Nga kritika të ashpra në afrim të hapur – Taravari përgatit terrenin për BDI-në

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka ndezur debat të madh politik me deklaratën e tij në një intervistë për gazetën “Lajm”, ku u shpreh se “nuk është tragjike nëse bashkëpunojmë me BDI-në në rrethin e dytë”. Kjo deklaratë ka ardhur në një moment kritik për opozitën shqiptare, e cila është përballë sfidës më të madhe të unitetit përballë pushtetit të gjatë të BDI-së.
“Jo çdo bashkëpunim është tragjik apo i dëmshëm, varet nga rrethanat,” deklaroi Taravari, duke hapur rrugën për një mundësi reale të afrimit me partinë që vetë Aleanca kishte akuzuar për kapje të shtetit dhe korrupsion.
Deklarata e tij vjen vetëm një ditë pasi Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti – partner në koalicionin VLEN – shpërtheu ndaj Taravarit duke e akuzuar për prapaskena, pazare me BDI-në dhe përçarje të qëllimshme të opozitës.
“Vendimi i Taravarit për të garuar me lista të ndara nuk ka as mbështetjen e anëtarësisë së ASH-së dhe as të opinionit opozitar. Kjo është një lojë e pistë që synon të rikthejë BDI-në nga vdekja klinike. Dhe kjo, me ndihmën e një njeriu që pretendon të jetë opozitar,” u shpreh Mexhiti në një deklaratë të prerë nga Shkupi.
Deklaratat publike të Taravarit po shkojnë gjithnjë e më shumë në një linjë të ngjashme me atë të BDI-së, duke konfirmuar, sipas Mexhitit, dyshimet për një bashkëpunim të orkestruar që ka muaj që zhvillohet në prapaskenë. Ai akuzoi drejtuesin e ASH-së se është vënë në shërbim të një skenari që synon përçarjen e VLEN-it dhe shpëtimin politik të BDI-së.
“Populli do ta kuptojë shumë shpejt çmimin e kësaj marrëveshjeje dhe Taravari do të japë llogari, jo vetëm para VLEN-it, por para gjithë shqiptarëve,” theksoi Mexhiti./Kohanews