Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

MORAL I KORRUPTUAR

3 min read

Midis nesh

 

MORAL I KORRUPTUAR

 

Një nga shkrimtarët e Kosovës që ishte prezent në Panairin e sivjetmë të librit në Tiranë, në një postim të tij do deklarojë se brenda dy orëve sa kishte qëndruar në stendën ku ishin ekspozuar për shitje dy libra të tij, kishte arritur që në gjashtë syresh të japë nënshkrimin. Pra i ishin shitur vetëm gjatë libra. Ai, pas kësaj, do të shprehet se diçka nuk është në rregull me të dhe se ndoshta do t’i duhet të ecë cepave të pikëpyetjes.

Me siguri të gjithë u bindën se kush janë mjeshtërit e shfrytëzimit të Panairit për të bërë një biznes sado kudo të mirë, por edhe se kush e kontrollon këtë “festë” të librit. Natyrisht, tashmë të gjithë e kanë të qartë se si funksionon propaganda, e cila një vepër koti arrin ta bëjë që t’u shitet atyre që presin radhë, por të cilët nuk e dinë se çfarë blejnë. Dhe, me apo pa vetëdije, pjesë e lojës së kësaj propagande të tejdukshme, u bënë edhe disa emra, për të cilët disa vlerësojnë se janë krijues cilësor.

Për librin më të mirë natyrisht se konkurrojnë të gjithë autorët shqiptarë, të cilët edhe kësaj radhe nuk ishin të paktë. Që vërtet të lexohen të gjithë autorët shqiptarë, atëherë do të duhet që panairi të zgjasë realisht ndoshta edhe më tepër se dy muaj për të arritur te libri më i mirë ose të shkrimtari më i mirë. Por, ja që edhe kësaj radhe vijoi avazi i vjetër. Shkrimtari dhe filozofi amerikan, Eric Hoffer, ka thënë se: propaganda nuk i mashtron njerëzit, por thjeshtë i ndihmon që ata ta mashtrojnë veten.

Ndryshimi në qasjen e organizimit të Panairit të librit, gjithsesi duhet të prekë edhe çmimet tradicionale që jepen për çdo vit. Nuk është e mundur, as teoritikisht, që brenda 4-5 ditëve sa zgjat panairi të lexohen të gjithë autorët shqiptarë për të sjellë një vlerësim objektiv, pavarësisht arsyetimit (?!) se disa botime nga ana e jurisë janë lexuar si dorëshkrime, gjë që është në kundërshtim me të gjitha elementet e një vlerësimi objektiv dhe të qëndrueshëm, përfshi edhe ato që ndërlidhen me çështje morale.

Veprimet e deritanishme në këtë plan jo që janë qesharake, por edhe të turpshme. Megjithatë, maja e ajsbergut është heshtja e komunitetit të shkrimtarëve, por edhe të botuesve, të cilët fare nuk ndjejnë se diçka nuk është në rregull apo edhe ata mendojnë se mendimi i famshëm i Pierr de Kuberteni , “me rëndësi është pjesëmarrja” (dhe jo kush fiton), vlen edhe për panairet e këtilla. A do të thotë kjo se edhe këto komunitete janë pjesë e moralit të korruptuar!

Ciceroni rreth mashtrimit kishte thënë: Nëse ta hedhin një herë, të kap mërzia. Nëse ta hedhin dy herë, shfaqe paaftësia. Nëse ta hedhin tre herë, të mbetet vetëm turpi.

Nuk do të kishim dashur që si shoqëri të na mbetet turpi…

/HEJZA/