Nis realizimi i linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII

Segmenti i parë i Korridorit VIII, linja hekurudhore Durrës–Rrogozhinë, ka hyrë në fazën e realizimit, duke u kthyer në një alternativë të rëndësishme transporti për qytetarët dhe një hallkë kyçe për lidhjen rajonale. Marrëveshja për financimin e këtij projekti u nënshkrua në Tiranë mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Europiane të Investimeve, ndërsa zëvendëskryeministrja Belinda Balluku bëri të ditur se projekti i plotë do të jetë gati brenda vitit dhe pritet të përfundojë në vitin 2028.
Projekti me vlerë totale 121 milionë euro financohet përmes një granti të BE-së prej 60,5 milionë euro, një huaje 30 milionë euro nga BEI Globale dhe një huaje shtesë nga BERZH. Linja 34 km e gjatë përfshihet në rrjetin TEN-T dhe është pjesë e planit ekonomik të BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke lidhur portin e Durrësit me Italinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, përmes një korridori strategjik energjetik e infrastrukturor.