Ministri Lutkov dhe zv.ministri Sulejmani në vizitë pune në Gostivar

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, së bashku me zëvendësministrin Sedat Sulejmani, po qëndrojnë sot në një vizitë pune në Komunën e Gostivarit. Vizita synon forcimin e bashkëpunimit institucional dhe vlerësimin e gjendjes së trashëgimisë kulturore në këtë komunë me rëndësi historike dhe etnokulturore.
Siç bëhet e ditur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, dy zyrtarët do të vizitojnë disa nga institucionet kulturore dhe objektet më të rëndësishme të trashëgimisë në Gostivar, për të vlerësuar nevojat për restaurim dhe promovim të mëtejshëm të tyre.
Ndër objektet që do të vizitohen përfshihen Shtëpia e Begut, Shtëpia e Ahmed Çakos, Sahat Kulla, Medreseja, kisha “Shën Dimitri” si dhe Xhamia e vjetër në fshatin Raven – të gjitha me vlera të veçanta historike, arkitektonike dhe shpirtërore.
Kjo vizitë nënvizon rëndësinë e trashëgimisë kulturore si faktor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm turistik dhe për ruajtjen e identitetit të përbashkët multikulturor në vend.