Myftinia e Tetovës falënderon Qendrën e Shëndetit Publik për përkujdesjen ndaj haxhilerëve

Myftinia e Tetovës ka shprehur falënderim të veçantë për Qendrën e Shëndetit Publik në Tetovë dhe drejtorin e saj, z. Shpend Ahmeti, për angazhimin profesional dhe përkujdesjen e treguar gjatë vaksinimit të haxhilerëve të Tetovës.
Në një letër mirënjohjeje të nënshkruar nga Myftiu Dr. Hfz. Selver Xhemaili, theksohet se stafi i QSHPT-së ka treguar jo vetëm përkushtim institucional, por edhe ndjeshmëri njerëzore ndaj një procesi me rëndësi të veçantë shpirtërore për besimtarët.
“Angazhimi i stafit tuaj dhe mbështetja juaj personale treguan ndjeshmëri dhe respekt për një nga shtyllat më të rëndësishme të fesë islame — Haxhin. Lutemi që Zoti t’ju shpërblejë me shëndet, sukses dhe mirësi në punën tuaj fisnike në shërbim të qytetarëve tanë,” thuhet mes tjerash në letrën e falënderimit.
Ky gjest vjen si dëshmi e bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet institucioneve fetare dhe atyre shëndetësore, në funksion të garantimit të sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.