“Ballkani i hapur” që lëviz në skemat ruse dhe pyetja: Pse ndryshoi Shqipëria qëndrimin e mbajtur në samitin e parë themelues të Novi Sadit në 10 tetor 2019?”

vull

E vërteta diplomatike dhe historike është se në çdo grupim, aleancë apo bashkim rajonal apo subrajonal shtetesh, me etiketë ekonomike apo politike, gjithmonë del më i fituar shteti më i fuqishëm. Formatet dhe grupimet subrajonale janë një praktikë e njohur e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe Ballkani ka njohur dhjetwra deri te projekti i ri subrajonal serb i “mini Shengenit ballkanik” apo “Ballkanit të hapur”.

Si rregull liderët ballkanikë kanë kujtesë të shkurtër dhe mbyllin sytë përpara realitetit të dominimit të fuqisë ekonomike, ushtarake dhe demografike në çdo grupim subrajonal ballkanik. Ka pasur deri tani një rrymë pozitive europeiste, që shtetet e Ballkanit Perëndimor me zgjedhjen e tyre të orientimit euroatlantik, ia linin BE-së dhe NATO-s yllin e tyre polar strategjik. Befas që nga tetori i vitit 2019 e deri tani kemi një devijim të qëllimshëm nga ky pozicion strategjik europeist me projektin e grupit të ri subrajonal apo separatist me emrin “mini Shengen” apo “Ballkan i hapur”, që deri tani ka trullosur vetëm dy kryeqytete nga 12 që ka i gjithë Ballkani.

Megallomania diplomatike serbe pretendon se grupimi i ri subrajonal do t’i sjellë shteteve pjesëmarrëse prosperitetin dhe integrimin e shumëpritur, me ndryshimin se tani në vend të integrimit europian do të kenë integrimin serb.

Konstatohet se pas mikrosamitit të Shkupit të 29 korrikut 2021 të krerëve të tre shteteve anëtare të projektit serb, ka një ngutje diplomatike dhe politike të sforcuar për të ecur sa më shpejt drejt integrimit serb të grupimit të ri subrajonal. Kjo ngutje ka ngjallur kënaqësi strategjike dhe diplomatike në Moskë, ku Rusia vlerëson se projekti serb “Ballkan i hapur” ka përputhje me planet e Moskës për ndikim në gadishullin ballkanik.

Modelin e integrimit të grupimit të ri minishengist e përcaktoi publikisht zëvendësministri i jashtëm rus, Aleksandër Grushko, i cili në Beograd në 18 qershor 2021 deklaroi se vendet e Ballkanit duhet të zgjedhin modelin e Federatës Ruse, pra të bëhen si një shtet federativ, që të ketë qendër drejtuese Beogradin, siç është Moska për Federatën Ruse.

Domethënien dhe hartën rrugore të “Ballkanit të hapur” serb Rusia e kupton më mirë se çdo shtet tjetër i madh i interesuar për rajonin tonë, sepse Rusia ka në dorën e vet dhe menaxhon lojtarin kryesor të këtij grupimi subrajonal, që është Serbia. Nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë njohur Serbinë nga pozita inferiore dhe në pozicionin e më të dobwtit, Rusia është shteti që ka plazmuar Serbinë, ështw aleati i vetëm strategjik i Rusisë në rajon, dhe Moska ka instrumentet për të drejtuar diplomacinë dhe strategjinë ballkanike serbe në linjat e interesit të politikës ruse në Ballkan.

Ndaj kur flitet për nismën serbe të “mini Shengenit” apo të “Ballkanit të hapur” nuk mund të kesh kuptim të saktë të saj pa lexuar se ç’thonë diplomacia, analitika dhe shkenca ruse e marrëdhënieve ndërkombëtare, sepse mbi tezat dhe rekomandimet e tyre ndërtohen formulimet, taktikat dhe strategjia e shtetit rus në Ballkan. Në këtë linjë paraqet shumë interes shpjegimi, që i bën nismës serbe të “Ballkanit të hapur” portali proqeveritar rus “eadaily” në 13 gusht me titullin “Kujt i pengon “bota serbe”?

Për herë të parë nga gjitha analizat diplomatike, që i janë bërë prej dy vitesh projektit serb të “mini Shengenit” apo “Ballkanit të hapur”, analitika ruse zbulon thelbin e këtij projekti serb, duke e cilësuar “Ballkanin e hapur” si vazhdim të projektit serb të shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës.

