Lazim Destani, një korife i malësisë së Sharrit

vull

NGA MERXHAN JAKUPI

Sipas disa psiko-analistëve, sociologëve dhe pedagogëve, shumica e figurave dhe personaliteteve të shquara, që dallohen me karizmën, ambiciet, talenti dhe karakterin e tyre të fortë, mund të vërehen si identitete që në fëmijëri. Një ndër këto figura të dalluara dhe personalitete, që janë vërejtur si të tillë qysh në fëmijëri, me do cilësi të ambicieve dhe talentit të dalluar, ka qenë edhe Lazim Destani nga fshati Bozovcë i malësisë së Sharrit, sot një biznesmen i njohur edhe ndërkombëtarisht, si pronar i kompanisë “Ecolog”. Kësisoj, një mik imi rrëfente se si disa burra të fshatit, shumë vite më parë, shprehnin mendimin se ky djalë (Lazim Destani), kur do të rritet do të bëhet një burrë i vërtetë dhe i njohur, do të arrijë diçka të madhe në jetë, do të bëhet një personalitet i shquar dhe figurë e dalluar. Sipas shumë fshatarëve, familja Destani ka qenë bujare, fisnike dhe shumë e respektuar në të gjitha fshatrat e malësisë së Sharrit të komunës së Tetovës. Në fillim të viteve të ’70-ta ishte vërejtur një fluks i madh i dyndjeve nga këto fshatra që dolën të punonin në shtetet perëndimore, sidomos në Gjermani. Lazim Destani, së bashku me vëllezërit e tij, si i ri kishte shkuar të punojë në Gjermani.

SHTEGTIMI I MALËSORIT NË MERIDIANET E BIZNESIT

Miku im, shoku i klasës, këngëtar dhe rapsod, Jashar Sejdiu, rrëfen se Lazim Destani që në rini ka qenë mjaft human dhe solidar me bashkëfshatarët e vet. Kur ndonjë bari i thoshte se paska kostume apo këpucë të bukura, Destani i nxirrte nga trupi dhe ua jepte dhuratë. Në fillim të viteve 1970, kishte sjellë disa radio- transistorë dhe ua kishte dhuruar barinjve në fshat. Barinjtë kishin lënë fyellin dhe, duke kullotur bagëtinë, tërë ditën kalonin me përcjelljen e emisioneve nga radioja e vogël e dorës. Po ashtu, Jashari thotë se që në fëmijëri kanë qenë shokë të ngushtë dhe kanë ngelur shokë të shpirtit edhe sot me Lazim Destanin. Në vitin 1972, Lazimi kishte sjellë nga Gjermania një kino-projektor, për të shikuar filma të rinjtë dhe fshatarët.

Lazim Destani si i ri, kur doli në Gjermani, u mor me biznes. Në vitin 1997 themeloi firmën “Sharr-Turist”. Vizioni i tij progresiv dhe pragmatik ka pasur për prioritet të kontribuojë dhe të kultivojë vlerat e vërteta në malësinë e Sharrit, por dhe në të gjitha trojet shqiptare. Zotëri Destani, me gjithë sfidat dhe rreziqet, vazhdoi me veprimtarinë dhe biznesin. Pas themelimit të firmës “Ecolog”, me punë e sakrifica të mëdha, pas një dekade, u shndërrua në një ndër kompanitë më të njohura në botë. Ky malësor, vazhdoi me zgjerimin e kompanisë në tërë kontinentet e rruzullit tokësor.

Një studiues dhe ekspert i fushës së biznesit shkruan se këta personalitete dhe figura të fushës së biznesit posedojnë tre tipare apo veti njerëzore. Një, është hiper-talenti; dy, guximi dhe; tre, fati. Këto figura dhe personalitete janë specie kreative dhe kanë fuqi impersonale, pushtet mbi veten, karakter të fortë, qëllim të caktuar dhe vizion, siç janë psh., pronari i Microsoft-it, Bill Gates; ai Apple-it, Steve Jobs, duke hyrë në këtë varg edhe kompania “Ecolog” e Lazim Destanit. Këto personalitete, figura të shquara e shpirtra gjigantë, janë udhërrëfyes dhe yll polar. Ata mbajnë mbi shpatulla ekzistencën e shumë familjeve, që të vetmin burim dhe ekzistencë e kanë tek këto kompani. Lazim Destani është përballur me shumë  sfida, duke lundruar si anija që përplaset nga dallgët e detit dhe të oqeaneve.

