Nga Drenoveci nis zëvendësimi i rrjetit të ujësjellësit – investim i ri për furnizim të sigurt me ujë

Në kuadër të planit për modernizimin e infrastrukturës së ujësjellësit, ndërmarrja publike “Sharri” ka filluar sot punimet për zëvendësimin e linjave të vjetra të furnizimit me ujë të pijshëm në qytetin e Tetovës.
Aktualisht, ekipet e NP “Sharri” po punojnë në lagjen Drenovec, ku po ndërrohen tubacionet e amortizuara me linja të reja, më moderne dhe me kapacitete të mjaftueshme për nevojat e banorëve.
Ky projekt i rëndësishëm pritet të vazhdojë pa ndërprerje edhe në lagjet tjera të qytetit, gjithkund ku rrjeti ekzistues është i vjetruar dhe paraqet pengesë për furnizim të qëndrueshëm me ujë.
Nga NP “Sharri” u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që përballen me probleme në furnizimin me ujë të pijshëm të paraqiten pranë zyrave të ndërmarrjes, ku çdo rast do të trajtohet me prioritet dhe do të ofrohet zgjidhje e menjëhershme.
Zyrtarët theksojnë se problemi kryesor nuk qëndron tek mungesa e ujit – pasi ujë ka mjaftueshëm për të gjithë qytetin – por tek gjendja e rënduar e rrjetit të tubacioneve, të cilat janë të vjetra dhe me kapacitet të ulët.
NP “Sharri” dhe Komuna e Tetovës shprehin përkushtimin e tyre për të garantuar furnizim të rregullt, të sigurt dhe cilësor me ujë për çdo shtëpi në Tetovë.