Nikolloski për huanë prej gjashtë miliardë euro: Nuk e di se si u plasua informacioni, por pjesa që do të marrim hua kaq shumë u transmetua gabimisht

Nuk e di se si u plasua kjo në opinion, por pjesa që shteti do të marrë hua kaq shumë u transmetua gabimisht, tha sonte zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski në lidhje me informacionin se Qeveria planifikon të marrë një hua prej gjashtë miliardë euro nga një vend evropian.

Në një paraqitje në televizionin Sitel, Nikolloski theksoi se çështjet që kanë të bëjnë me kredinë duhet të paraqiten më qartë. Shteti, tha, po punon në një cikël të madh investimesh që duhet të përfshijë autostrada, rrugë rajonale dhe të shpejta, infrastrukturë hekurudhore, spitale, arsim… dhe për të gjitha këto projekte, disa nga mjetet janë siguruar tashmë në kuadër të buxhetit, dhe disa do të merren hua “siç bën çdo vend normal perëndimor shumë i zhvilluar kur investon në projekte të tilla”.

Detajet se për cilat projekte specifike do të shpenzohen paratë do të dihen, vuri në dukje ai, pas një ose dy muajsh. Diskutimet janë ende duke vazhduar dhe janë në një fazë shumë të avancuar.

Sipas ministrit, ambicia numër një e Qeverisë është të ndërtojë një hekurudhë të shpejtë në Korridorin 10, nga kufiri me Serbinë deri në kufirin me Greqinë, nga Tabanoca deri në Gjevgjeli. Hekurudha do të ketë dy linja, një kargo linjë që do të lëvizë me një shpejtësi prej 120 kilometrash në orë dhe një linjë pasagjerësh me një shpejtësi prej 160 – 200 kilometrash në orë. Kargo linja do jetë me gjatësi të trenave deri në 750 metra, që është maksimumi kudo në botë dhe do ta bëjë Maqedoninë shumë konkurruese, ndërsa linja e pasagjerëve do të lejojë udhëtimin nga Shkupi në Selanik për një orë e gjysmë deri në një orë e 40 minuta. Kur serbët të përfundojnë pjesën e tyre, udhëtimi nga Shkupi në Beograd do të zgjasë 2.5 orë, nga Shkupi në Budapest 4.5 orë dhe nga Shkupi në Vjenë gjashtë orë.

“Nuk e di se si u plasua informacioni në opinon, por pjesa që shteti do të marrë hua kaq shumë u transmetua gabimisht. Duhet t’i paraqesim gjërat më qartë. Po punojmë në një cikël të madh investimesh që duhet të mbulojë sektorë të shumtë, autostrada, rrugë rajonale dhe të shpejta, infrastrukturë hekurudhore, spitale, arsim. Po flasim për projekte aktuale dhe të reja, si dhe projekte që duhet të ndryshojnë imazhin e Maqedonisë. Por kjo nuk do të thotë që një sasi e caktuar parash do të huazohet nga një vend, por përkundrazi disa nga mjetet janë siguruar tashmë në kuadër të buxhetit, dhe disa do të huazohen siç bën çdo vend normal perëndimor shumë i zhvilluar kur investon në projekte të tilla”, vuri në dukje Nikolloski.

Ai pret që hekurudha e pasagjerëve të jetë gati në më pak se pesë vjet dhe të jetë funksionale deri në vitin 2031.

Nikolloski kujtoi se aktualisht po ndërtohen katër autostrada, ndërsa ambicia është të hapet edhe një tjetër.

“Aktualisht po ndërtojmë katër autostrada paralelisht me ambicien për të hapur një të pestë. Po ndërtojmë Tetovë – Gostivar, po ndërtojmë Gostivar – Bukojçan, po ndërtojmë Gostivar – Kërçovë, Kërçovë – Ohër që është në një fazë shumë të avancuar, po ndërtojmë Prilep – Manastir dhe përveç kësaj kemi një tender aktiv për Kërçovë – Bukojçan. Po ndërtohen autostrada ekspres, faza e dytë e autostradës ekspres Prilep – Gradsko, seksioni nga Drenova në Farish është drejt përfundimit dhe do ta lëshojmë për komunikacion. Këtu është pjesa nga Bogdanci deri në Gjevgjeli, kemi edhe rrugë të tjera rajonale”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.

Në pyetjen për qëndrimin e ministrit bullgar i cili thotë se pritet që Maqedonia të vendosë për hekurudhën, Nikolloski është decid: “Lidhur me këtë çështje, përveç meje edhe opinioni është i lodhur nga justifikimet nga pala tjetër. Në këtë çështje ka fjalë dhe vepra/ Aktualisht, ka shumë fjalë për Korridorin 8, por vepra ka vetëm në Maqedoni. Fatkeqësisht, dy vendet e tjera nuk po bëjnë asgjë në fushën e infrastrukturës hekurudhore. Në këtë moment, vetëm Maqedonia po ndërton hekurudhë në Korridorin 8”, nënvizoi Nikolloski.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights