kishte konflikt interesi dhe se mund të bënte një raport mbështetës për rindërtimin e Ukrainës, pas pushimit rus. Po në fakt nga hetimet ka rezultuar se Basha ka pasur bashkëpunim me rusët.

“Në shtator të këtij viti, Këshilli i Evropës caktoi zotin Basha për të përgatitur një raport për mbështetjen e rindërtimit të Ukrainës pas pushtimit rus. Ai tha se nuk kishte konflikt interesi. “BBC” u përpoq të kontaktonte z. Trofimets dhe z. Basha, por ata nuk u përgjigjën”, thuhet në shkrim./CNA

By vull