Të gjitha në peshore, pastaj në aeroplan: “Air New Zealand” do të masë peshën e pasagjerëve
Hiqni këpucët. Nxirrni çelësat nga xhepat. Hipni në peshore. Autoriteti i Aviacionit Civil të Zelandës së Re do t’i kërkojë transportuesit kombëtar të vendit të regjistrojë peshën e njerëzve që hipin në fluturime ndërkombëtare nga Aeroporti i Auckland duke filluar nga 2 korriku 2023, raporton CNN.
Programi, të cilin Airlines New Zealand e quan “anketimi i peshës së pasagjerëve”, synon të mbledhë të dhëna për ngarkesën dhe shpërndarjen e peshës në avionë.
“Ne masim peshën e çdo gjëje që shkon në aeroplan, nga ngarkesa te ushqimi dhe bagazhet”, thotë specialisti i përmirësimit të kontrollit të ngarkesave, Alastair James.
E megjithatë – pesha e një personi është informacion personal që jo të gjithë do të donin ta zbulonin. Për të ruajtur informacionin, linja ajrore planifikon ta bëjë anonim.
Pasagjerëve do t’u kërkohet të kalojnë në peshoren elektronike kur bëjnë check-in për fluturime. Informacioni mbi peshën do të përdoret për qëllime studimi, por nuk do të shfaqet në monitorët e punonjësve.
Bagazhet e dorës së pasagjerëve do të peshohen veçmas.
Nuk është hera e parë që linjat ajrore të Zelandës së Re duan të peshojnë pasagjerët e tyre. Një kërkesë e ngjashme ka pasur edhe në vitin 2021, por për shkak të pandemisë studimi është shtyrë.