Organizata Shqiptarët e Bashkuar: ”Kombi kosovar” është një kancer për bashkimin e kombit shqiptar

Kohanews Admin

Organizata Shqiptarët e Bashkuar në Detroit të Migjigenit, lëshon këtë Reagim kundër “babait” të “kombit kosovar”, Nexhmedin Spahiu :
“Kombi kosovar” është një kancer për bashkimin e kombit shqiptar
Në Kosovë nuk ka kurrfarë “kombi kosovar”, por vetëm një shtet kosovar-Republika e pavarur dhe sovrane e Kosovës, të cilën e kanë njohur mbi 100 shtete të OKB-së (2008-2021).
-Kjo është e vërteta historiko-politike de fakto dhe de jure. Të tjerat janë përralla dhe kashelasha të trilluara të Nexhmedin Spahiut, i cili edhe më tej si Don Kishoti po lufton me “mullinjtë e erës”, duke propaganduar “patentën shkencore” të tij, të quajtur “kombi kosovar”, që ta shes sa më shtrenjtë në tregun e lirë të pakufijshëm global botëror. Mirëpo, deri tash ka bankrotuar ngase këtë produkt toksik të imagjinuar nuk ka mundur ta shes në asnjë “pazar” të tregtisë vendore të Shqipërisë Etnike në Ballkan.

Gjithashtu, deri më sot (2004-2021) nuk doli asnjë akademi shkencore, asnjë institut shkencor dhe, asnjë akademik shqiptar, që të pranonte një budallallëk të tillë antishkencor dhe antikombëtar, që bie ndesh me historikun e formimit dhe të ekzistencës disashekullore të derisotme të kombit shqiptar .

Megjithatë, Nexhmedin Spahiu nuk heq dorë nga “bindja” e tij se gjoja “ka zbuluar” një “komb kosovar”. Këtë e dëshmoi edhe në një intervistë televizive të ABC-së në Tiranë, më 9 nëntor 2021, duke pohuar se “është me etni shqiptare, por me përkatësi kombëtare i të ashtuquajturit “komb kosovar”, të cilin e ka “patentuar” për qëllime dhe interesa të tij, që bien ndesh me interesin e përgjithshëm të kombit shqiptar brenda Shqipërisë Etnike në Ballkan.

Edhe pse Nexhmedin Spahiu në atë emision televiziv u deklarua se “ me etni jam shqiptar, kurse me kombësi i përkas kombit kosovar” , kjo nuk është e vërtetë, por një spekulim i rafinuar, me qëllim që të sabotojë dhe të zhbëjë kombin shqiptar nga Kosova, përkatësisht nga Dardania ilire.
Duhet të jesh i “hallakatur” 1000 për qind, e të dalësh para opinionit publik (qoftë me “letra”, qoftë me deklarata mashtruese dhe manipuluese propagandistike antikombëtare), se gjoja me krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran (17 shkurt 2008) u krijua një komb i ri, i quajtur “kombi kosovar” !?

Kjo është një gënjeshtër ordinere që nuk i beson asnjeri qoftë i zakonshëm me shkollë fillore, qoftë akademik i elitës së botës shkencore. Thjesht, ky është edhe një spekulim i radhës së “babait” të “kombit kosovar”, Nexhmedin Spahiu për t’i mashtruar dhe dezinfomruar shqiptarët e Kosovës, se gjoja kombi i tyre është “kombi kosovar” e jo kombi shqiptar. Mirëpo, shqiptarët mbi 90% e as minoritetet në Kosovë (serbë, turq, kroatë, goranë, myslimanë boshnjakë, ashkalinj, romë, egjiptianë ) deri më sot (2008-2021) nuk kanë pranuar dhe, në asnjë formë nuk janë deklaruar se i përkasin të ashtuquajturit “komb kosovar” të trilluar të Nexhemedin Spahiut.

Amerika dhe UÇK-ja nuk kanë krijuar asnjë “komb kosovar”, por vetëm një SHTET në Kosovë, që quhet Republika e pavarur dhe sovrane e Kosovës !
Prandaj, rrjedhimisht Nexhmedin Spahiu nuk mund të jetë pjesëtar i “kombit kosovar” , por vetëm me SHTETËSI KOSOVARE. Nuk përjashtohet mundësia, që N. Spahiu të ketë edhe SHTETËSINË e Republikës së sotme të Shqipërisë, mbase gjatë okupimit të Kosovës (1989-1999) ka jetuar dhe vepruar në Shqipëri. Kjo është në rregull. Njerëzit mund t’i kenë 2 shtetësi të shteteve të ndryshme, por jo edhe 2 kombësi, nëse i përkasin të së NJËJTËS ETNI, siç është rasti konkret i Nexhmedin Spahiut me etni shqiptare nga të dy prindërit shqiptarë. Ndërkaq ata, që kanë prindërit me etni të ndryshme, mund t’i kenë dy kombësi të ndryshme. Kjo është një “temë” tjetër, që kërkon shpjegim më të gjerë.

Gjithashtu, shkencërisht janë të paqëndrueshme tezat e Nexhmedin Spahiut, kur thotë se shteti i pavarur i Kosovës, gjoja e ka formuar “kombin kosovar”!?

Jo ore jo, “kombin kosovar” e ka shpifur vet Nexhmedin Spahiu, që më 2004, jo as Amerika, as BE-ja, as UÇK-ja!

Mirëpo, edhe në këtë pikëvështrim është kontradiktor me vetveten, sepse para 15 vitesh ka pohuar dhe shkruar se, “autor” dhe “hero” i “kombit kosovar”, është Nexhmedin Spahiu, jo kurrfarë shteti i Kosovës, ku për Idenë e shpërpalljes së “kombit kosovar” , -thotë se është frymëzuar nga një poezi e Mitrush Kutelit, kushtuar Kosovës.( https://www.new-perspektiva.com/sr/o-pojmu-nacije/?fbclid=IwAR2RJ7W99vOADHxMjBX6qBfoGHeohLHpaLFDiSY_aKcmXVsjVfAy-3NfySc ).

Gjithashtu, tezat e përfolura të N.Spahiut se si është fromuar kombi shqiptar, janë plotësisht të gabuara dhe të paqëndrueshme, ngase kombi shqiptar nuk është formuar as nga kisha, as nga xhamia e as nga teqja, as nga shteti, as nga “Branko Merxhani, as nga Mitrush Kuteli”…etj. e as nga parulla politike e Revolucionit Borgjez Francez(1789): “Liberte, Fraternite, Egalite”, por nga krijimi i vetëdijes kombëtare shqiptare, që nga epoka e lavdishme e Skënderbeut (shekulli XIV) …., që është kurorëzuar si proces historik dhe kombëtar në shekullin XIX me kryeidologun e tij-Rilindësin erudit dhe patriot shqiptar Sami Frashëri dhe me bashkërilindësit e tjerë të Rilinjdes Kombëtare Shqiptare.

Sikur N.Spahiu ta dinte se si dhe, kur është formuar kombi shqiptar, ai nuk do të dilte me antitezën e tij agnocistike dhe diletante të “kombit kosovar”, sepse Roma nuk është ndërtuar “brenda një nate” e as kombi shqiptar, por në “rrokullisjen” gjatë shumë shekujve në historinë e tyre.
–Vetëm kombet e imponuara dhe të diktuara imagjinare për qëllime dhe interesa të ndryshme politike, ekonomike dhe territoriale (me prapavijë kolonialiste) janë fromuar ose formohen nga ndonjë shtet i caktuar. Mirëpo, kombet e tilla kanë karakter artificial dhe arbitrar, mbase nuk janë produkt të rrjedhës historike e as të shprehjes së lirë të vullnetit dhe të deshires së popujve të robëruar, që luftojnë për njohjen e të drejtave dhe lirive të tyre kolektive për t’u idenifikuar si kombe më vete në saje të krijimit të vetëdijes së lartë kombëtare dhe të tipareve të përbashkëta, siç janë: historia, etnia, gjuha, kultura, traditat, zakonet, mitet, kujtimet, simbolet, uniteti , territory… etj.

Sa më lart, apelojmë të gjitha elitat akademike, politike, kulturore, subjektet politike, klubet, shoqatat, organizatat dhe lëvizjet kombëtare shqiptare, që të ngrejnë lart zërin e tyre kundër një absurdi dhe paradoksi të këtillë pervers dhe të rafinuar, që synon mohimin, përçarjen dhe zhbërjen e identitetit etnik të kombit shqiptar.

Kryetari i Organizatës Shqiptarët e Bashkuar,

Rrok Dedvukaj,

Detroit, më 22 nëntor 2021

Next Post

Zaev - Donfried: Fillimi i negociatave me BE-në, interes gjeostrategjik i SHBA-ve

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, mbrëmë vonë ka pasur një bisedë telefonike me Ndihmës Sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Karen Donfried, e cila në emër të administratës amerikane dhe qytetarëve të SHBA-së shprehu ngushëllime të thella qytetarëve të vendit tonë pas aksidentit fatal të autobusit në […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: