Koha News

Ke Çfarë Lexon!

Një vit pa Rexhail Qerimin, Taravari: Drejtësia duhet të vihet në vend!

2 min read
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, kujton Rexhail Qerimin nga rasti “Alfa”, i cili ndërroi jetë në burg.
Taravari thotë se Rexhaili u burgos nën akuza të trilluara në rastin e montuar politik “Alfa”. Ai kërkon që drejtësia të vihet në vend, fajtorët e vërtetë dhe ata që e montuan rastin “Alfa” të identifikohen dhe të japin llogari.
“Sot, një vit më parë Rexhail Qerimi ndërroi jetë në duar të shtetit në burgun famëkeq të Idrizovës, ku ai mbahej padrejtësisht. Rexhaili u burgos nën akuza të trilluara në rastin e montuar politik “Alfa”, ku dëshmitë materiale flisnin qartë për pafajsinë e tij. Rexhaili pra ishte një i burgosur politik i cili u bë kurban i pazareve midis politikës antishqiptare dhe gjyqësorit të kapur. Ekspertiza e pavarur e vitit 2021, e porositur nga pala mbrojtëse dhe familjet, ka konfirmuar atë që të gjithë e dinim: se shqiptarët e akuzuar padrejtësisht në këtë rast janë të pafajshëm. Gati dy vite më vonë, asgjë nuk ka lëvizur, sepse drejtësia ngelet e verbër karshi provave materiale dhe selektive në qasje kur është fjala për shqiptarët. Drejtësia duhet të vihet në vend për Rexhailin, familjen e tij dhe të bashkakuzuarin e tij. Fajtorët e vërtetë dhe ata që e montuan rastin “Alfa” duhet të identifikohen dhe të japin llogari”- thekson përmes një postimi në rrjetet sociale, Arben Taravari, Kryetar i ASh-së.
Taravari e mbyll postimin se Rexhaili do të mbahet mend përgjithmonë si aktivist i dalluar i çështjes kombëtare dhe si ushtar lirie.

Verified by MonsterInsights