Memli Krasniqi: PDK gati të formojë qeverinë brenda 48 orëve nëse Kurti dështon

Në prag të seancës konstituive të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të formojë qeverinë brenda 48 orëve nëse Albin Kurti nuk arrin të sigurojë shumicën e nevojshme parlamentare.
Sipas Krasniqit, në rast të dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të krijuar qeverinë, PDK do të marrë përgjegjësinë dhe do ta përfundojë procesin e formimit të ekzekutivit në një kohë rekord. Ai theksoi se bisedimet me partitë e tjera dhe pakicat mund të përmbyllen brenda dy ditësh.
“Nëse Kurti dështon, ne brenda 48 orëve i përfundojmë takimet dhe sigurojmë shumicën e nevojshme. Për ne ka qenë e rëndësishme të tregojmë një shembull ndryshe, të respektimit të ligjeve dhe Kushtetutës,” tha Krasniqi gjatë një interviste në *Rubikon*.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet pas 12 ditësh, ndërsa mbetet e paqartë nëse Albin Kurti do të arrijë të formojë qeverinë apo nëse vendi do të përballet me një skenar të ri politik.