Nga Drita ne Amerike e deri tek Lola ne Nigeri: Ku jane sot aktoret e Njerez dhe Fate dhe si duken

3 min read

Telenovela e parë shqiptare “Njerëz dhe Fate” ishte një telenovelë e cila u pëlqye jashtëzakonisht shumë nga publiku, jo vetëm se ishte telenovela e parë, por edhe për shkak të historisë që ajo kishte, duke pasqyruar realitetin shqiptarë të asaj kohe.

 

Të kesh pjesë të kastit një prej emrave më të mëdhenj të kinematografisë shqiptare, atëherë gjysmën e suksesit e ke të garantuar. Kështu ndodhi edhe me Robert Ndrenikën, i cili ishte pjesë e padisktuar e suksesit të kësaj telenovele.

Ai interpretonte rolin e një ish-regjisori të vjetër të Kinostudios, “Durim Guri”, që ishte baba i tre fëmijëve, Lola, Era dhe Flori. Pas këtij seriali ai është ngjitur në skenë me të tjerë personazhe në teatër e kinematografi, por në fillim të vitit 2015-të Ndrenika iu nënshtrua një operacioni në zemër, që fatmirësisht doli me sukses.

Pavlina Mani

“Drita” është roli i Pavlina Manit në telenovelën më të famshme shqiptare. Mani dhe Ndrenika ndërtuan çiftin ideal të aktorëve duke interpretuar me aq thjeshtësi dhe origjinalitet bashkëshortët intelektualë, që patën shumë probleme me fëmijët e tyre. Aktorja Pavlina Mani u shpërngul vite më parë në Amerikë, së bashku me bashkëshortin e saj aktorin Pirro Mani. Pirro Mani fatkeqësisht ka ndërruat jetë një vit më parë në New York.

Arben Derhemi

Ai ka interpretuar edhe në moshë të re (ka luajtur një rol në episodik në filmin “Një vajzë dhe një djalë”), por publiku shqiptar e njeh më së shumti me rolin e Florit, djalin çapkën në telenovelën “Njerëz dhe Fate”.

Derhemi duket se u fut menjëherë nën lëkurën e djemëve “problematikë” dhe të shkathët shqiptarë, duke e sjellë shumë pranë realitetit personazhin e tij.

Për aktorin Derhemi rrjedha e aktrimit ka vijuar normalisht në kinematografi e teatër, madje ai ka eksperimentuar duke sjellë në skenë edhe monodramën “Johan Padan dhe Amerikat”. Aktualisht është i martuar me gazetaren Iva Korumi dhe janë prindër të një vajze me emrin, Darlina.

Eni Jani

E kush nuk e mban mend Erën, gjimnazisten e shkëlqyer e cila kishte shumë ëndrra për jetën. Aktorja Eni Jani pas këtij personazhi, u bë sigurisht më e famshme dhe më e njohur për publikun shqiptar. Duket sikur karriera e Janit pas kësaj telenovele u përqëndrua më shumë në teatër ku ka interpretuar në vepra të famshme “Vdekja e një mbretëreshe”, “10 vjet martesë”,” Me dyer të mbyllura”, etj.

Ajo ka sjellë gjithashtu si regjisore disa vepra në skenën e Teatrit. Jani është martuar me aktorin Genc Fuga dhe janë prindër të dy fëmijëve. Ajo ka qenë për dy sezone regjisore dhe ideatore e programit të mëngjesit në “TVSH”.

Valbona Imami

Lola, vajza e madhe e familjes Guri, interpretohej në këtë telenovelë nga aktorja Valbona Imami. Imami është larguar prej kohësh nga Shqipëria pasi është martuar me ekonomistin e huaj, Evan Scott Thomas.

Disa kohe me pare u be me dije se Valbona jetonte mes Amerikes dhe Nigerise, pasi bashkeshorti i saj amerikan, Evan Scott Thomas ishte me mision ne Abuja. Por aktorja eshte shume e terhequr jo vetem nga ekrani, por edhe nga rrjetet sociale..

Arta Muçaj

Në fillimet e karrierës së saj ajo ka interpretuar rolin e Rozarias në shfaqjen “Gënjeshtarja”, më pas në rolin e Lusit te “Vdekja e Dantonit”, ndërsa Kiço Londo i ofroi një rol në “Kujdes, kafshon”, ku aktorja luajti përkrah aktorëve të njohur Ndriçim Xhepa dhe Yllka Mujo.

Por aktorja kosovare, Arta Muçaj u bë e njohur në Shqipëri nëpërmjet rolit të “Didit” në këtë telenovelë. Në vitet 2000 veç rolit në serial ajo u përfol edhe për historinë e dashurisë me rrokerin e famshëm, Bojken Lako, që për aktoren ka qenë një lidhje perfekte, që përfundoi pa shkak. Aktorja jeton tashmë në kontinentin e largët australian, ku pas divorcit nga bashkëshorti vijon karrierën si aktore atje.