Një shok imi i klasës dhe mik i ngushtë, Nejazi Bexheti, shprehet se zotëri Lazim Destani është një njeri shumë modest, human, komunikues dhe me sens humori. Ai përshkruan sfidat dhe sekretet e biznesit që i ka pasur, për rëniet dhe ngritjet. Çdo herë është përballur me rreziqe e përplasje, por, në fund, i ka përballuar. Ai, si malësor, çdo herë ka pasur dëshirë të shkruajë për familjen Destani. Shumë fshatra të malësisë së Sharrit mburren dhe janë krenarë, sikundër gjithë shqiptarët e Maqedonisë. Kompania “Ecolog” ka punësuar mijëra punëtorë, ka rimëkëmbë ekonominë në Maqedoni, ka kontribuar dhe ka punësuar shumë punëtorë dhe ka ndihmuar familje të varfra. Ka punësuar shumë studentë që pas mbarimit dhe diplomimit në universitete, kanë gjetur punë aty dhe kanë fituar eksperiencë, përvojë dhe ekzistencë. Lazim Destani është humanist dhe filantrop. Ai ka kontribuar dhe investuar në shumë projekte dhe akoma është duke investuar e ndihmuar familje në nevojë. Familja Destani ka bërë një revolucion të suksesshëm në biznes.

Pranë Lazim Destanit qëndron djali i tij, Nazif Destani, i cili ka trashëguar talentin, idenë dhe vizionin e të atit. Në revistën “Die Spigel”, autori i një shkrimi ka kushtuar rëndësi pasardhësit të këtij koncerni, Nazif Destanit. Në intervistën që ka bërë me të, shkruan se edhe ai, si i ati i vet, është një personalitet karizmatik, me ide inovative, vizion e pragmatik. Autori shton se ky biznesmen është një kozmopolit, ka sharmë, komunikon dhe ka sens humori. Përshkruan veshjen e tij, talentin, stilin, mënyrën e të folurit, që lë përshtypje me sjelljen e tij si të një figure a personaliteti karizmatik.

JETA E LIDHUR ME TUPANA

Babai im i ndjerë ka pasur lidhje miqësore me familjen e Lazim Destanit, sidomos me të vëllanë e Lazimit, të ndjerin, Muqerem. Në vitet e 60-ta, im atë kishte ëmbëltore në Prilep. Aty shpesh kthenin barinjtë e fshatrave Bozovcë dhe Veshallë. Më kujtohet, një natë, pasi u shtrua darka, kuvendi zgjati deri në mesnatë. Im atë rrëfente se si pas luftës së madhe, së bashku me zotëri Muqeremin kishin shkuar në Prizren, tek një mjek italian. Doktori italian, i zënë peng pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kishte mbetur dhe ishte martuar në Prizren. Regjimi komunist, këtë doktor, të cilin im atë e kishte mik, ndonëse ishte një specialist mjekësie, nuk e lejonte të ushtronte profesionin. Mjeku kishte thënë se këta komunistë nuk e lejonin të ushtrojë profesionin dhe të shërojë të sëmurët. Fatkeqësisht kishte parë të sëmurë të cilët kishte mund t’i shërojë ose operojë, por mjerisht ata kishin humbur jetën. Ata kanë mund ta burgosnin, por dijen e profesionit dhe etikën e Hipokratit nuk kanë mund të marrin.

Më kujtohen me shumë nostalgji rrëfimet e tim eti,  se duke u kthyer rrugës së bjeshkëve me kuaj, kishin kthyer në katundin Opojë, tek një mik. Në hyrje të katundit dëgjohej buçitje, ushtimë lodrash dhe zëri melankolik i curleve. Babai posa i kishte dëgjuar ato oshtima, i kishte thënë Muqeremit se aty po bëhej një dasmë, pastaj kishin filluar do dridhërima këmbësh dhe mbërthim emocionesh. Drejtuesi i dasmës kishte njoftuar për arritjen e tyre si të ardhjes së dy mysafirëve nga katundet Veshallë dhe Bozovcë, të njohur si valltarë, madje menjëherë u kishin ofruar që ta heqin vallen. Babai na bënte të ditur se kishte dallime tek disa valle, por ustallarët e vërtetë i dinin ato dhe hiqnin vallet e të gjitha fshatrave të malësisë së Tetovës. Së bashku me vëllanë e Lazimit, te ndjerin Muqeremin, ia kishin nisur valles, në të cilën ishin bashkëngjitur edhe dy-tre valltarë të tjerë. Pasi kishin mbaruar me vallet, sipas traditës e mikpritjes, ata nuk kishin  lejuar të vazhdonin rrugën deri të nesërmen, kur ishte marrë nusja dhe kur të gjithë krushqit ishin shpërndarë. Nikoqirët i kishin përcjellë deri në dalje të fshatit, ku i kishin shaluar kuajt dhe ishin nisur shtigjeve të bjeshkëve që lidhnin fshatrat e rrethit të Opojës, me fshatrat Bozovcë dhe Veshallë.

 

 

 

 

Next Post

Zëvendëskryeministri Dimitrov në takime në Bundestagun e MPJ të Gjermanisë

Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane Nikolla Dimitrov sot në Berliln kishte takim me Nils Shmid, Zëdhënës i Punëve të Jashtme i grupit parlamentar i Partisë Social-Demokrate në Bundestag. Integrimi meritor, arritja e konsensusit për kornizën negociuese dhe sa më shpejtë të jetë e mundur mbajtja e konferencës së parë […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: