Myftiu i Tetovës dhe personalitete të shquara në akademinë solemne për 7 Marsin

Myftiu i Tetovës, Dr. Hfz. Selver Xhemaili, me ftesë të Universitetit të Tetovës (UT), mori pjesë në akademinë solemne të organizuar me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit. Ky event, i mbajtur në ambientet e UT-së, mblodhi personalitete nga fusha e arsimit, fesë dhe biznesit, të cilët nderuan kontributin e mësuesve në edukimin dhe zhvillimin e shoqërisë.
Gjatë ceremonisë, filantropi dhe biznesmeni i njohur tetovar, Lazim Destani, u nderua me Çmimin Kombëtar “Fadil Sulejmani”. Ky çmim, që mban emrin e rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, jepet për figura të shquara që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në arsim, kulturë dhe zhvillimin e kombit. Destani, përmes angazhimit të tij filantropik dhe investimeve në arsim, është një ndër përkrahësit kryesorë të edukimit dhe progresit të shqiptarëve në rajon.
Akademia solemne ishte një mundësi për të reflektuar mbi rolin e mësuesit si shtyllë kryesore e zhvillimit të shoqërisë dhe për të shprehur mirënjohje ndaj tyre. Universiteti i Tetovës vazhdon të ruajë traditën e nderimit të figurave të shquara dhe të promovojë vlerat e arsimit si një mjet kyç për përparimin e kombit.
Lavdi dhe respekt për mësuesit! Urime 7 Marsin – Ditën e Mësuesit!