Mexhiti mbështet Kasamin: Nëse ka rrugë me emra nga Rusia dhe Ukraina, pse të mos ketë edhe nga historia shqiptare?

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i pyetur për reagimet në lidhje me propozimin për emra të rinj të rrugëve në Tetovë, deklaroi se disa gjëra nuk duhet të përkthehen, duke i dhënë si shembull emrat “Kongrese dhe Manastire”, të cilat u kundërshtuan nga Lidhja e Luftëtarëve të Tetovës.
“Çfarë ka të keqe që në një qytet me shumicë shqiptare të ketë rrugë dhe institucione me emra të personaliteteve dhe ngjarjeve shqiptare?” – tha zëvendëskryeministri.
“Ne jemi pjesë e Maqedonisë së Veriut. Nga e gjithë bota ka emra rrugësh, por disa propozime shqiptare kundërshtohen. Më shumë janë të përfshira datat nga Rusia dhe Ukraina sesa nga historia shqiptare në Maqedoninë e Veriut.”
Ai shtoi përvojën e tij personale: “Kam jetuar në një rrugë ‘7 Korriku’, që është dita e kryengritjes serbe. Në atë rrugë nuk kishte asnjë serb. Pra, mund të ketë emra nga historia serbe dhe ruse, qytete nga Ukraina dhe nga e gjithë bota, por nuk mund të ketë emra nga historia shqiptare?”
Zëvendëskryeministri Mexhiti theksoi gjithashtu se qindra rrugë në Maqedoninë e Veriut mbajnë emra të lidhur me Luftën Çlirimtare, e që, sipas tij, nuk do të thotë se nuk duhet të ketë rrugë me emra shqiptare që do të pasqyrojnë realitetin multietnik të shtetit.