OKB, Gërvalla – Ftesë Këshillit të Sigurimit për të vizituar Kosovën dhe për të parë realitetin në veri

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë fjalimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i bëri thirrje shteteve anëtare të vizitojnë Kosovën, veçanërisht komunat veriore me shumicë serbe, për të parë realitetin nga afër dhe për të mos u bazuar në raporte të deformuara që nuk pasqyrojnë gjendjen faktike. Ajo theksoi se vetëm përmes një vizite në terren mund të kuptohet drejt situata aktuale.
Gërvalla deklaroi se qytetarët serbë në veri, më shumë se kurrë më parë, po ndihen të lirë nga frika dhe presioni i strukturave kriminale të lidhura me Beogradin. Ajo e cilësoi si të pabazë fushatën e dezinformatave që e portretizon qeverinë e Kosovës si kërcënim për qytetarët serbë, duke theksuar se realiteti në terren është i ndryshëm nga ai që shpërndahet përmes raporteve të njëanshme.
Duke iu drejtuar anëtarëve të Këshillit, ministrja Gërvalla tha se shumë përfaqësues ndërkombëtarë që kanë vizituar veriun e Kosovës kanë ndryshuar tërësisht perceptimin e tyre pas takimeve me qytetarët. “Do ta ndryshoni mendimin tuaj, ashtu siç e kanë ndryshuar të gjithë ata që kanë qenë prezent në katër komunat veriore”, përfundoi ajo.