Ja shpjegimi i analistit rus: “Pikërisht nga realizmi politik u diktua presidenti Vuçiç për përgatitjen e projektit të shkëmbimit të territoreve me shqiptarët e Kosovës. Me këtë projekt ai defacto iu kundërvu autoriteteve të Prishtinës, por edhe gjithë BE, dhe në radhë të parë Gjermanisë, qeveria e së cilës fetishizoi “paprekshmërinë e kufijve në Balkan”.

Pra Rusia pranon se projekti i shkëmbimit të territoreve, i qarkulluar në vitin 2018 dështoi nga Gjermania, megjithëse ai kishte përkrahjen nga Serbia, Shqipëria, Rusia dhe Franca. Në këtë situatë dështimi presidenti serb dhe diplomacia serbe u përpoqën të gjejnë rrugë të re për realizimin e objektivave territoriale të projektit të shkëmbimit të territoreve. Ja si e analizon portali rus: “Presidenti Aleksandër Vuçiç e gjeti përgjigjen origjinale për këtë situatë dhe u muar me organizimin e “mini Shengenit ballkanik”, nismë e cila tani mori emrin “Ballkan i hapur”.

Analitika ruse zbërthen që projekti serb i një viti më vonë i “mini Shengenit balllanik” në 2019 është vazhdim i objektivave territoriale të Serbisë të parashikuara me projektin e shkëmbimit të territoreve. Veçse tani ka një ndryshim dhe një shtrirje më të madhe të ambicieve territoriale serbe. Me projektin e shkëmbimit të territoreve Beogradi synonte të merrte territoret veriore të Kosovës. Me projektin e “Ballkanit të hapur” synon që të marrë gjithë territoret, që Serbia i cilëson “e drejtë historike” të saj, gjithë Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje- Hercegovinën.

Nuk doli rastësisht dhe paralelisht me projektin e “mini Shengenit” projekti i ri i qeverisë se Beogradit për “botën serbe”, platformë zyrtare me objektivin e bashkimit të të gjithë serbëve të rajonit në një shtet unik serb, bashkë me territoret, ku jetojnë sot në shtetet e tjera ballkanike. Vetë presidenti Vuçiç e quajti këtë në 15 shkurt 2021 “Serbia e Madhe”.

Bie në sy që pas shpalljes së emrit të ri “Ballkan i hapur” ka një agresivitet të paparë të presidentit serb dhe të shteti serb për integrimin serb të grupimit të ri subrajonal. Integrimi serb po tregohet më i shpejtë se integrimi europian. Është interesant se integrimin Serbia e filloi menjëherë nga shërbimi postar i vendeve të “Ballkanit të hapur”.

Në datën 2 gusht Posta Shtetërore e Serbisë dhe Posta Shtetërore e Maqedonisë së Veriut nënshkruan marrëveshjen për krijimin e Shërbimit Unik Postar në vendet e “Ballkanit të hapur”. Drejtori i Postës Shtetërore të Serbisë, Zoran Gjorgjeviç, deklaroi në ceremoninë e nënshkrimit se “Posta e Serbisë do të bëhet qendra rajonale e logjistikës dhe e shërbimeve postare, gjë që është zbatim i nismës “Ballkan i hapur”.

Dy shtetet ranë dakord që të krijojnë një pullë postare unike dhe tarifa të njwjta shërbimesh postare dhe pakosh. Dy drejtorët serb dhe maqedonoverior njoftuan se ia kanë drejtuar propozimin e unifikimit postar edhe Shqipërisë, për shkrirjen e shërbimit postar të “Ballkanit të hapur”. Për të kuptuar lexuesi rëndësinë strategjike të shkrirjes së shërbimit postar në procesin e integrimit, po i përmendim se BE, që ka 64 vjet që është krijuar, megjithëse ka vënë në jetë makro Shengenin europian, ende nuk ka pullë unike postare dhe as tarifa unike për shërbimet postare. Praktika e BE shpresojmë t’u ndriçojë mendjen minishengistëve të dehur të Tiranës.

“Ballkani i hapur” serb po nxiton që të konkretizohet me akaparimin e territoreve të shteteve fqinjë. Sekretari i përgjithshëm i Asamblesë Kombëtare të Serbisë, Veljko Odaloviç, në 16 gusht, pas rënies së Kabulit në duart e talebanëve, kërcënoi Kosovën me pushtimin serb pas ikjes se trupave amerikane, sepse “kudo që kanë qenë amerikanët, janë larguar, dhe Prishtina duhet të mendohet për këtë”.

