Thursday, July 25, 2024
spot_img

Mirënjohës të devotshëm ndaj Krijuesit tonë

Mesazh për Bajram

 

 

“Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.” (El En’am, 162)

 

Nga Afrim Tahiri

 

Të dashur motra e vëllezër, besimtarë myslimanë!

Ju qoftë për hajër festa e Bajramit të Kurbanit! Paçi shëndet, mbarësi dhe jetë të lumtur, gjithnjë të ndërgjegjshëm se, shëndeti, mbarësia dhe lumturia janë për secilën krijesë të Zotit të Madhërishëm, dhe një ditë, të gjitha këto ia kthejmë Krijuesit tonë!

Ajeti i nënvizuar në krye të këtij mesazhi na e bën të qartë se, lutjet tona të përshpirtshme, namazi ynë, kurbani ynë, në fakt sakrifikimet që i bëjmë për ta arritur kënaqësinë e Allahut Mëshirëplotë, pastaj, vetë jeta jonë sikundër edhe vdekja, i përkasin vetëm Krijuesit tonë! Pra, gjthçka që bëjmë, çdo gjë që na mbanë të gjallë, të dinjitetshëm, me integritet e me devotshmëri, një ditë, duhet t’ia kthejmë Atij që na i dha!

Zoti na e dha jetën dhe na urdhëroi që atë ta përmbushim vetëm me vepra të mira, ta kalojmë duke bërë vepra të mira, ta jetojmë në lutje e në ibadete, në falënderime e në madhërim të Zotit tonë, të kurbanizojmë (sakrifikojmë) gjërat tona më të shtrenjta, më sublime, dhe me ato sakrifica ta shtojmë gëzimin, lumturinë, kënaqësinë e tjetrit, të mbarë njerëzimit, sepse, paqa, qetësia, harmonia ia shtojnë vlerën lutjeve tona të devotshme që ia drejtojmë Krijuesit tonë.

Si t’ia kthejmë jetën Allahut Mëshirëplotë nëse atë e kemi përplotë me gjurmë të tradhëtisë, të gënjeshtrës, të vjedhjes, si ta kthejmë këtë jetë nëse e kemi njollosur me imoralitet dhe me amoralitet, me haram e me veprime të padenja për një besimtar të sinqertë.

Tundimi është një “armë” e djallit e dedikuar për ta joshur sidomos besimtarin. Nuk ka besimtarë i cili nuk është tunduar njëherë në jetë, apo edhe disa herë. Por, prandaj ekziston edhe pendimi, teubja, të cilin Zoti e pranon vetëm nëse bëhet në emër të Tij dhe nëse i premtohet se nuk ka më shkarje nga Rruga e Tij!

Pra, jetën tonë, që e kemi amanet prej Zotit, duhet ta ruajmë të pastër e të shenjtë, ta kalojmë të kënaqur e të lumtur dhe kjo gjithnjë të na mbajë të zgjuar e në vetëdije të plotë për ta falënderuar vetëm Krijuesin tonë, kënaqësinë e Të Cilit do ta arrijmë duke bërë vepra të mira, vepra humane, duke përhapur vetëm mirësi e dashuri. Dhe në fund, kur do ta dorëzojmë këtë amanet, do të jemi të stërlumtur që po e kthejmë të begatë me lutje e me namaze, me pendime e me pretime të përshpirtshme, me sakrifica që i kemi bërë vetëm në emër të Krijuesit dhe me synim për ta arritur kënaqësinë e Tij.

Të dashur besimtarë, le të shkojnë urimet tona të para për prindërit tanë, vëllezërit, për motrat tona që i kemi në viset e shenjta në kryerje të Haxhit. T’ju urojmë shëndet, haxh e ibadete të pranuara dhe kthim të mbarë në gjirin familjar. Ky haxh e ky Bajram, le të jenë lutje të botës, të njerëzimit të shëndoshë drejtuar Allahut Mëshirëplotë për të vënë dorë mbi Palestinë dhe për ta shpëtuar popullin palestinez që po sakrifikon shumë për liri, dinjitet, fe dhe atdhe.

Le ta gëzojmë secili nga ne një të varfër, një skamnor, një të pamundur, duke ia zgjatur dorën tonë humane.

Gëzime e lumturi në secilën shtëpi të besimtarëve.

Paçim bekimin e të Madhit Zot!

 

(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së)

TE NDRYSHME

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

TE FUNDIT