Një ditë për gjithçka: diell, erë, shi dhe bubullima në horizont

Sot pritet mot me vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell në gjithë vendin. Megjithatë, qytetarët nuk duhet të mashtrohen nga pamja e parë, pasi kah fundi i ditës dhe gjatë natës do të ketë reshje lokale të shiut dhe kushte për bubullima. Era do të fryjë e dobët deri në mesatare, ndërsa përgjatë luginës së Vardarit do të jetë më e përforcuar nga drejtimi juglindor.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 5 deri në 11 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të ngjiten nga 19 deri në 23 gradë, duke sjellë një ndjesi pranverore, por me kthesa të papritura atmosferike.
Edhe në Shkup, dita do të nisë me mot të ngjashëm – vranësira të pjesshme dhe periudha me diell. Kah mbrëmja pritet të ketë reshje të shiut të shoqëruara me bubullima, ndërsa era do të jetë e matur dhe në disa zona e përforcuar nga drejtimi juglindor. Temperatura minimale do të zbresë në 10 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë në 23 gradë Celsiusë.
Qytetarët këshillohen të kenë me vete çadrën dhe të jenë të përgatitur për ndryshime të shpejta të motit, sidomos gjatë mbrëmjes dhe natës.