Natyrisht presidenti serb dhe qeveria serbe gëzohen para vaktit, sepse e dinë fare mirë që trupat amerikane kanë 76 vjet në Gjermani. Në 12 gusht kreu i nacionalizmit dhe separatizmit serb në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik, deklaroi publikisht se “synimi i “serpska republikës” është që të bashkohet me Serbinë dhe me kalimin e kohës ky objektiv do të realizohet”. Në të njwjtën kohë Serbia nëpërmjet kukullës së saj “Fronti Demokratik” serb në Mal të Zi kërcënoi në 11 gusht me rrëzimin e qeverisë në Podgoricë, nëse ajo nuk i bindet kërkesës serbe për të organizuar regjistrimin e popullsisë brenda vitit, pa u përgatitur legjislacioni përkatës, sepse në rrëmujë e sipër Serbia planifikon të rrisë edhe më shumë artificialisht numrin e minoritetit serb në Mal të Zi.

Në të njëjtën kohë në 4 gusht ministri i brendshëm serb Vulin në Shkup i bëri paralajmërimin qeverise atje se “Maqedonia e Veriut nuk ka shtet tjetër më të afërt se sa Serbia”.

Projekti serb i “Ballkanit të hapur” po nxit procese recidiviste të nacional-shovinizmit serb për të rikthyer hegjemoninë serbe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Këtë linjë po e inkurajon veçanërisht Rusia, ku ministri i mbrojtjes Sergej Shojgu, në datën 11 gusht në një forum me rininë bëri deklaratën skandaloze se ai “ndjehet i lumtur që ka bashkëpunuar me udhëheqësit serbë si Karaxhiçi, Mlladiçi dhe Millosheviçi, të cilët ranë në Gjykatën e Hagës”. “Ballkani i hapur” hap kufijtë për krijimin e “botës serbe” të bashkimit të të gjithë serbëve të rajonit në një shtet.

Ministri i brendshëm serb Vulin, krahu i djathtë i presidentit Vuçiç, arrin deri atje sa që e krahason bashkimin me Serbinë të territoreve të shteteve të tjera, me serbet që jetojnë atje, me bashkimin e Gjermanisë. Rusia e përkrah këtë objektiv ekspansionist serb, sepse sipas saj: “Bota serbe” është hapësira unike kulturore dhe historike e popullit serb në tokat e tij etnike, pavarësisht nga kufijtë shtetërorë”.(“eadaily”, 13 gusht).

Prirja dhe strategjia e formatit të ri të bashkëpunimit subrajonal me emrin “mini shengen” apo “Ballkan i hapur” synojnë vendosjen një kontrolli dhe dominimi të Serbisë në gjithë subrajonin e Ballkanit Perëndimor. Këtë zhvillim e sheh me sy pozitiv profesoresha ruse Ekaterina Entina e Institutit Europian të Akademisë së Shkencave të Rusisë në një studim të saj për think-tankun kryesor diplomatik qeveritar rus “Valdaiclub” në 30 korrik.

Ja analiza e studiueses ruse: “Me formatin subrajonal është forcuar thelbësisht Beogradi. Beogradi është iniciator i bashkëpunimit brendarajonal, veçanërisht me “mini Shengenin ballkanik” me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut”. Profesoresha ruse evidenton dy rezultate kryesore të projektit serb të bashkëpunimit subrajonal. Së pari, që kemi “forcim të Beogradit dhe restaurim të mundshëm të bashkëpunimit subrajonal në kufijtë e ish-Jugosllavisë, pa u kthyer te ideja e shtetit apo unionit të përbashkët”.

Kjo don të thotë se projekti serb i “Ballkanit të hapur”, duke forcuar rolin ekonomik, politik dhe strategjik të Serbisë në këtë grup subrajonal, synon të krijojë një entitet të ngjashëm në kufijtë e ish-Jugosllavisë, por pa e quajtur prapë Jugosllavi për shkak të alergjisë panballkanike për ish-federatën. Kjo nuk do të thotë se presidenti i Serbisë Vuçiç ka hequr dorë nga ambicia e tij e shprehur sapo u zgjodh president në prill të vitit 2017, kur i deklaroi shtypit amerikan se projekti i tij i zonës së përbashkët ekonomike ballkanoperëndimore është “Ringjallja e Jugosllavisë së vjetër plus Shqipërinë”.

Rezultati i dytë, që evidenton profesoresha ruse, është se situata e re e bashkëpunimet subrajonal të “Ballkanit të hapur” “rikthen në rendin e ditës çwshtjen e papërshtatshmërisë së ndarjes në vitet 90’ dhe 2000’ të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, të ndarjes së Federatës RFJ “Serbia dhe Mali i Zi dhe të ndarjes së Kosovës nga Serbia”.

Me një fjalë analitika dhe diplomacia ruse me daljen në skenë të “Ballkanit të hapur” hedhin tezën e re të rihapjes së çështjes së prishjes së ish-Jugosllavisë, për të cilën Moska nuk ka qenë dakord. Argumenti rus është se vetë shtetet e asaj federate, që quhet sot Ballkan Perëndimor, po ribashkohen me projektin subrajonal serb të “Ballkanit të hapur”. Nisur nga kjo Rusia parashtron kërkesën që të shtrohet në rendin e ditës së diplomacisë ndërkombëtare çwshtja e re e rikthimit të statusit të federatës së dikurshme komuniste jugosllave.

Analitika dhe diplomacia ruse kërkojnë revizionimin e historisë së shembjes së federatës jugosllave dhe të luftërave agresive, që zhvilloi Serbia kundër katër popujve joserbë në ish-Jugosllavi.

Projekti serb i bashkëpunimit subrajonal të tre shteteve të “Ballkanit të hapur” i jep pretekst dhe rast diplomacisë dhe shtetit rus që të avancojnë sferën e ndikimit rus në Ballkan në proporcion të drejtë me zgjerimin e ndikimit serb në Ballkanin Perëndimor. Është fat që tre shtete, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina kanë refuzuar të bashkohen me projektin serb të “Ballkanit të hapur”. Janë tre shtete, që jo vetëm kanë përvojë të hidhur nga shtypja serbe në ish federatën e përbashkët, por edhe sot e kësaj dite po vuajnë rëndë pasojat e ndërhyrjes brutale dhe të shantazhit të gjithanshëm serb në punët e tyre të brendshme.

Në 16 gusht kryenegociatorja e qeverisë së Malit të Zi në bisedimet e pranimit me BE, Zorka Kordiç, i shpjegoi edhe njëherë arsyet e refuzimit të shtetit të saj në “Ballkanin e hapur”, duke deklaruar se “Mali i Zi është fokusuar në radhë të parë në zbatimin e “Planit të Veprimit” për Tregun e Përbashkët Rajonal nën kujdesin e Procesit të Berlinit, si një nismë politike që i përfshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”. Si eksperte e mirënjohur e çështjeve të BE, kryenegociatorja sqaron se Tregu i Përbashkët Rajonal është gjë, dhe “Ballkani i hapur” është gjë tjetër, sepse Tregu i Përbashkët Rajonal është më përfshirës se “Ballkani i hapur” dhe përveç katër lirive të njohura, ka gjithashtu infrastrukturën digjitale, inovacionin dhe politikën unike të investimeve sipas standardeve të BE.

Strategjikisht projekti subrajonal serb i “Ballkanit të hapur” po lëviz në skemat ruse. Do t’i rekomandonim diplomacisë dhe qeverisë së Shqipërisë që t’i lexojë mirë qëndrimet dhe tezat e analitikës shtetërore dhe të diplomacisë ruse për “Ballkanin e hapur” para se të vrapojnë pa ditur se ku shkojnë drejt një tabele fiktive serbe.

Media ruse “regnum.ru” theksonte në 11 gusht se “Projekti “Ballkan i hapur” mbështet integrimin ekonomik, politik dhe shkencor në hapësirat, të cilat shqiptarët i quajnë të vetat”. Rusia është e vetmja fuqi e madhe e kënaqur nga projekti serb, sepse ai projekt po i kundërvihet BE dhe po forcon Beogradin dhe po i jep mundësi Moskës të revizionojë sipas interesit historinë moderne ballkanike dhe të ringrejë në forumet ndërkombëtare çështjen e ribërjes së federatës jugosllave, përderisa vetë disa shtete të Ballkanit Perëndimor po e kërkojnë.

Qeveria në Tiranë në fillim ka pasur vetë dyshime për projektin serb të miniShengenit, përderisa në samitin e parë themelues të Novi Sadit në 10 tetor 2019 kryeministri i Shqipërisë deklaroi se në qoftë se Kosova nuk merr pjesë, edhe Shqipëria do të tërhiqet.

Nuk e dimë se çfarë ndodhi që Tirana befas “faqe ndrron” dhe i mori Beogradit flamurin minishengist dhe po tregohet më katolike se papa serb. Kolegët e nderuar të shtypit mund ta pyesin kryeministrin në konferencë shtypi apo në studiot televizive për këtë ndryshim qëndrimi të pa shpjeguar kurrë./DITA/

Next Post

Do bësh seks sonte? Mos i ha këto ushqime

Thonë që dashuria lind nga stomaku, por as seksi nuk mund t’i shpëtojë grackave të tij sidomos nëse përpara takimit pasionant me partnerin/partneren tuaj abuzoni me disa ushqime të caktuara. Studimet dhe eksperimentet e ndryshme kanë treguar se krahas atyre që janë klasifikuar si afrodiziakë, ekzistojnë edhe një grup ushqimesh […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: