Nesër përcillet në banesën e fundit Artan Lame, homazhet në Akademinë e Shkencave

Artan Lame, publicisti dhe studiuesi i njohur i historisë shqiptare, do të përcillet nesër në banesën e fundit, pas ndarjes nga jeta më 23 maj në Mynih, në moshën 58-vjeçare.
Familjarët kanë bërë të ditur se pritjet në nderim të tij do të zhvillohen sot (e hënë), deri në orën 20:00, pranë agjencisë funerale “Alba 2000” në Rrugën e Durrësit, Tiranë.
Ndërkohë, homazhet publike do të mbahen të martën, më 27 maj, nga ora 10:00 deri në 12:00, në ambientet e Akademisë së Shkencave, salla “Libri Enciklopedik”. Më pas, në orën 12:00, Lame do të përcillet në banesën e fundit në varrezat e Sharrës.
Artan Lame lindi në Tiranë në vitin 1967, me origjinë nga fshati Qytezë i Kolonjës. Ai la një trashëgimi të vyer si publicist, opinionist, veprimtar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe një figurë e angazhuar në shoqërinë civile dhe në jetën publike shqiptare.