Mexhiti: Po punojmë për zgjidhje afatgjata që do t’i japin fund ndotjes

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, në intervistën e djeshme për “Analiza 24”, theksoi se Qeveria është plotësisht e përkushtuar në zgjidhjen e problemit të ndotjes, ndërsa ndër masat kryesore do të jenë gazifikimi dhe reformat në transportin urban.

Sipas tij, këto masa do të çojnë në uljen e ndotjes me 50-70% dhe do të reduktojnë çmimin e ngrohjes qendrore për qytetarët.

“Inspektorati është çdo ditë në terren, si për çështjet e transportit, ashtu edhe në luftën kundër ndotjes. Jemi rigorozë për këtë çështje, por këto masa vetëm e zbusin problemin, nuk e zgjidhin plotësisht,” deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, i pyetur për efektivitetin e inspektorateve në terren.

Përveç gazifikimit, zëvendëskryeministri Mexhiti theksoi edhe projektet për “car-sharing”, mbështetjen për kompanitë private të taksive dhe përmirësimin e transportit publik.

Duke zbuluar masat e Qeverisë, Mexhiti shpjegoi: “Po ndihmojmë edhe me nisma private, si projekti “car-sharing”, ku së shpejti do të prezantohen një mijë automjete. Gjithashtu, jemi në negociata me Unionin e Taksistëve për të mbështetur zëvendësimin e 200-250 makinave nga gaz, naftë dhe benzinë në makina elektrike. Është në procedurë edhe ulja e TVSH-së nga 18% në 2,9%. Si Qeveri, përveç gjashtë autobusëve elektrikë që i dhuruam për qytetin e Shkupit, planifikojmë të mbështesim edhe komuna të tjera që kanë transport urban me blerjen e 100-120 autobusëve elektrikë. Ekzistojnë edhe masa shtesë me të cilat besojmë se më në fund do ta zgjidhim këtë problem.”

Për më tepër, zëvendëskryeministri Mexhiti është i bindur se kësaj radhe gazifikimi do të ketë sukses dhe do të shërbejë si bazë për përmirësimin e efiçencës energjetike dhe uljen e ndotjes.

“Ne jemi të përkushtuar plotësisht për të zgjidhur shkaqet e problemit. Jam i bindur se këtë herë gazifikimi, së bashku me sistemet kogjenerative që do të sjellin një mënyrë të re të furnizimit me energji për qytetarët, do të ulë çmimin e ngrohjes qendrore dhe me këtë do të zvogëlojmë ndotjen me 50-70%.”

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights