Nga e premtja, publikimi i çmimeve në uebfaqe bëhet obligim ligjor për marketet, barnatoret dhe dyqanet e pajisjeve

Nga data 18 prill, të gjithë tregtarët që ushtrojnë veprimtari me pakicë – përfshirë marketet ushqimore, barnatoret, si dhe dyqanet e teknikës dhe mobileve – janë të obliguar të publikojnë çmimet e produkteve në uebfaqet e tyre zyrtare. Ky detyrim buron nga ndryshimet e miratuara në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe është pjesë e përpjekjeve për të rritur transparencën dhe informimin e qytetarëve.

Ministria e Ekonomisë ka miratuar Rregulloren përkatëse brenda afatit 45-ditor të përcaktuar pas botimit të ligjit në Gazetën Zyrtare më 4 mars. Rregullorja përcakton mënyrën, formatin dhe të dhënat që duhet të përfshihen në publikimin e çmimeve nga ana e tregtarëve.

Sipas rregullores, çdo tregtar i vogël, i mesëm apo i madh duhet të krijojë në uebfaqen e tij një seksion të veçantë të titulluar “Çmimore”, ku do të publikohen në mënyrë të qartë dhe të qasshme:

  • Çmimi aktual i shitjes;

  • Çmimi për njësi;

  • Çmimi promocional ose me zbritje (nëse ka), bashkë me:

    • çmimin e rregullt,

    • përqindjen dhe shumën e zbritjes,

    • kohëzgjatjen e promocionit.

Publikimi i çmimeve duhet të jetë i hapur për publikun, pa nevojë për regjistrim ose identifikim shtesë. Të dhënat duhet të jenë të përditësuara çdo ditë deri në orën 10:00. Në rast të ndonjë gabimi teknik pa dashje, tregtari ka obligim ta korrigjojë atë brenda 24 orëve.

Ky hap përforcon rolin mbrojtës të ligjit ndaj konsumatorëve, duke i pajisur ata me informacione të sakta dhe në kohë reale për të bërë zgjedhje të informuara.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights