Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Agim Nuhiu – zëvendës ministër i drejtësisë: KOMPLEKSI I EDIPIT NË POLITIKËN TONË!

4 min read

Agim Nuhiu – zëvendës ministër i drejtësisë

Kur Sigmund Frojdi analizonte garën që fëmijës mashkull që zhvillon në mënyrë të pavetëdijshme kundrejt babait të tij, për shkak të projeksionit të dashurisë ndaj nënës, reflektonte qartë se si kjo garë tejkalon kufijtë e marramendësisë, vetëm e vetëm që fëmija të rrëmbejë vëmendjen dhe dashurinë e nënës. Kjo i ndodhi edhe Edipit, mbretit të mirënjohur të mitologjisë greke, i cili u vra nga djali i tij. Djali i Edipit megjithatë, nuk e dinte se ashtu sikurse kishte vrarë, një ditë do të vritej për të njëjtën arsye…
A është ky fenomen, në vija të trasha edhe në luftërat e brendshme në politikën e vendeve tona. Të vrasësh babanë për t’i zënë vendin, për të marrë pushtetin apo për të ushqyer egon personale, shpeshherë dështon, në formën më të keqe të saj. Nëse nuk mund të rrëzojnë liderin e tyre, shumëkush provon të shkëpusë një grup të vogël partiak, të themelojë parti fluide, dhe të “rehabilitohet” sado pak, (në mënyrë të drejtë apo të padrejtë) në jetën politike dhe vendimmarrësve në një shoqëri, duke pasur përmes kësaj tradhtie, fate njerëzish në dorë.
Frojdi thotë se ai që vret, përfundon i vrarë, nga fëmijët e tij. Një rreth vicioz që përsëritet e përsëritet, për të njëjtën arsye, sa vrasja – në këtë rast, egoja për pushtet, shndërrohet në zanat.
Në kontekstin e pluralizmit, për ta holluar më tej, të organizimit strukturor opozitar, nuk ka aspak ndryshim. Demokracia ka stagnuar, në një tranzicion që nuk i duket fundi, pavarësisht se vendosja autoritare (si koncept i vendimmarrjes) dominon për së brendi. Demokratizimi përmbajtjesor është një proces që merr shumë kohë, ndërkohë që hendeku (mes demokracisë dhe vendosjes autoritare brenda strukturave politike opozitare) mbetet i hapur.
Fenomeni i tillë nuk mund të kalojë pa dyshime dhe mosbesime në lidershipin partiak, dhe në perceptimin e parime shfaqen dy realitete, ai i parimit standard (demokratik dhe ideal që njohim në shkencë) dhe ai që krijon vetë personi (djali që i kundërvihet të atit) që e koncepton politikën si tradhti të parimeve vetëm atëherë kur interesat e tij të ngushta vihen në rrezik.
Nuk ka më rëndësi arsyeja e vrasjes së babait tënd, por më shumë vëmendje i duhet dhënë pasojave – çfaktorizimit të shqiptarëve. Në rastin e ndarjes, shkëputjes, themelimit të partive “të vogla”, vetë përjetimi i ndjesisë së mbivendosjes të shtyn të bësh pakt edhe me “djallin” – dhe mbivendosja nuk është vetëm në kuptimin bazik të saj, por është përpjekja për jetësimin e misionit final, atë të vrasjes ose eliminimit me çdo kusht të babait tënd. Qëllimi e arsyeton mjetin thotë edhe Makiaveli, dhe “çfarë të keqe ka për një parti opozitare të bëj pakt edhe me parti maqedonase – mjafton luftimi dhe përulja e Ali Ahmetit dhe Bashkimit Demokratik për Integrim.
Edhe një gjë mund të thuhet qartë, se reliktet nga koha e UDB-së jugosllave ende jetojnë në qoshet e errëta të mendjes së njerëzve me ambicie të sëmurë. Si shushunja janë infiltruar me mjeshtri në shumë segmente të jetës publike, sepse “të sëmurët e tillë” i kemi rreth nesh, çdo ditë. Dikë e kemi në sistem, dikush është bërë afarist i suksesshëm, një në media, një tjetër në arsim, dikush fut duart dhe ngatërron punët në organizimet politike e sociale… Ka plot të tjerë kudo…
Krijuan dosje të rrejshme me njerëz të shërbimeve sekrete, gjuajtën me kallashnikovë, krijuan situata imagjinare e bënë gjithçka që u rrokte imagjinata e tyre e sëmurë, vetëm e vetëm që të denigrojnë udhëheqjen e Bashkimit Demokratik për Integrim.
Por, ky subjekt ka ngadhënjyer gjithnjë. Nuk janë të rastit fitoret e njëpasnjëshme të tij. Zgjimi bëhet shumë herët, madje shumë më herët se sa kur i çel opozita sytë… Të jesh me popullin, je ballëhapur! Bashkimi Demokratik për Integrim gjithnjë e ruan ritmin dhe triumfon në mënyrë absolute, si në programe, projekte, ide, veprime etj. duke aktivizuar gjithnjë potencialin e kuadrit – një frymë kjo që e bën atë, jo thjesht një parti të fortë, por një lëvizje misionare! Ali Ahmeti është vetë historia, dhe udhëkryqet e kohës në epokat më të rëndësishme të shqiptarëve në Maqedoni dhe Ballkan, e bëjnë atë lider të përmasave përtej kufijve. Ali Ahmeti mbetet i palëkundur, një legjendë e gjallë që sot qëndron vigjilent ndaj përcaktimit euroatlantik.
Misioni i Ali Ahmetit vazhdon, pavarësisht ngritjes si kërpudha, lulëzimit dhe vyshkjes rishtazi të partive fluide.
Sepse, ata që kanë mision urrejtjen, ndasinë, shkëputjen, vrasjen, nuk e kanë lexuar Kompleksin e Edipit të Frojdit, dhe nuk e dinë ende se do të vdesin një ditë, në po të njëjtën mënyrë. Prandaj u shpik edhe vdekja… por varet si e pret dikush (me fytyrën nga dielli), e si e pret dikush tjetër (qosheve dhe hijeve).